Në Greqi sekuestrohen armë të destinuara për ISIS-in

TË FUNDIT

Ndalohet sërish një anije me ngarkesë me armë për Shtetin Islamik. Ngjarja ka ndodhur në Greqi, ku autoritetet kanë sekuestruar një ngarkesë me armë, të cilat ishin të vendosura në anijen “Haddad1” me flamur bolivian. Sipas zyrtarëve grekë, anija kishte si destinacion Libinë.
Ngarkesa ishte e përbërë nga mijëra armë automatike kallashnikovë, mitraloz të rëndë dhe të lehtë, armë kundërajrore dhe lëshues antitank, qindra-mijëra fishekë dhe sasi ende e paspecifikuar lënde shpërthyese.

Zyrtarët grekë kanë deklaruar se anija ishte nisur nga Ukraina, dhe pas qëndrimit disa ditor në portin turk të Alkesandretës, kishte ngritur spirancën me destinacion Libinë.

Në Libi, ngarkesa me armë do të dorëzohej në magazinat e grupeve terroriste që i janë bashkangjitur ISIS-it në zonë. Burime prej policisë greke thanë se informacioni për transportin e armëve ishte dhënë nga shërbimet sekrete të vendeve aleate.

Fillimisht, anija u gjet disa milje në det larg ishullit të Kretës dhe pas verifikimeve u dërgua në portin e Iraklios. Ndërkohë, 7 marinarët janë arrestuar e po merren në pyetje. Kjo është ngarkesa e dytë me armë të destinuara për Shtetin Islamik, që ndalohet brenda një viti në zonën e Kretës.