​Gjakovë:Ndërtohen 12 shtëpi për të kthyerit

0

Komuna e Gjakovës në bashkëpunim me Komisionin Evropian dhe në implementim të UNHCR, do të fillojë ndërtimin e 12 shtëpive për familjet refugjate të minoriteteve rom, ashkali dhe egjiptian që kanë qëndruar në Malin e Zi dhe tani do të kthehen në Gjakovë. Komuna ka ndarë truallin për 48 shtëpi, ndërsa në fazën e parë ndërtohen 12 shtëpi.

Kryetarja e Komunës Mimoza Kusari-Lila dhe përfaqësuesi i UNHCR-së Arben Hajdini kanë nënshkruar marrëveshjen e bashkëpunimit në realizimin e këtij projekti bashkë me familjet kthyese. Familjet të cilat sot kanë nënshkruar kontratën për të drejtën e banimit dhe të shfrytëzimit të objekteve të banimit të cilat do të ndërtohen në lagjen “Kolonia”.

Komuna e Gjakovës është ndër komunat e para të vendit që me sukses po e realizon procesin e kthimit të familjeve të zhvendosura, si kusht për integrimin e Kosovës në BE.

Ndërtimi i shtëpive do të filloj nga dita e nesërme, bën të ditur shërbimi komunal për informim.

​Hapet ekspozita për 25-vjetorin e SHHBK “Nëna Terezë”

0

Shoqata Humanitare Bamirëse “Nëna Terezë” shënoi sonte fillimin e manifestimeve për 25-vjetorin e ekzistimit të vet me një ekspozitë në Katedralen e Kosovës në Prishtinë, të titulluar “SHHBK Nëna Terezë 25 vite në shërbim të popullatës”.

Kryetari i Shoqatës, Zef Shala në hapje të ekspozitës tha se ajo përfshin fotografi të grumbulluara nga aktivitetet e kësaj shoqate këtij çerek shekulli të shërbimit për qytetarët.

Shala gjithashtu foli për historikun e themelimit të shoqatës.

Ipeshkvi i Kosovës, imzot Dode Gjergji, uroi që kjo ekspozitë dhe kjo vepër bamirësie të rifreskojë kujtesën e të rinjve dhe t’i bëjë ata qe te mendojne sa me shume ne drejtim te bamirësisë.

Ekspozita përmban rreth 150 fotografi të aktiviteteve te shoqatës në 25 vitet e kaluara, ndërsa manifestimet për shënimin e jubileut të SHHBK-së vazhdojnë edhe në ditët në vijim.

LDK: Mustafa fiton mbështetje për marrëveshjet e Brukselit

0

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe kryeministër i vendit Isa Mustafa i ka njoftuar sot, në takimin e radhës, anëtarët e Kryesisë së partisë së vet për “punën dhe angazhimet e Qeverisë së Kosovës dhe progresin që po arrihet në shumë fusha”, si dhe për marrëveshjet e fundit me Beogradin.

Sipas komunikatës së shërbimit partiak për informim, Mustafa “e njoftoi Kryesinë e LDK-së për marrëveshjet e nënshkruara më 25 gusht 2015 në Bruksel, në kuadër të procesit të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë, proces i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe i përkrahur fuqishëm nga partnerët kryesor strategjik të Kosovës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

“Kryetari Mustafa theksoi se këto marrëveshje janë në përputhje të plotë me ligjet dhe me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe se ato do të fuqizojnë sovranitetin dhe subjektivitetin ndërkombëtar të shtetit të Kosovës.

Duke iu referuar faktit se këto marrëveshje janë mbështetur fuqishëm nga partnerët strategjik të shtetit të Kosovës, SHBA-të dhe Bashkimi Evropian, kryetari Mustafa theksoi se tashmë për Kosovën është hapur një fazë e re në rrugà «n e integrimeve euroatlantike si dhe në organizatat ndërkombëtare, përfshirë edhe Kombet e Bashkuara.

Kryesia e LDK-së e mbështeti plotësisht punën dhe rezultatet e Qeverisë së Kosovës të udhëhequr nga kryetari Mustafa, përfshirë edhe vendimet e marra nga Qeveria e Republikës së Kosovës në kuadër të dialogut në Bruksel, duke i konsideruar hapa të rëndësishëm në forcimin e gjithanshëm të shtetësisë, sovranitetit dhe rrugës integruese euro atlantike të Kosovës”, thuhet në komunikatën e LDK-së

Prishtina e gatshme për Sivasporin (Video)

0

Klubi më i madh i futbollit në vendin tonë, Prishtina sot do të niset për në Turqi, ku të premten pasdite do të luajë miqësoren kundër Sivasporit. Për më shumë detaje ndjekim raportin nga konferenca për media e organizuar në stadiumin e kryeqytetit./21Media

Vdiq Akademik Pajazit Nushi

0

Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës njofton opinionin se sot, në orët e
pasdites, në shtëpinë e tij, u nda nga jeta një nga figurat më të spikatura në fushën e
shkencës, të arsimit dhe të kulturës shqiptare, doktori i parë i shkencave psikologjike në
Kosovë, anëtari i rregullt i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës dhe
nënkryetari i saj, akademik Pajazit Nushi. Është kjo një humbje e madhe për familjen,
Akademinë dhe shkencën, për kulturën shqiptare, për kolegët dhe miqtë nga Kosova dhe
bota shqiptare.
Akademik Pajazit Nushi lindi në Gjakovë në vitin 1933, ku kreu shkollën fillore
dhe të mesme. U diplomua në Degën e Psikologjisë të Fakultetit Filozofik të Universitetit
të Beogradit në vitin 1955, ndërsa doktoroi në Universitetin e Prishtinës nga fusha e
shkencave psikologjike. Punoi profesor i psikologjisë në Shkollën Normale të Prishtinës,
në Shkollën e Lartë Pedagogjike të Prishtinës dhe në Fakultetin Filozofik të Universitetit
të Prishtinës. Krahas mësimdhënies ushtroi dhe funksione administrative-profesionale:
drejtor i Entit Krahinor për Përparimin e Arsimit dhe të Edukimit, ndihmës i kryetarit të
Këshillit Federativ për Arsim e Kulturë të ish-Jugosllavisë; nënkryetar i Këshillit
Ekzekutiv të Kosovës, redaktor i Enciklopedisë së Jugosllavisë (redaksia për Kosovën),
kryetar i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut etj. Ishte dhe rektor i
Kolegjit Universitar “Iliria”. Në vitin 2000 u zgjodh anëtar korrespondent i Akademisë së
Shkencave dhe Arteve të Kosovës, ndërsa në vitin 2008 anëtar i rregullt; në dy mandate
ishte sekretar i Seksionit të Shkencave Shoqërore dhe nënkryetar i Akademisë, në të cilën
detyrë e gjeti dhe vdekja. E drejtoi revistën “Studime Shoqërore” të ASHAK-ut. Botoi
shumë vepra, studime dhe trajtesa nga disa fusha të shkencave psikologjike. Sapo e botoi
në Akademi veprën kapitale “Leksikoni i psikologjisë” në dy vëllime. Në shkencat
psikologjike u bë emër i njohur dhe përtej Kosovës. Për punën e tij shkencore dhe
angazhimin shoqëror dhe kombëtar mori shumë mirënjohje dhe dekorata.
Me këtë rast, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës i shpreh ngushëllimet
më të sinqerta familjes Nushi, kolegëve, miqve dhe dashamirëve të tij gjithandej Kosovës
dhe mbarë botës shqiptare.
Mbledhja komemorative do të mbahet të enjten, më 03.09.2015, në orën 10:00, në
mjediset e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, ndërsa homazhet nga ora
10:30 deri ora 12:00, po ashtu në mjediset e Akademisë.
Akademia përkujtimore dhe homazhet do të bëhen në Pallatin e Kulturës “Asim
Vokshi” në Gjakovë nga ora 14:00.
Varrimi do të bëhet në varrezat e qytetit të Gjakovës më 03.09.2015, në orën 17:00.

Politikanët tërheqin vërejtjen, Evropa po rrezikon të humbë dinjitetin

0

Bashkimi Evropian po dëshmohet si i papërgatitur dhe tejet i turpshëm në mënyrën se si po tenton të zgjidhë krizën e refugjatëve, me të cilën po përballet aktualisht, ka deklaruar zëvendës-kancelari i Gjermanisë, Zigmar Gabriel.
Kriza aktuale ka polarizuar 28 shtetet anëtare të unionit, i cili aktualisht nuk po është në gjendje të gjejë një sistem efikas për t’u përballur me qindra mijëra njerëz të varfër dhe të dëshpëruar.
Duke folur para gazetarëve në Këln, Gabriel tha se shumë shtete anëtare të Bashkimit Evropian angazhohen në projekte, kur nga ato mund të thithin mjete, por nuk përshihen në bashkësi kur unioni përballet me kohë të vështira.
Disa qeveri të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian po refuzojnë të pranojnë refugjatë dhe po kundërshtojnë planin e unionit për arritjen e një marrëveshje për një plan të përbashkët për zgjidhjen e krizës aktuale.
Kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel, qysh të hënën tërhoqi vërejtjen se nëse shtetet anëtare të unionit nuk do të jenë në gjendje të arrijnë marrëveshje për shpërndarjen proporcionale të refugjatëve, atëherë do të vihet në pikëpyetje edhe marrëveshja e Shengenit.
Gabriel tërhoqi vërejtjen se një vendim i tillë do të kishte pasoja të tmerrshme për Bashkimin Evropian. Ai tha se heqja dorë nga kufijtë e hapur do të ishte një hap i madh prapa në historinë e Evropës dhe se Evropa tani po rrezikon të humb dinjitetin.
Edhe ministrja e Punëve të Jashtme e Austrisë, Johana Miki Llajtnër tërhoqi sot vërejtjen nga dështimi i Bashkimit Evropian sa i përket problemit me valën e refugjatëve dhe shtoi se muri i ngritur në kufirin mes Hungarisë dhe Serbisë nuk e pasqyron Evropën si e paramendon ajo. Ajo me këtë rast shkoi edhe një hap më larg, duke theksuar se nëse partitë nacionaliste fitojnë pushtetin në Evropë, atëherë fundi i paqes në kontinentin e vjetër mund të vijë më shpejtë se sa që besojnë disa./21Media

Tahiri: Asociacioni s'ka kompetenca ekzekutive,s'ka 'bosnjëzim'(Video)

0

Ministrja për Dialog, Edita Tahiri shprehet se Asociacioni i komunave serbe në Kosovë nuk do të ketë kurrfarë kometenca ekzekutive. Ajo këto komente i bëri për RTV21.
E pytur rreth kritikave të marrëveshjes për Asociacionin e Komunave Serbe në Kosovë,nga partitë opozitare,shoqëria civile,dhe nga njohësit e zhvillimeve në vend, Ministrja u përgjigj duke thënë se Asociacioni i komunave Serbe nuk do të ketë kompetenca ekzekutive,dhe se kjo marrëveshje është e bazuar në kushtetutën e Republikës së Kosovës,dhe ligjeve të Kosovës.
Ministrja për dialog ndër të tjera u shpreh se asociacioni nuk do të jetë pushtet i tretë në Kosovë,dhe se nuk do të ketë “bosnjëzim” të Kosovës./21Media

Fushata kundër lëndëve narkotike në Shqipëri

0

Forcat e rendit në Shqipëri kanë vazhduar fushatën për shkatërrimin e lëndëve narkotike, me ç’rast operacioni është shtrirë dhe zgjeruar pothuajse në të gjitha anët e Shqipërisë. Autoritetet kanë njoftuar për shkatërrimin e mijëra rrënjëve kanabis.

Kërkohet formimi i një Gjykate Speciale për Maqedoninë

0

Vendimi i Gjykatës Themelore në Shkup, për të hedhur poshtë akuzat për përgjim, të ngritura nga opozita kundër Kryeministrit të Maqedonisë, Nikolla Gruevski, kanë nxitur reagime të shumta në Maqedoni. Siç dihet, Gjykata të martën shpalli si të pabaza dëshmitë nga përgjimet që u publikuan nga ana e opozitës dhe me këtë shpall të mbyllur edhe procesin e hetimeve, duke theksuar se bëhet fjalë për dëshmi të siguruara në mënyrë të paligjshme dhe se kjo sipas kodit penal nuk përbën bazë për të gjykim.
Por ky vendim i gjykatës ka nxitur reagime të ashpra. Komiteti i Helsinkit ka shprehur shqetësim për vendimin e gjykatës dhe keqpërdorimin e drejtësisë.
Një reagim të ashpër ka bërë edhe pronësorja universitare, Mirjana Najçevska, e cila në profilin e saj në Fejsbuk ka shkruar se vendimi i tillë tregon se në Maqedoni nuk mjafton vetëm prokurori special, por nevojitet krijimi i një Gjykate Speciale./21Media

Mustafa emëroi gjashtë zëvendësministra

0

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka emëruar të mërkurën gjashtë zëvendësministra në ministritë e Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Pas konsultave me partnerët e koalicionit qeveritar, kryeministri Isa Mustafa vendosi që të emërojë:

Mirjana Jevtiq, zëvendësministre në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale,
Milan Radojeviq, zëvendësministër në Ministrinë e Punëve të Brendshme,
Sladjan Nikolçeviq, zëvendësministër në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor,
Radoljub Mladenoviq, zëvendësministër në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural,
Biljana Popoviq, zëvendësministre në Ministrinë e Financave, dhe
Nusret Hoxha, zëvendësministër në Ministrinë e Drejtësisë.

Kryeministri Mustafa, po ashtu ka emëruar Ivan Tomiq, këshilltar politik dhe drejtor të Zyrës për Çështje të Komuniteteve.