Të burgosurit shpeshherë më të fuqishëm se ligji

TË FUNDIT

Në burgjet e Kosovë disa persona shpeshherë janë më të fuqishëm se vetë ligji.

Ata janë të privilegjuar dhe zyrtarët e Shërbimit korrektues vihen në shërbim të tyre.

Për KMDLNJ-në, është shqetësues mostrajtimi i barabartë i të burgosurve apo trajtimi i tyre në përputhje me statusin që e kanë pasur në shoqëri para se të burgosen, raporton KTV.

Behgjet Shala thotë se kemi të bëjmë me diskriminim flagrant, ku të fuqishmit janë të privilegjuar, ndërsa të tjerët, sipas tij, shumë me vështirësi i realizojnë të drejtat e tyre.

Në burgun e Dubravës të burgosurit mund të përdorin gati lirshëm telefonat e tyre, pasi institucionet asnjëherë nuk vendosen pajisjet që kufizojnë shpërndarjen e valëve telefonike.

Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi thotë se kjo gjendje është shkaktuar nga mungesa e kontrollit adekuat, transmeton Koha.net.

Ditë më parë mediet kishin raportuar se si një i burgosur në Prizren kishte arritur të krijonte kushte jashtëzakonisht të mira të jetesës brenda qendrës së burgut.