Kriza e imigrantëve nuk mund të zgjidhet me para

TË FUNDIT

Autoritetet në qytetin francez, Kale, kanë kritikuar ashpër Kryeministrin e Britanisë, Dejvid Kameron, duke theksuar se ai vetëm po tenton të pastrojë ndërgjegjen e tij, me ngritjen e një rrethoje në afërsi të tunelit që lidh Britaninë dhe Francën, për të pamundësuar hyrjen e imigrantëve në territorin britanik dhe shtuan se rrethoja nuk mund të zgjidh problemin.
Zëvendës-prefekti i qytetit Kale në Francë, Fillip Minjonet, theksoi se kriza e imigrantëve në këtë qytet nuk mund të zgjidhet me ndihma financiare dhe shtoi se Britania ka një qëndrim dyfytyrësh ndaj imigrantëve.
Përkundër faktit se Bashkimi Evropian ka ndarë 600 milionë euro për Britaninë dhe Francën, për të zgjidhur problemin me refugjatet, Minjone është i mendimit se paratë nuk janë zgjidhje,
Ai është i mendimit se kriza në Kale duhet të shikohet në kontekst të gjerë dhe se për të zgjidhur krizën, duhet të vlerësohen rrënjët e problemit, në veçanti arsyet se pse njerëzit po ikin nga shtëpitë e tyre dhe po vijnë në Evropë.
Minjonet shtoi se qëndrimi i Britanisë është dyfytyrësh, pasi që Londra përgjegjësinë po e bart në zonën e Shengenit, respektivisht mbi Francën.
Ai më tutje shtoi se Kale është një qytet i varfër dhe se kriza me refugjatët po dëmton reputacionin e qytetit dhe po dëbon investuesit.
Sipas fjalëve të Minjonetit, Kryeministri i Britanisë, Dejvid Kameron, vetëm sa po pastron ndërgjegjen e tij me financimin e rrethojës në Kale, në hyrjen e tunelit që lidh Francën dhe Britaninë, duke nënvizuar se rrethoja nuk mund të zgjidh problemin.
Rreth 4 mijë imigrantë jetojnë në kampin afër Kalesë dhe për çdo ditë tentojnë që nëpërmjet tunelit nën Lamansh të kalojnë në Britani./ 21 Media