Trumpi thotë se planifikon të takohet me Kim Jong Unin këtë vit

TË FUNDIT

Presidenti amerikan Donald Trump ka thënë se planifikon ta takojë më vonë këtë vit Kim Jong Unin, duke pretenduar se ka marrëdhënie të mira me liderin e KOresë së Veriut. 

“Po, do ta takoj”, ka thënë Trumpi kur u pyet nëse planifikon bisedime me Kimin. 

Nuk është e qartë se sa konkrete janë planet e Trumpit. Ai nuk tregoi edhe nëse kishte shkëmbyer letra me udhëheqësin verikorean, raportoi CNN.

Përpjekjet e vitit të kaluar për një samit me Kimin gjatë vizitës së Trumpit në Azi dështuan, kryesisht për shkak të çështjeve logjistike për aranzhimin e një takimi në një afat të shkurtër. 

Sipas një zyrtari amerikan, zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë po e shohin udhëtimin e ardhshëm në Azi, ku në nëntor pritet të zhvillohet një samit i liderëve, si një mundësi për të rikthyer diplomacinë e drejtpërdrejtë me Korenë e Veriut.

Megjithatë, nuk është e qartë se si një takim kokë më kokë këtë vit do të arrinte atë që tre takimet e mëparshme nuk mundën ta realizonin. Trumpi doli nga ato tre takime – i fundit prej të cilëve përfshiu edhe një vizitë të shkurtër në territorin e Koresë së Veriut – kryesisht pa ndonjë rezultat konkret, ndërsa Koreja e Veriut përshpejtoi prodhimin e armëve bërthamore.

Trump, në pjesën më të madhe, e minimizoi rëndësinë e arsenalit bërthamor që Koreja e Veriut ka grumbulluar. Ai tha se vendi posedon 57 armë bërthamore dhe sugjeroi se përgjegjësia për këtë situatë bie mbi presidentët e mëparshëm.

“Nëse do të isha unë president, nuk do ta kisha lejuar këtë”, tha Trump.