Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, ka shprehur optimizëm për zhvillimet politike në Serbi pas fitores së Listës Studentore, si dhe për protestat në Tiranë, përcjell TV21. Ai vlerësoi se pakënaqësia e qytetarëve duhet të shihet si mesazh për ndryshime, ndërsa institucionet dhe qytetarët duhet të kërkojnë zgjidhje përmes dialogut. Gashi tha se pret që ndryshimet në Serbi të ndikojnë edhe në politikat e qeverisë së mëparshme, duke theksuar se kjo do të ishte në interes të vendit dhe të rajonit.
“Jam optimist dhe pres përgjigje pozitive, apo ndryshim të politikave që i ka pasur qeveria e mëhershme. Nëse ky ndryshim sjell deri te ndryshimi i politikave, jam i bindur se kjo do të jetë mirë edhe për Serbinë, edhe për rajonin”, deklaroi Gashi.
Për protestat në Shqipëri, kryeparlamentari vlerësoi se institucionet dhe qytetarët duhet të ulen në tryezë dhe të gjejnë një zgjidhje përmes dialogut. Sipas tij, kërkesat e studentëve duhet të merren parasysh dhe të shqyrtohen me sinqeritet, nëse synojnë përmirësimin e gjendjes.
“Shfaqjen e pakënaqësisë duhet ta shohim si një mesazh nga qytetarët dhe të përgatitemi për ndryshime. Gjithmonë, kërkesa e studentëve duhet të merret parasysh”, theksoi Gashi.
Ai shtoi se nuk dëshiron të ndërhyjë në punët e brendshme të asnjë shteti, por nënvizoi se kërkesat që synojnë ndryshime për të mirë duhet të trajtohen seriozisht.
