Klekovski zbulon detaje për faturimin e dyfishtë të operacioneve të syve! Kërkon ndërprerjen e kontratës me institucionin shëndetësor

0

Ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, bëri të ditura detajet e aksionit të sotëm në kuadër të hetimit për krim financiar në sektorin shëndetësor. Sipas tij, janë konstatuar shkelje të ndryshme, ndërsa më e përhapura ka të bëjë me faturimin e dyfishtë të shërbimeve shëndetësore. Bëhet fjalë për operacione të syve, shpenzimet e të cilave fillimisht mbuloheshin nga Fondi i Sigurimit Shëndetësor, ndërsa më pas pagesa kërkohej edhe nga vetë pacientët. Klekovski tha se ishte iniciatori i hetimit, pasi institucioni shëndetësor në fjalë kishte përsëritur shkeljet për vite me radhë, pa u ndëshkuar në mënyrë adekuate.


“Bëhet fjalë për një institucion shëndetësor që ka pasur shkelje të përsëritura prej vitesh, pra, nuk ka ndodhur një herë, dy herë apo tri herë. Përkundrazi, ka pasur vazhdimisht përsëritje të shkeljeve të ngjashme, për të cilat nuk është ndëshkuar në mënyrë adekuate. Unë i propozova Komisionit për Kundërvajtje që të pranojë ndërprerjen e kontratës me atë institucion shëndetësor, për ta ndërprerë zinxhirin e pandëshkueshmërisë. Njëkohësisht, kërkova që MPB-ja, së bashku me Sektorin për Kontroll të Fondit të Sigurimit Shëndetësor, i cili punoi intensivisht për t’i përfunduar të gjitha çështjet, të hapë një hetim. U përfshinë edhe të tjerë, përfshirë Inspektoratin Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor, Agjencinë e Barnave dhe institucione të tjera, në mënyrë që hetimi të përmbyllej nga të gjitha aspektet”, tha Klekovski.

Osmani në Paris kërkon mbështetje për integrimin evropian – Thekson rëndësinë e Marrëveshjes së Ohrit për stabilitetin e vendit

0

Nënkryetari i BDI-së, ish-ministri i Jashtëm, Bujar Osmani, gjatë një vizite pune në Paris, ka zhvilluar takime në institucionet franceze, ku në fokus ishin integrimi evropian i Maqedonisë së Veriut dhe stabiliteti në vend. Osmani kërkoi angazhim më të fuqishëm të Francës për zhbllokimin e procesit të integrimit, si dhe mbështetje në raportet me Bullgarinë.

Ai theksoi se vendi nuk duhet të mbetet jashtë proceseve kryesore evropiane. Vëmendje e veçantë iu kushtua edhe Marrëveshjes së Ohrit, për të cilën Osmani shprehu shqetësime lidhur me të drejtat gjuhësore, përfaqësimin e drejtë dhe respektimin e parimeve të saj, duke nënvizuar se zbatimi i saj mbetet thelbësor për stabilitetin dhe të ardhmen e vendit.

Mickoski-Rexhepit: Në qeverisjen tuaj 20-vjeçare, 10 mijë persona u larguan nga Bërvenica, 90% shqiptarë

0

Kryeministri Hristijan Mickoski në seancën për pyetje të deputetëve tha se VMRO-DPMNE-ja asnjëherë nuk ka bërë thirrje për votim etnik në Bërvenicë, përcjell TV21. Mickoski tha se si pasojë e qeverisjes 20 vjeçe të BDI-së dhe koalicionit, rreth 10,000 banorë janë larguar nga kjo komunë, shumica prej të cilëve, sipas tij, janë shqiptarë.

“Dhe në fund përfundojmë në Çellopek, sepse atje po ndërtojmë një kopsht dhe një sallë sportive me paratë e kësaj Qeverie. Për 20 vjet, ju keni realizuar zero projekte për Bërvenicën, dhe rezultati i atyre zero projekteve, zoti Rexhepi, është 10 mijë njerëz që kanë ikur, 90% prej tyre shqiptarë. Dhe tani shëtitni nëpër Evropë e botë, u përkuleni dhe u thoni: “Kthehuni në Bërvenicë për të votuar”, sepse nuk doni që kaurët të fitojnë dhe ta kenë kryetarin e tyre në Bërvenicë. Të njëjtët njerëz që ikën nga sundimi juaj 20-vjeçar në qeveri. Ju i përzutë ata të rinj. Në vend që të takohemi sot në Tenovë, në Gurguricë, në Radiovcë, në Çellopek, ata u larguan për shkakun tuaj. Kur isha në Tenovë, vura re dy objekte adhurimi, një xhami dhe një kishë, që qëndronin pranë. Dhe do të shihni se si besimtarët, si myslimanët ashtu edhe ortodoksët, ia shtrëngojnë duart njëri-tjetrit para se të hyjnë brenda. Po, ata përqafohen dhe ia shtrëngojnë duart njëri-tjetrit, sepse janë fqinj. Cili ishte mesazhi im? Kur përfundoi raundi i parë i zgjedhjeve lokale, këto të parat që, fatkeqësisht, u nxitën nga një ngjarje tragjike, dhe le të prehet në paqe shpirti i kryetarit të ndjerë, Jovica Ilievski, njerëz nga koalicioni juaj dolën dhe bënë thirrje për votim etnik. Nuk doli askush nga ky koalicion, as nga VMRO-ja, për të thënë: “Votoni sipas etnisë””, tha Mickoski.

Mucunski: Dialogu me Bullgarinë vazhdon! Sllovakia kundër standardeve të dyfishta në procesin e integrimit në BE

0

Dialogu me Bullgarinë vazhdon, paralelisht me komunikimin me institucionet evropiane dhe vendet anëtare të BE-së, siguron Ministri i Punëve të Jashtme, Timço Mucunski. Ai bëri të ditur se çdo zgjidhje e mundshme me Bullgarinë duhet të jetë e qëndrueshme dhe në përputhje me qëndrimet e vendit, por edhe të sigurohet konsensus nga të gjitha vendeve anëtare të Bashkimit Evropian.

“Dialog ka. Dialogun do të vazhdojmë ta zhvillojmë. Ky është një dialog dypalësh me Bullgarinë, por përfshin edhe komunikimin tonë aktiv me përfaqësuesit e institucioneve evropiane dhe me përfaqësuesit e vendeve anëtare. (NGJITJE) Siç e dini, për të gjitha vendimet që lidhen me integrimin tonë evropian, nevojitet konsensusi. Kjo do të thotë se, çfarëdo zgjidhjeje që synojmë të arrijmë me Bullgarinë, e cila hipotetikisht do të ishte në përputhje me qëndrimet tona dhe do të përbënte një zgjidhje të qëndrueshme, duhet të ketë konsensusin e të gjitha vendeve anëtare”, tha Mucunski.

Ministri i Jashtëm i Sllovakisë, Juraj Blanar, theksoi mbështetjen e vendit të tij për integrimin evropian të Maqedonisë së Veriut. Ai tha se Sllovakia e mbështet këtë proces që nga Samiti i Selanikut dhe kundërshton zbatimin e standardeve të dyfishta në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

“Dua të theksoj edhe para mediave se Republika e Sllovakisë është kundër çdo lloj standardi të dyfishtë në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian për shtete si Ukraina, Moldavia apo Gjeorgjia. Ne nuk mund të pranojmë që procesi i integrimit në BE, i cili bazohet në standardet evropiane, të ketë kritere të ndryshme për shtete të ndryshme”, tha Blanar.

Ministri i Punëve të Jashtme Mucunski, deklaroi se Maqedonia është e gatshme të pranojë çdo ndihmë dhe mbështetje nga partnerët ndërkombëtarë që mund të kontribuojë në arritjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme me Bullgarinë. Duke komentuar ofertën e Francës për të ndihmuar në lehtësimin e dialogut mes Shkupit dhe Sofjes, Mucunski theksoi se qëllimi nuk është një zgjidhje e përkohshme, por një marrëveshje afatgjatë që do të shmangë rikthimin e vendit në situatën aktuale. Ai nënvizoi se dialogu është i domosdoshëm për të arritur një zgjidhje, pavarësisht nëse procesi kërkon afat të shkurtër, të mesëm apo të gjatë.

BE-ja investon 4 milionë euro për harmonizimin e ligjeve me standardet evropiane

0

Maqedonia e Veriut po ndërmerr hapa drejt harmonizimit të legjislacionit për cilësinë e ajrit me standardet e Bashkimit Evropian. Projekti “SMILE”, i financuar me rreth katër milionë euro përmes Instrumentit të Paraanëtarësimit të BE-së (IPA), ka për qëllim përgatitjen e bazës ligjore dhe dokumenteve strategjike për luftimin e ndotjes së ajrit. Ministri i Mjedisit Jetësor, Muhamed Hoxha, bëri të ditur se projekti ka përfshirë përgatitjen e ligjit për ajrin, tetë akteve të tjera nënligjore, si dhe të programit dhe planit kombëtar për ndotjen.


“Me rastin e përfundimit e projektit “Smile” për ajrin i cili ka të bëjë me përgatitjen e pjesës së legjislaturës përkatësisht përgatitjes së ligjit për ajrin dhe njëkohësisht 8 akteve tjera nënligjore si dhe programit dhe planit nacional për ndotjen që nënkupton disa plane afatgjate të cilat në të ardhmen do të mund të zbatohen në RMV”, tha Hoxha.

“Përpjekja është që legjislacioni i Maqedonisë së Veriut të harmonizohet me standardet ekzistuese të Bashkimit Evropian. Ky projekt është financuar me rreth katër milionë euro përmes IPA-s, Instrumentit të Paraanëtarësimit. Tashmë, ai ka hedhur themelet për procesin legjislativ, i cili duhet të kalojë në Parlament, përkatësisht në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut. Natyrisht, kjo kërkon një koordinim të lartë ndërmjet ministrive, veçanërisht Ministrisë së Bujqësisë, Ministrisë së Transportit dhe Ministrisë së Mjedisit, në mënyrë që të harmonizohen të gjithë elementët e nevojshëm për përmirësimin e cilësisë së ajrit në të gjithë vendin. Ky është një investim shumë i rëndësishëm për shëndetin e qytetarëve”, tha Rokas.

Putini: Elon Musk është gjeni

0

Elon Musk është “gjeni i vërtetë”, ka thënë presidenti rus Vladimir Putin të mërkurën teksa ka shpalosur se të dy janë në kontakt “të afërt” për teknologjinë e satelitëve.

Deklarimi u bë gjatë samitit Rusi-Afrikë në Moskë, në të cilin Putini foli për projektin rus të internetit nga satelitët “Rassvet”. Ky projekt synon të ofrojë lidhje interneti nga satelitët për njerëzit.

“Ai është gjeni, gjeni i vërtetë”, ka thënë Putin për Muskun. “Jemi në kontakt të afërt me partnerët tanë amerikanë, përfshirë zotëri Muskun”.

“Starling” është pjesë e kompanisë “SpaceX” të Muskut. Kompania s’i ka komentuar deklaratat e Putinit.

Putini ka shtuar se për Rusinë është e rëndësishme të jetë në kontakt me Muskun ashtu që satelitët “Rassvet” dhe “Starlink” të mos “pengojnë njëra-tjetrën në orbitë”

“Ne dhe partnerët tanë amerikanë e vlerësojmë këtë reciprokisht, dhe pavarësisht të gjitha dilemave politike, po punojmë shumë”, ka thënë ai.

“Starlink” i ka lëshuar rreth 13 mijë satelitë. Për dallim, janë vetëm disa satelitë “Rassvet” në orbitë.

Ambasada Ruse në Afrikën e Jugut ka thënë të mërkurën se “Rassveti” është “alternativë ruse e Starlinkut” dhe “shënon vetëm hapin e parë të shtetit në këtë fushë”.

“Rusia ruan kontaktet e afërta me SHBA-në në hapësirë, përfshirë me Elon Muskun”, ka shkruar Ambasada.

Komentet e Putinit për “Rassvetin” dhe “Starlinkun” u bënë në një kohë kur raportet SHBA-Rusi po shihen më të afërta, edhe pse po afrohet pesëvjetori qëkur Putini nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës.

“Të mos jetë si unë!”, aktorja e njohur turke në muajin e gjashtë të shtatzënisë, zbulon dëshirën e veçantë për vajzën e saj

0

Aktorja e njohur turke, Alina Boz, e cila është në muajin e gjashtë të shtatzënisë, ka ndarë disa detaje nga kjo periudhë e veçantë e jetës së saj, duke zbuluar edhe dëshirat që ka për vajzën që pritet të vijë në jetë.

Aktorja, e cila është e martuar me Umut Evirgen, tregoi se shtatzënia po i kalon mjaft lehtë dhe se gjatë kësaj kohe po shfrytëzon mundësinë për të shijuar aktivitete të ndryshme, si shkuarja në kinema e teatër, si dhe shikimi i dokumentarëve.

E pyetur se cilat tipare do të dëshironte që vajza e saj të trashëgonte nga babai, Alina u shpreh se do të dëshironte që ajo të kishte përkushtimin në punë dhe aftësinë për të marrë vendime të shpejta e të sakta.

Ndërkohë, edhe bashkëshorti i saj, Umut Evirgen, nuk i kurseu komplimentet për aktoren. Ai u shpreh me humor se dëshiron që vajza t’i ngjajë sa më shumë nënës së saj, duke shtuar: “Le t’i ngjajë 100 për qind nënës së saj. Bukurinë ta marrë prej saj… Të mos jetë e errët si unë!”

Deklarata e tij u prit si një kompliment për Alinën, ndërsa çifti duket se po e pret me padurim ardhjen në jetë të vajzës së tyre të parë.

Afrim Gashi optimist për zhvillimet në Serbi dhe protestat në Shqipëri: Kërkesat e studentëve duhet të merren parasysh

0

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, ka shprehur optimizëm për zhvillimet politike në Serbi pas fitores së Listës Studentore, si dhe për protestat në Tiranë, përcjell TV21. Ai vlerësoi se pakënaqësia e qytetarëve duhet të shihet si mesazh për ndryshime, ndërsa institucionet dhe qytetarët duhet të kërkojnë zgjidhje përmes dialogut. Gashi tha se pret që ndryshimet në Serbi të ndikojnë edhe në politikat e qeverisë së mëparshme, duke theksuar se kjo do të ishte në interes të vendit dhe të rajonit.

“Jam optimist dhe pres përgjigje pozitive, apo ndryshim të politikave që i ka pasur qeveria e mëhershme. Nëse ky ndryshim sjell deri te ndryshimi i politikave, jam i bindur se kjo do të jetë mirë edhe për Serbinë, edhe për rajonin”, deklaroi Gashi.

Për protestat në Shqipëri, kryeparlamentari vlerësoi se institucionet dhe qytetarët duhet të ulen në tryezë dhe të gjejnë një zgjidhje përmes dialogut. Sipas tij, kërkesat e studentëve duhet të merren parasysh dhe të shqyrtohen me sinqeritet, nëse synojnë përmirësimin e gjendjes.

“Shfaqjen e pakënaqësisë duhet ta shohim si një mesazh nga qytetarët dhe të përgatitemi për ndryshime. Gjithmonë, kërkesa e studentëve duhet të merret parasysh”, theksoi Gashi.

Ai shtoi se nuk dëshiron të ndërhyjë në punët e brendshme të asnjë shteti, por nënvizoi se kërkesat që synojnë ndryshime për të mirë duhet të trajtohen seriozisht.

“Le të fitojë më i miri”, thotë Afrim Gashi për zgjedhjet në Bërvenicë

0

Kreu i Kuvendit, Afrim Gashi ka komentuar zgjedhjet që do të mbahen ditën e diel në Bërvenicë, përcjell TV21. Gashi thotë se në zgjedhje lokale, qytetarët duhet të zgjedhin kandidatin që mendojnë se do ua zgjidh problemet lokale. Kujtojmë se në Bërvenicë në raundin e dytë do të zgjedhjeve lokale do të përballen Stojanço Radiçevski nga koalicioni “Maqedonia Jote”, i udhëhequr nga VMRO-DPMNE-ja dhe Arkin Jahiji nga koalicioni AKI.

“Unë uroj që ne t’i tejkalojmë këto provincializma dhe të ndahemi etnikisht, sidomos kur bëhet fjalë për zgjedhjet lokale. Megjithatë, për fat të keq, ende jemi në një fazë ku te partitë politike dhe në zgjedhje, prioritet është apo shpesh mbisundon elementi etnik, pra se për kë duhet të votohet. Mendoj se sidomos kur bëhet fjalë për zgjedhjet lokale, kur qytetarët kanë nevojë të zgjidhin probleme esenciale si ujësjellësi, kanalizimi dhe asfaltimi i rrugëve, duhet të fokusohen te zgjidhja më e mirë, te programi më i mirë dhe te kandidati më i mirë. Kjo është ajo që ka rëndësi në parim. Mendoj se duhet të ngrihet kultura politike, por fatkeqësisht ende konstatoj se nuk jemi në atë nivel. Prandaj, uroj që edhe në këto zgjedhje, sikurse në të gjitha zgjedhjet, të fitojë më i miri dhe ai që u shërben të gjithë qytetarëve, pa dallim të përkatësisë partiake, etnike, religjioze etj”, tha Gashi.

FSK-ja furnizohet me kamionë nga Gjermania

0

Forca e Sigurisë së Kosovës është furnizuar me 12 kamionë të tipit “Mercedes Unimog 5T” nga Gjermania. Bëhet fjalë për kamionë të blerë nga Kosova.

Kamionë të tillë përdoreshin nga trupat gjermane gjatë misionit të KFOR-it. Janë të përdorshëm për të gjitha llojet e terreneve.

Modeli Unimog janë qe 80 vjet në treg. Ato shërbejnë për forca ushtarake në shumë vende.

Kapaciteti i bartjes së tyre është deri në 5 tonë ngarkesë. Shfrytëzohen kryesisht për transport të ushtarëve dhe pajisjeve ushtarake apo municioneve dhe pajisjeve mjekësore. 

Këta kamionë kanë ardhur në Kosovë të enjten. Edhe në prill 2024, Kosova pati pranuar pesë kamionë ushtarakë në vlerë rreth tre milionë euro si mbështetje nga Gjermania.