Në Greqi sekuestrohen armë të destinuara për ISIS-in

0

Ndalohet sërish një anije me ngarkesë me armë për Shtetin Islamik. Ngjarja ka ndodhur në Greqi, ku autoritetet kanë sekuestruar një ngarkesë me armë, të cilat ishin të vendosura në anijen “Haddad1” me flamur bolivian. Sipas zyrtarëve grekë, anija kishte si destinacion Libinë.
Ngarkesa ishte e përbërë nga mijëra armë automatike kallashnikovë, mitraloz të rëndë dhe të lehtë, armë kundërajrore dhe lëshues antitank, qindra-mijëra fishekë dhe sasi ende e paspecifikuar lënde shpërthyese.

Zyrtarët grekë kanë deklaruar se anija ishte nisur nga Ukraina, dhe pas qëndrimit disa ditor në portin turk të Alkesandretës, kishte ngritur spirancën me destinacion Libinë.

Në Libi, ngarkesa me armë do të dorëzohej në magazinat e grupeve terroriste që i janë bashkangjitur ISIS-it në zonë. Burime prej policisë greke thanë se informacioni për transportin e armëve ishte dhënë nga shërbimet sekrete të vendeve aleate.

Fillimisht, anija u gjet disa milje në det larg ishullit të Kretës dhe pas verifikimeve u dërgua në portin e Iraklios. Ndërkohë, 7 marinarët janë arrestuar e po merren në pyetje. Kjo është ngarkesa e dytë me armë të destinuara për Shtetin Islamik, që ndalohet brenda një viti në zonën e Kretës.

Më shumë se 2 mijë refugjatë arrijnë në Preshevë

0

Në Preshevë gjatë natës dhe gjatë mëngjesit të sotshëm, kanë arritur më shumë se 2 mijë njerëz, gra dhe fëmijë nga Siria, Iraku, Afganistani dhe shtetet tjera. Ndihma humanitare po u ofron Kryqi i Kuq.

“Që nga mbrëmë rritje drastike të refugjatëve”, i ka thënë Tanjugut Ahmet Halimi nga Kryqi i Kuq.

Ai ka thënë se edhe në qendrën e pranimit për refugjatë janë pranuar rreth një mijë dhe po presin një numër edhe më të madh.

Halimi ka thënë se Kryqi i Kuq momentalisht ka ushqim të mjaftueshëm dhe mjete higjienike, por qumështi për fëmijë është duke u harxhuar.

Sivjet në konvikte do të pranohen 3600 studentë të rinj

0

Edhe këtë vit Qendra e Studentëve do të pranojë studentët e rinj për të banuar dhe ushqyer në konviktet dhe mensën e studentëve në Prishtinë.

Siç njoftohet nga Qendra e Studentëve konkursi hapet që nga nesër dhe vazhdon deri më 11 shtator.

Në njoftimin e Qendrës bëhet e ditur se gjatë këtij viti do të pranohen afër 3600 studentë, për të cilët ofron strehim, ushqim si dhe hapësirat për lexim,studim, sport dhe aktivitete tjera të ndryshme.

“ Duke qenë se Kosova tashmë ka një numër të madh të studentëve dhe kapacitetet e Qendrës së Studentëve nuk janë të mjaftueshme për t’i mbuluar të gjitha kërkesat, janë vendosur kriteret për pranim, kriter themelor për të aplikuar është që kandidati të jetë student i rregullt në UP, nota mesatare e studentëve, largësia nga kryeqyteti,etj”, thuhet në komunikatë.

Siç theksohet përparësi pranimi do të kenë studentët që vijnë nga kategoritë e ndryshme të luftës dhe me gjendje të rëndë sociale.

Çmimi do të jetë 35 euro për muaj ( 20 euro banimi, 15 euro ushqimi).

Zjarri përfshin një ndërtesë në Paris, 8 të vdekur

0

Tetë persona, përfshirë dy fëmijë, kanë humbur jetën dhe katër të tjerë u plagosën pasi zjarri përfshiu një ndërtesë në Paris të mërkurën, ka konfirmuar ministria e Brendshme franceze.
Prokurorët në Paris kanë nisur një hetim penal për të përcaktuar shkakun e rënies së zjarrit.
Sipas zëdhënësit të ministrisë së Brendshme, Pierre-Henri Brandet, zjarri përfshiu herët në mëngjes katin e parë të një ndërtese para se të përhapet në ambientet e tjera të saj.

Për të bërë të mundur izolimin dhe shuarjen e zjarrit u angazhuan 100 zjarrfikës, ku për rreth tre punuan për të vënë në kontroll flakët.

Kryetarja e Bashkisë së Parisit, Anne Hidalgo, e cila së bashku ministrin e Brendshëm francez, Bernard Cazeneuve, ishte në vendin e ngjarjes, u shpreh se zjarri ishte “një nga më të fuqishmit dhe të rëndit në kryeqytet gjatë 10 viteve të fundit”.

Ndërsa ministri i Brendshëm i Francës, Cazeneuve ka bërë të ditur se të plagosurit ndodhen në gjendje kritike për jetën.

Në Kosovë bie numri i nxënësve që nisin shkollimin fillor

0

Numri i fëmijëve që regjistrojnë klasën e parë, nga viti në vit po shënon rënie. Krahasuar me vitin shkollor 2005/06 kur numri i nxënësve që regjistruan klasën e parë ishte 32 mijë, në vitin 2015/16 numri i të regjistruarve bie në 28 mijë.

Edhe në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, pranojnë se ka rënie të theksuar të nxënësve që nisin shkollimin fillor. Arsye për këtë, thonë se është rënia e natalitetit dhe migrimi i familjeve nga Kosova.

Nga viti 2005 deri në vitin 2010 numri i nxënësve që regjistruan klasën e parë shkonte në 30 mijë. E në vitin shkollor 2011/12 ra në 29 mijë, ku vazhdoi përsëri me rënie në vitin 2012/13, në 28 mijë.
Vitin e kaluar, 28 mijë e 202 nxënës e regjistruan klasën e parë. Ndryshon për 4 mijë më pak krahasuar me 10 vjet më parë.

Këshilltari i ministrit të arsimit, Azem Guri, duke u thirrur në statistikat e sistemit të menaxhimit të informatave në arsim, thotë se po vërehet një rënie e theksuar e nxënësve që për herë të parë i bashkohen shkollës.

Arsyeja për këtë, sipas Gurit, është tashmë e ditur. Rënia e natalitetit dhe shpërngulja e kosovarëve nga vendi, janë përgjigje për numrin e nxënësve fillestarë nëpër shkolla, që po shënon ulje, thotë ai.
Ndërsa nxënësit që këtë vit e regjistruan klasën e dhjetë janë rreth 32 mijë.

Numri i përgjithshëm në sistemin e arsimit parauniversitar është mbi 390 mijë nxënës. Prej tyre, 28 mijë janë në klasat e para e 32 mijë në klasat e dhjeta.

Përndryshe kushtet bazë për regjistrim përcaktohen nga Ministria e Arsimit, e Shkencës dhe e Teknologjisë (MAShT). Gjithashtu, edhe numri i nxënësve nëpër klasa është i rregulluar me udhëzim administrativ nga MAShT. Për shkolla të mesme më së shumti lejohet të jenë deri në 32 nxënës në klasë.

Aktualisht, Kosova është në reformimin e sistemit të arsimit, në çështjen e implementimit të kurrikulës së re e cila është bazuar në kompetenca, e që po pilotohet në 92 shkolla të Kosovës. MA ShT synon që dy vjet më vonë kjo kurrikulë të shtrihet në tërë territorin e Kosovës.

Ndahen mjetet për laboratorin mobil të naftës dhe benzinës

0

Qeveria e Kosovës ka ndarë mjete për blerjen e laboratorit mobil për analiza të naftës dhe benzinës, për t’u siguruar që derivatet i plotësojnë standardet e cilësisë.

Kështu ka shkruar në rrjetin social ministri i financave Avdullah Hoti. Ai ka shtuar se sot janë ndarë mjete për shkollën fillore në Kaçanik dhe për Konviktin e Studentëve në Prishtinë për sanimin e dëmeve të shkaktuara nga moti i keq.

Shkurte Gashi: I rraha 6 djemë t'mahallës (Video)

0

Shkurte Gashi në emisionin ’21 Gradë’ të RTV 21 ,ndër të tjerash rrëfeu për fëmijërinë e saj .Ajo tregoi se si ka qenë një fëmijë i ledhatuar nga prindërit por që tani ajo ka ndryshuar është bërë më e ndijshme .

Shkurta tregoi se kur kishte qenë fëmijë i kishte rrahur gjashtë vllazni (djemtë e mahallës) pasi ja kishin rrahur vllaun e tij .Gjithçka rreth jetë saj mund të ndiqni në videon më poshtë ./21 MEDIA/

Mustafa:Aplikimi i pakos së re fiskale do të sjellë përfitime për qytetarët (Video)

0

Aplikimi i pakos së re fiskale do të sjellë përfitime për qytetarët me të ardhura të vogla dhe mesatare.

Kështu tha kryeministri i Kosovës Isa Mustafa në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës.

Mustafa shtoi se me këtë pako do të ruhet standardi i qytetarëve me të ardhura të vogla dhe të mesme.

Në mbledhjen e ekzekutivit kabineti qeveritar ka miratuar edhe projektligjin për shërbimin e jashtëm të Kosovës.

Ekzekutivi ka miratuar edhe një serë propozim vendime tjera.

 

 

Arrestohen për trafikim me njerëz dhe prostitucion

0

Policia në Mitrovicë mbrëmë vonë ka arrestuar një femër dhe një mashkull si të dyshuar për trafikim me njerëz.

Policia njofton se pas një hetimi të zhvilluar janë arrestuar dy persona të dyshuar, nën dyshimin se të njëjtit kanë kryer veprat penale: ‘trafikim me njerëz’, ‘shërbime seksuale të viktimës së trafikimit’ dhe ‘armëmbajtje pa leje’.

Gjatë bastisjes janë gjetur dhe konfiskuar tri revole dhe njëzet e katër fishekë të kalibrit të ndryshëm (24).

Të dyshuarit me urdhër të prokurorit janë dërguar në mbajtje.

Publikohet “That’s how you know” me Bebe Rexhën (VIDEO)

0

Tashmë është lansuar edhe klipi i këngës së punuar nga Rexha.
Pas bashkëpunimit tejet të suksesshëm “Hey Mama” me David Guetta, Nicki Minaj dhe Afrojack, kantautorja me prejardhje nga Dibra, e ka realizuar këngën e radhës sërish në bashkëpunim. “That’s how you know”, titullohet kënga më e re, e cila është në bashkëpunim me Kid Ink dhe këngëtarët Nico & Vinz”.

Tashmë është lansuar edhe klipi i këngës së punuar nga Rexha.
Kid Ink dhe Nico &Vinz njihen si krijuesit e hitit “Am I Wrong” që u publikua në vitin 2014 dhe arriti të dëgjohet në mbarë botën. Ndryshe, këngëtarja shqiptare ka bërë të ditur se më nuk do të shkruajë këngë për të tjerët, por vetëm për vete. Ju kujtojmë se ajo e kishte shkruar hitin e Rihannas dhe reperit Eminem “The Monster”, si dhe këtë të fundit “Hey Mama” me Guettan dhe Minajn.