Grupi i LDK-së në Kuvendin e Prishtinës konsideron se dorëheqja e dy drejtorëve komunalë, e atij të Drejtorisë për Financa dhe Pronë, Visar Berisha, si dhe të Shërbimeve Publike, Ardian Gashi, shënon një akt moral dhe përgjegjësie ndaj zhvillimeve qeverisëse në Komunën e Prishtinës, ndaj dështimeve të administratës dhe politikave përjashtuese të kryetarit të Prishtinës Shpend Ahmeti.
“Grupi i LDK-së konsideron po ashtu se, nëse kërkesa për lirim nga detyra e dy drejtorëve të Komunës së Prishtinës është e prillit 2015, përgjegjësinë për moslirimin e tyre e mban kryetari i Komunës, i cili nuk ka vepruar sipas kërkesës. Kjo mbajtje për 5 muaj në pozitat e drejtorëve të paambicie më për të punuar për Komunën dhe qytetarët e saj, sipas drejtorive përkatëse, shënon paaftësinë për menaxhimin, shënon dështimin në realizimin e projekteve sipas drejtorive, shënon ndërhyrjen e mundshme me sjellje politike sipas konditave partiake të zyrave të VV”, thuhet në një komunikatë të Grupit të LDK në Kuvendin e Prishtinës.
Sipas këtij grupi komuna e Prishtinës po udhëhiqet nga një kryetar, i cili ai vetë po udhëhiqet nga një dhe më shumë komisarë polikë të VV, të instaluar në Komunë si “këshilltarë” për çështje të caktuara.
“Prandaj, udhëheqja e komunës, me këta komisarë të deleguar drejtpërdrejt nga zyrat politike të VV, e shtyrë të plasojë sjellje dhe politika dështuese dhe përjashtuese ndaj qytetarëve dhe grupeve politike të caktuara, ditë për ditë po bëhet pre e dështimeve, nga të cilat po distancohen dhe do të tërhiqen edhe drejtorët e vet, sipas drejtorive përkatëse”, thuhet në komunikatë