Detaje nga aksioni policor, këta persona dyshohet se janë përfshirë në hetim

0

Informacione të reja në lidhje me aksionin në Shkup, Tetovë dhe Kumanovë. Sipas informacioneve fillestare, nën hetim janë persona përgjegjës nga një spital privat, si dhe punonjës të Fondit të Sigurimit Shëndetësore. Sipas informacioneve jozyrtare, në mesin e personave të përfshirë në hetim është edhe ish-drejtori i Fondit për Sigurim Shëndetësor (FSSh), Den Donçev, i cili përmendet si personi i parë i kallëzuar në këtë rast.

Në informacionet jozyrtare për rastin përmenden edhe Ridvan A., ish-kryetar i Bordit Drejtues të FSSh-së, Vesna Q., ish-menaxhere e spitalit “Sante”, si dhe Salih B., ish-pronar dhe person i autorizuar në spital.

Në mesin e personave që përmenden si të përfshirë në hetim janë edhe Selma A., menaxherja aktuale e spitalit, dhe Geriana A., ish-drejtoreshë e këtij institucioni shëndetësor.

Sipas informacioneve jozyrtare, hetimi përfshin edhe persona që kanë ushtruar funksione drejtuese në Fondin për Sigurim Shëndetësor. Në mesin e tyre janë Cveten S., ish-shef i Sektorit për Kontroll në FSSh, Zhaklina S., ish-drejtoreshë e njësisë rajonale të FSSh-së në Shkup, si dhe Irena P., shefja aktuale e njësisë rajonale në Shkup.

Policia nuk do të pranojë letërnjoftimin dhe patentë-shoferin digjital në telefon, qytetarët duhet t’i mbajnë dokumentet plastike

0

Qytetarët do të duhet të vazhdojnë të mbajnë me vete letërnjoftimet dhe patentë shoferët plastikë, edhe pse dokumentet tashmë janë të disponueshme edhe në formë elektronike përmes aplikacionit të ri mobil “M-Uslugi”, përcjell TV21. Dokumentet digjitale për momentin nuk do të pranohen gjatë identifikimit nga policia, pasi për njohjen e tyre zyrtare nevojiten ndryshime në legjislacion.

Ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski, ka konfirmuar për SDK.mk se gjatë kontrolleve policore qytetarët do të duhet të paraqesin letërnjoftimin ose patentë-shoferin fizik. Ai ka theksuar se tashmë po punohet për ndryshimet e nevojshme në ligje dhe rregullore, por deri në hyrjen e tyre në fuqi, dokumentet plastike mbeten të detyrueshme gjatë identifikimit.

Aplikacioni i ri “M-Uslugi”, i prezantuar zyrtarisht dje, mundëson qasje në dokumente digjitale, shërbime publike dhe njoftime nga institucionet. Përdorimi i tij është falas dhe vullnetar, ndërsa në të ardhmen planifikohet zgjerimi i funksionaliteteve, përfshirë edhe mundësinë e kryerjes së pagesave elektronike.

“Hurriyet”: Turqia shqyrton bashkimin e ushtrisë në Libi dhe krijimin e një baze ushtarake në Arabinë Saudite

0

Turqia po përgatit një strategji të re të mbrojtjes, e cila parashikon planifikim për një luftë të mundshme në shkallë të gjerë, zgjerimin e pranisë ushtarake jashtë vendit, bashkimin e strukturave ushtarake në Libi dhe mundësinë e krijimit të një baze ushtarake turke në Arabinë Saudite, raporton gazeta turke “Hurriyet”.

Sipas gazetës, Ministria turke e Mbrojtjes Kombëtare po harton strategjinë e re me qëllim që forcat e armatosura të jenë të përgatitura për sfidat globale të sigurisë dhe të zgjerojnë praninë e tyre në Afrikë dhe Azi. Qasja e re parasheh gjithashtu zhvillimin e mbështetjes logjistike, linjave të furnizimit dhe marrëveshjeve me vendet pritëse.

Sa i përket Libisë, ku Ankaraja mban marrëdhënie ushtarake si me pjesën lindore, ashtu edhe me atë perëndimore të vendit, po shqyrtohet mundësia e krijimit të një ushtrie të bashkuar me strukturë të përbashkët komanduese. Në takimin e përfaqësuesve të të dyja palëve, të mbajtur në Ankara më 23 tetor, janë diskutuar zgjidhjet e mundshme.

Plani parashikon dy faza: Fillimisht bashkimin ushtarak dhe më pas pajtimin politik. Si një nga mundësitë përmendet që Abdul Hamid Dbeibeh të mbetet kryeministër, ndërsa Khalifa Haftar të emërohet shef i Shtabit të Përgjithshëm.

Një pjesë tjetër e strategjisë së re lidhet me Marrëveshjen e Mbrojtjes së Përbashkët të Mekës, e cila parasheh bashkëpunim mes Turqisë, Arabisë Saudite dhe Pakistanit në industrinë e mbrojtjes, trajnimin ushtarak, prodhimin e përbashkët të armëve, transferimin e teknologjisë dhe shkëmbimin e informacioneve të inteligjencës.

Pas emërimit të gjenerallejtënantit pakistanez në pension, Nauman Mahmood, si sekretari i parë i përgjithshëm më 23 shtator, ka nisur formimi i një selie të përbashkët, në të cilën secili prej tri shteteve do të ketë nga pesë përfaqësues ushtarakë dhe diplomatikë.

Arabia Saudite i ka ofruar Turqisë mundësinë e krijimit të një baze ushtarake në territorin e saj, sipas një modeli të ngjashëm me strukturën ushtarake turke në Katar. Qëllimet do të ishin forcimi i kapaciteteve parandaluese, trajnimi dhe mbështetja këshillimore për ushtarët sauditë, si dhe zhvillimi i kapaciteteve të përbashkëta të mbrojtjes.

Mundësia e krijimit të bazës lidhet me përfundimin e procedurave parlamentare në Turqi dhe marrjen e autorizimeve të nevojshme për dislokimin e trupave ushtarake.

Sipas “Hurriyet”, Uashingtoni e sheh një bashkëpunim të tillë rajonal në fushën e mbrojtjes si një faktor të mundshëm për ruajtjen e ekuilibrit dhe stabilitetit në Lindjen e Mesme. Sipas vlerësimeve në Ankara, gjatë viteve 2027 dhe 2028, SHBA-ja mund ta zvogëlojë angazhimin e drejtpërdrejtë ushtarak në rajon dhe një pjesë më të madhe të përgjegjësive të sigurisë t’ua kalojë partnerëve rajonalë.

Vance i dërgon letër Iranit, cili është kushti i Trump për të shmangur sulmin e ri ushtarak?

0

Zëvendëspresidenti i SHBA-së J.D. Vance i ka dërguar një letër Sekretarit të Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare të Iranit , Mohsen Rezaei , duke kërkuar rifillimin e negociatave dhe parandalimin e bombardimeve të reja amerikane ndaj Republikës Islamike, sipas Wall Street Journal.

Letra është shkruar me urdhër të Donald Trump , tha një burim i cituar nga gazeta.

Sipas botimit, qëllimi i Vance është të vlerësojë “nëse Teherani dhe Uashingtoni mund të gjejnë pika të mjaftueshme konvergjence për të bindur” Trumpin “që të mos japë urdhrin” për të nisur një sulm të ri “të shkurtër”, por “intensiv” kundër Iranit “në javët e ardhshme”.

Qëllimi nuk është të arrihet një “marrëveshje paqeje”, por të bihet dakord për një “kornizë për negociata” , sipas gazetës amerikane.

Kjo sipërmarrje diplomatike vjen ndërsa Donald Trump kërcënon me bombardime të reja në shkallë të gjerë ndaj Iranit pas zgjedhjeve të mesmandatit në SHBA në më pak se një javë, të martën e ardhshme, më 3 nëntor.

Një “Tërbim i vogël epik” i ri mund të fillojë së shpejti , tha presidenti republikan javën e kaluar gjatë paraqitjes së tij në fushatë, duke përdorur emrin amerikan për sulmin që SHBA-të kanë kryer së bashku me Izraelin kundër Iranit që nga 28 shkurti.

Gazeta raportoi gjithashtu se Uashingtoni i paralajmëroi shtetet e Gjirit të përgatiteshin për mundësinë e një “fushate të re ushtarake të shkurtër dhe intensive” pas “zgjedhjeve të mesit të mandatit”.

As SHBA-të dhe as Irani nuk kanë kryer ndonjë sulm të madh ndaj objektivave tokësorë që nga fillimi i shtatorit. Konflikti është i kufizuar në det, ku forcat e Uashingtonit vazhdojnë të bllokojnë portet iraniane në Gjirin Persik , ndërsa Teherani kërkon të vendosë kontrollin e Ngushticës së Hormuzit.

Mohsen Rezaei, sekretari aktual i Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare të Iranit, 71 vjeç, ishte kreu i Korpusit të Gardës Revolucionare nga viti 1980 deri në vitin 1990, duke mbetur në atë pozicion më gjatë se çdo oficer tjetër.

Ushqimet e pashëndetshme mund të dëmtojnë trurin pa shkaktuar simptoma

0

Konsumimi i shpeshtë i ushqimeve ultra të përpunuara, si petët e gatshme, pijet e gazuara e ato me sheqer, drithërat e ëmbëlsuara për mëngjes dhe ushqimet e gatshme, mund të lidhet me rrezik më të lartë të dëmtimit të trurit dhe problemeve të kujtesës që në moshën e mesme, ka shkruar The Seattle Times.

Në një studim të kryer në Kanada, ku u analizuan rreth 9 mijë persona të moshës 35 deri në 69 vjeç, studiuesit nga Universiteti McMaster dhe Instituti i Kërkimeve të Shëndetit të Popullsisë zbuluan se personat që konsumonin më shumë ushqime ultra të përpunuara kishin 40 për qind më shumë gjasa të shfaqnin shenja të një dëmtimi të trurit të njohur si sulm i heshtur në tru.

Ky lloj sulmi mund të mos shkaktojë simptoma të dukshme, por mund të lërë dëmtime të përhershme në tru dhe të lidhet me rrezik më të lartë për sulme të ardhshme në tru dhe probleme me kujtesën.

“Gjetjet më befasuan, të them të drejtën”, ka thënë Russell de Souza, profesor i asociuar në Universitetin McMaster dhe studiues në këtë fushë.

Sipas studiuesve, ushqimet ultra të përpunuara përbënin mesatarisht rreth 25 për qind të dietës së pjesëmarrësve, ndërsa te disa persona kjo përqindje arrinte deri në 40 për qind.

Studiuesja Sonia Anand ka theksuar se lidhja mes ushqyerjes dhe shëndetit të trurit mund të vërehet përpara se njerëzit të përjetojnë probleme të dukshme me kujtesën apo të menduarit.

“Gjetjet tona sugjerojnë se ndikimi i ushqyerjes në shëndetin e trurit mund të zbulohet përpara shfaqjes së problemeve të dukshme me kujtesën ose të menduarit”, u shpreh ajo.

Megjithatë, sipas studiuesve nevojiten kërkime të mëtejshme për të kuptuar më mirë këtë lidhje. Studimi tregon një lidhje mes konsumit të lartë të ushqimeve ultra të përpunuara dhe dëmtimit të trurit, por nuk provon se këto ushqime janë shkaku i drejtpërdrejtë i dëmtimit.

Netanyahu akuzon Turqinë dhe Katarin për ndërhyrje në zgjedhje

0

Partia Likud e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu ka ngritur dyshime për financim të mundshëm nga Turqia dhe Katari të organizatave që mobilizuan votuesit arabë në zgjedhjet parlamentare të 27 tetorit. Pretendimet nuk janë mbështetur me prova publike.

Pas këtyre dyshimeve, kryetari i Komisionit Qendror Zgjedhor, Noam Solberg, i kërkoi kreut të agjencisë së sigurisë së brendshme, Shin Bet, David Zini, të hetojë mundësinë e financimit të huaj dhe blerjes së votave, duke kërkuar raport brenda një jave.

Ndërkohë, policia izraelite deklaroi më 29 tetor se nuk ka prova hetimore apo informacione të inteligjencës që mbështesin pretendimet për mashtrim të përhapur zgjedhor. Hetimi për financimin e mundshëm nga jashtë mbetet i ndarë nga këto pretendime.

Akuzat vijnë në një klimë të tensionuar politike, pas rritjes së pjesëmarrjes së votuesve arabë dhe forcimit të përfaqësimit të partive arabe në parlamentin izraelit. Deri më tani, nuk është konfirmuar nëse ka pasur financim të paligjshëm apo ndërhyrje të huaj në procesin zgjedhor.

Adrian Gaxha dhe bashkëshortja e tij tërheqin vëmendjen me paraqitjen elegante

0

Këngëtari i njohur shqiptar, Adrian Gaxha, ka ndarë me ndjekësit në Instagram disa fotografi krah bashkëshortes së tij.

Të veshur me elegancë, të dy kanë tërhequr vëmendjen me paraqitjen e tyre gjatë pjesëmarrjes në një dasmë.

Fotografitë e publikuara në rrjetet sociale kanë marrë reagime nga ndjekësit, të cilët kanë vlerësuar paraqitjen e çiftit.

EShR: Mbi 14 miliardë denarë kredi për bizneset, 44% e mjeteve për prodhimin vendas

0

Mbi 14 miliardë denarë kredi janë miratuar për investime dhe zhvillim të kompanive private në Maqedoninë e Veriut. Me kredi të favorshme, bizneset kanë financuar ndërtimin e objekteve, blerjen e pajisjeve dhe kalimin në burime të ripërtëritshme të energjisë.

Sipas Entit Shtetëror të Revizionit, deri në shkurt të vitit 2026 janë miratuar 767 projekte me vlerë prej rreth 14,3 miliardë denarësh, përmes një linje kreditore prej 250 milionë eurosh.

Pjesa më e madhe e mjeteve, 44%, është orientuar drejt prodhimit vendas, ndërsa 25% janë shfrytëzuar nga sektori i tregtisë dhe 10% nga transporti.

Sa u përket investimeve, 46% e mjeteve janë përdorur për objekte ndërtimore, 39% për pajisje moderne dhe 11% për kalimin në energji të ripërtëritshme.

Kreditë ofrohen me normë fikse interesi prej 1,95%, afat kthimi deri në 15 vjet dhe periudhë grejs deri në tre vjet. Kompanitë duhet të sigurojnë edhe pjesëmarrje vetanake prej të paktën 20% të vlerës së investimit.

Revizioni konstatoi se aktivitetet e Bankës Zhvillimore lidhur me menaxhimin e mjeteve janë në përputhje me kornizën përkatëse ligjore dhe kontraktuale.

SHBA-ja paralajmëron aleatët në rajon të përgatiten për sulme të reja ndaj Iranit

0

Zyrtarët amerikanë u kanë thënë disa vendeve të Lindjes së Mesme dhe aleatëve rajonalë që të përgatiten për mundësinë e rifillimit të veprimeve ushtarake kundër Iranit pas zgjedhjeve të mesmandatit, që do të mbahen javën e ardhshme në SHBA, si dhe për mundësinë që Irani të përpiqet të hakmerret ndaj tyre, sipas dy diplomatëve të informuar për këtë çështje e që kanë folur për Associated Press.

Presidenti amerikan, Donald Trump, nuk ka marrë ende një vendim përfundimtar nëse do të ndërmarrë sulme të reja kundër Iranit, kanë theksuar diplomatët. Megjithatë, presidenti ka deklaruar vazhdimisht se po shqyrton mundësinë e urdhërimit të një aksioni të ri ushtarak pasi të përfundojnë zgjedhjet e rëndësishme të 3 nëntorit në SHBA.

Kërcënimet e tij dhe thirrjet e reja të SHBA-së drejtuar aleatëve për t’u përgatitur për hakmarrjen e mundshme po e vënë rajonin në gatishmëri, pasi rikthimi i operacioneve të mëdha ushtarake mund të jetë tashmë në horizont.

Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, ka deklaruar të mërkurën në një postim në rrjetin X se Teherani zyrtar “vazhdon t’i japë diplomacisë një mundësi për të pasur sukses” dhe po punon me ndërmjetësit për të shqyrtuar propozime që Irani kishte përfshirë në një plan të paraqitur muajin e kaluar. Ky plan është refuzuar menjëherë nga Trumpi, por iranianët ende dëshirojnë që ai të shërbejë si bazë për rikthimin te armëpushimi.

Ndërkohë, ministria e Jashtme e Emirateve të Bashkuara Arabe ka publikuar një deklaratë, duke u bërë thirrje palëve që “të tregojnë maturi dhe të ndjekin zgjidhje politike për të ndihmuar në uljen e tensioneve” dhe për të parandaluar rikthimin e operacioneve ushtarake në shkallë të gjerë në luftën që nisi në fund të shkurtit.

Sipas diplomatëve, SHBA-ja u ka bërë të ditur aleatëve rajonalë se rundi i ri i veprimeve ushtarake mund të zgjasë disa ditë. Megjithatë, zyrtarët e rajonit po përgatiten për mundësinë që Irani dhe grupet e tij të mbështetura prej tij të kundërpërgjigjen, duke shkaktuar një konflikt që mund të zgjasë edhe më shumë.

Zyrtarët amerikanë u kanë kërkuar gjithashtu aleatëve të marrin masa parandaluese, duke pasur parasysh se përgjigjja e Iranit mund të përfshijë sulme hakmarrëse ndaj objekteve energjetike dhe infrastrukturës tjetër jetike.

Ndonëse SHBA-ja nuk ka kryer sulme ndaj Iranit që nga fillimi i shtatorit, situata në Lindjen e Mesme është bërë më e ndërlikuar.

Konflikti është përhapur, ndërsa rebelët Houthi, të mbështetur nga Irani, kanë kryer sulme ndaj infrastrukturës së naftës dhe aeroporteve të Arabisë Saudite. Një koalicion i udhëhequr nga Arabia Saudite është kundërpërgjigjur me sulme vdekjeprurëse ndaj territoreve të Jemenit të kontrolluara nga Houthit.

Gazeta The Wall Street Journal ka raportuar më herët se vendet e Gjirit ishin informuar për mundësinë e një përshkallëzimi të situatës nga ana e SHBA-së.

Nuk është e qartë se sa shpejt pas ditës së zgjedhjeve, ushtria amerikane do të jetë e gatshme të rifillojë sulmet e mundshme.

Sekuestrohen rreth dy tonë mish i pasigurt, do të shkatërrohen në “Drislla”

0

Rreth dy tonë mish i freskët dhe i ngrirë i pasigurt, si dhe produkte të përgatitura nga mishi, janë sekuestruar dje gjatë kontrolleve të jashtëzakonshme inspektuese në objektet e shitjes me pakicë në territorin e Komunës së Radovishit, përcjell TV21. Sipas parlajmërimit të autoriteteve, produktet e sekuestruara sot do të shkatërrohen në deponinë “Drislla”.

Kontrollet janë kryer nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), e cila dje ka inspektuar edhe një person fizik në fshatin Pepelishtë të Negotinës, që ushtronte veprimtari të paautorizuar për prodhimin e produkteve të tymosura të mishit dhe fërgesave, të cilat i shiste përmes rrjeteve sociale.

Nga ky person janë sekuestruar 50 kilogramë produkte mishi, përfshirë mish të tymosur dhe proshutë të tymosur.

Sipas AUV-së, produktet nuk kishin deklaratë për origjinën dhe ishin ruajtur e përpunuar në kushte të papërshtatshme dhe johigjienike, duke paraqitur rrezik serioz për sigurinë ushqimore dhe shëndetin e konsumatorëve.

Agjencia njofton se kontrollet inspektuese do të vazhdojnë, me qëllim mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve dhe parandalimin e prodhimit dhe tregtimit të paligjshëm të ushqimit të pasigurt.