Politikanët tërheqin vërejtjen, Evropa po rrezikon të humbë dinjitetin

TË FUNDIT

Bashkimi Evropian po dëshmohet si i papërgatitur dhe tejet i turpshëm në mënyrën se si po tenton të zgjidhë krizën e refugjatëve, me të cilën po përballet aktualisht, ka deklaruar zëvendës-kancelari i Gjermanisë, Zigmar Gabriel.
Kriza aktuale ka polarizuar 28 shtetet anëtare të unionit, i cili aktualisht nuk po është në gjendje të gjejë një sistem efikas për t’u përballur me qindra mijëra njerëz të varfër dhe të dëshpëruar.
Duke folur para gazetarëve në Këln, Gabriel tha se shumë shtete anëtare të Bashkimit Evropian angazhohen në projekte, kur nga ato mund të thithin mjete, por nuk përshihen në bashkësi kur unioni përballet me kohë të vështira.
Disa qeveri të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian po refuzojnë të pranojnë refugjatë dhe po kundërshtojnë planin e unionit për arritjen e një marrëveshje për një plan të përbashkët për zgjidhjen e krizës aktuale.
Kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel, qysh të hënën tërhoqi vërejtjen se nëse shtetet anëtare të unionit nuk do të jenë në gjendje të arrijnë marrëveshje për shpërndarjen proporcionale të refugjatëve, atëherë do të vihet në pikëpyetje edhe marrëveshja e Shengenit.
Gabriel tërhoqi vërejtjen se një vendim i tillë do të kishte pasoja të tmerrshme për Bashkimin Evropian. Ai tha se heqja dorë nga kufijtë e hapur do të ishte një hap i madh prapa në historinë e Evropës dhe se Evropa tani po rrezikon të humb dinjitetin.
Edhe ministrja e Punëve të Jashtme e Austrisë, Johana Miki Llajtnër tërhoqi sot vërejtjen nga dështimi i Bashkimit Evropian sa i përket problemit me valën e refugjatëve dhe shtoi se muri i ngritur në kufirin mes Hungarisë dhe Serbisë nuk e pasqyron Evropën si e paramendon ajo. Ajo me këtë rast shkoi edhe një hap më larg, duke theksuar se nëse partitë nacionaliste fitojnë pushtetin në Evropë, atëherë fundi i paqes në kontinentin e vjetër mund të vijë më shpejtë se sa që besojnë disa./21Media