Prishtinë: Banorët "e projektojnë" lagjen e vet

0

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti sot vizitoi punëtorinë “Bllok pas blloku” në të cilën u prezantua modeli përfundimtar i projektit që do të realizohet në lagjen “Bregu i Diellit”.

Në përmbyllje të punëtorisë katër ditore “Bllok pas blloku” u tha se gjatë kësaj kohe u prezantuan ide nga më të ndryshmet dhe në fund që të gjithë pjesëmarrësit u dakorduan me përmbajtjen e projektit.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti tha se realizimi i këtij projekti ka qenë një proces i gjatë që nga koha kur muaj me parë ishte nënshkruar marrëveshja e bashkëpunimit me UN Habitat – in.

“Sot kam kënaqësinë që jam në mesin e të gjithë pjesëmarrësve që iu përkasin moshave të ndryshme të cilët kanë punuar në realizimin e këtij projekti. Është befasuese se sa kreativë janë veçanërisht të rinjtë me lojën “Miancraft” dhe se sa shpejtë i vendosin blloqet në vendet e duhura. Kjo flet se gjeneratat e reja në të ardhmen do të jenë shumë më të avancuara sesa ne që nuk i kemi pasur këto mundësi teknologjike. Ne jetojmë në një Komunë, në një bashkësi. Dhe duhet të krijohet mendësia se bashkërisht duhet të marrim vendime se si duhet të duket një pjesë e caktuar e lagjes ku jetojmë. Kësaj radhe kemi zgjedhur lokacionin tek lagjja “Bregu i Diellit”. Vitin e kaluar i kemi larguar prej aty disa objekte të montuara që ishin të parapara për treg, mirëpo që nuk janë funksionalizuar asnjëherë. Pas largimit, pati mbetur një hapësirë e zbrazët që është hapësirë e jona e përbashkët dhe përmes projektit “Maincraft” vetë komuniteti që jeton në këtë lagje me idetë e tyre do të vendosin se si do të duket kjo hapësirë publike”, tha kryetari Ahmeti.

Nga ana tjetër, përfaqësuesit e UN Habitat thanë se janë tejet të kënaqur me ecurinë dhe interesimin për këtë punëtori. Ata u shprehën se kishte ide të ndryshme por se në fund grupet e ndara i kanë inkorporuar në një projekt të vetëm.

Në fund të kësaj punëtorie u ndanë edhe mirënjohje për të gjithë pjesëmarrësit. Projekti i prezantuar do të realizohet nga Komuna e Prishtinës në bashkëpunim me UN Habitat.
bllok pas blloku

Viti i ri shkollor në Shqipëri nis me mungesë tekstesh

0

Nisi sot viti i ri shkollor 2015-2016. Si dita e parë e shkollës, kjo e hënë ishte më shumë një festë se sa një ditë mësimi, me urimet më të dashura për nxënësit dhe mësuesit. Kudo nëpër rrugë dhe oborre shkollash ndihej një atmosferë gëzimi ku dëgjoheshin bisedat dhe të qeshurat e fëmijëve, që vijojnë rrugën e gjatë të dijes.

Krerët e shtetit zgjodhën disa shkolla të veçanta për të përcjellë urimet dhe mesazhet e tyre për një vit shkollor sa më të mbarë.

Kryeministri Edi Rama, ministrja e Arsimit Lindita Nikolla dhe kryebashkiaku Erion Veliaj kanë uruar nxënësit me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor, ndërsa i kanë inkurajuar për rezultate më të larta në mësime.

Nga oborri i shkollës “Sami Frashëri” në kryeqytet, kryeministri Edi Rama tha se shkollat shqiptare po transformohen rrënjësisht që nga tekstet shkollore e deri të infrastruktura.

Me këtë rast edhe Ministrja e Arsimit dhe Shkencave ka uruar të gjithë nxënësit, mësuesit dhe prindërit shqiptarë. Duke iu drejtuar nxënësve Nikolla tha se po punohet fort që ata të përballen me sfidat e së ardhmes dhe të jenë të barabartë me bashkëkohësit, në vendet më të përparuara.

Nikolla shtoi se qeveria ia doli të heqë nga duart e nxënësve shqiptarë 600 tituj tekstesh shkollore me probleme. Ndërsa kryebashkiaku Veliaj zgjodhi sot gjimnazin “Ismail Qemali” për të uruar të gjithë nxënësit shqiptarë për vitin e ri shkollor.

Veliaj i inkurajoi gjimnazistët për të arritur rezultatet të larta, si dhe i ftoi të jenë pjesë e punëve komunitare. Veliaj më tej premtoi se do t’i propozonte Këshillit Bashkiak kthimin e bursave për nxënësit me rezultate më të mira.

Edhe kryedemokrati Basha ka zgjedhur rrjetin social Facebook, për të uruar vitin e ri shkollor 2015-2016. Në emër të forcës politike që përfaqëson Basha iu uroi të gjithë nxënësve një fillim sa më të mbarë.

“Partia Demokratike iu uron të gjithë nxënësve dhe mësuesve fillim të mbarë të vitit të ri shkollor”.

Vetë nxënësit u shprehën të kënaqur për nisjen e shkollës, ndërsa thanë se mungojnë disa tekste librash, si kimia dhe biologjia e vitit të dytë, historia apo letërsia. Po ashtu edhe kostoja e librave nuk është e lirë për prindërit shqiptar, pasi varion sipas klasave nga 2 mijë lekë deri në 4 mijë lekë të reja për një fëmijë (15 euro deri në 35 euro).

Në total sipas statistikave të Ministrisë së Arsimit janë rreth 490 mijë nxënës të arsimit 9-vjeçar dhe atij të mesëm që nisën sot vitin e ri shkollor 2015-2016, ndërsa 30 mijë vogëlushë do të ulen për herë të parë në bankat e shkollës.

Po sipas Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, janë 18 shkolla të reja të përfunduara, që do të shfrytëzohen për vitin e ri shkollor. Megjithatë, në kryeqy tet mësimi do të vijojë të zhvillohet me turne, duke mos zgjidhur problematikën shumëvjeçare. Ndërkaq, sipas këtij dikasteri, ky vit shkollor do t’i presë nxënësit me më shumë terrene sportive e laboratorë, që do të garantojnë cilësinë e mësimdhënies.

Burgu i Spaçit do të kthehet në muze

0

Projekti i propozuar prej kohësh, i cili ishte harruar për shkak të mungesës së fondeve për restaurimin dhe kthimin e tij në ambient të vizitueshme nga qytetarët, do të vihet në jetë, , raporton Shekulli.
Instituti për Krimet e Luftës është institucioni, i cili i bën thirrje qeverisë por edhe donatorëve që të mundësojnë financat e nevojshme për restaurimin e ambienteve të burgut të Spaçit. Sipas këtij institucioni, tashmë ka nisur projekti për zbatimin e tij, por e vetmja pengesë janë fondet. Burgu i Spaçit ishte një burg politik i sigurisë së lartë, që ishte aktiv gjatë diktaturës komuniste në Shqipëri. Burgu gjendet në fshatin Spaç.

Burgu i Spaçit renditet aktualisht si monument kombëtar i kategorisë së dytë.
Në vitin 1973 në burgun e Spaçit pati një rebelim të të burgosurve, të cilët arritën të ngrinin një flamur jo-komunist. Një rebelim i ngjashëm u krye edhe në Burgun e Qafë Barit në vitin 1984, ku shpërthyen të njëjtat dufe e u ngritën kërkesa e dëshira për liri, që u shtypën njëlloj me dhunë e gjak.
Në burgun e Spaçit kanë vuajtur dënimet politike disa intelektualë të njohur shqiptarë.

Fillon menaxhimi digjital i radhëve në laboratorin e QKMF – së

0

Drejtoria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në bashkëpunim me Drejtorinë e Administratës, në kuadër të reformave administrative, kanë filluar me projektin për menaxhimin digjital të radhëve në laboratorin e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF).

Sipas komunikatës së komunës së Prishtinës, kjo po ndodh duke u bazuar në kërkesat e shumta të qytetarëve, ku nga sot çdo qytetarë që do të kërkojë shërbimet në laboratorin e QKMF – së, do të nxjerrë tiketën nga sistemi për menaxhimin e radhëve.

Komuna njofton se këtë shërbim mund ta realizojnë nga ora 6:30 – 9:30 gjë që do t’ua mundësojë shërbime më të shpejta për analiza të ndryshme.

Ky është laboratori i parë në nivel të vendit ku është realizuar menaxhimi digjital i radhëve. Qytetarët e kanë mirëpritur këtë hap të Komunës së Prishtinës, pasi që ka qenë kërkesë e kahmotshme e tyre që të ketë një sistem të pritjes në këtë laborator ku kërkesat janë të shumta dhe të përditshme.

"Shok" fiton dy çmime në DCShorts

0

Në këtë film luajnë: Lum Veseli, Andi Bajgora, Melihate Qena, Aurita Agushi, Eni Cani, Armond Morina, Eshref Durmishi, Sunaj Raca, Luan Kryeziu, Astrit Kabashi, Xhevdet Jashari, Kushtrim Sheremeti, Fisnik Ademi, Besnik Krapi

Filmi i metrazhit të shkurtë “Shok”, me regji të Jamie Donoughue ka fituar çmimin e jurisë për “Outstanding Live Action Short”’ si dhe çmimin e publikut në DC Shorts international Film Festival.
Filmi “Shok” me skenar dhe regji nga Jaime Donoughue është i bazuar në ngjarje të vërtetë dhe është i vendosur gjatë periudhës së luftës në Kosovë, kur vendi ishte nën okupimin e Serbisë. Këtu sprovohen kufijtë e miqësisë mes dy djemve të vegjël të cilët luftojnë për të mbijetuar gjatë luftës në Kosovë.
Në këtë film luajnë: Lum Veseli, Andi Bajgora, Melihate Qena, Aurita Agushi, Eni Cani, Armond Morina, Eshref Durmishi, Sunaj Raca, Luan Kryeziu, Astrit Kabashi, Xhevdet Jashari, Kushtrim Sheremeti, Fisnik Ademi, Besnik Krapi etj.

Hamann: Guardiola duhet të largohet nga Bayerni

0

Dietmar Hamann kritikon punën e bërë nga Pep Guardiola në stolin e Bayern Muenchen, duke theksuar se klubi duhet ta largojë trajnerin spanjoll.

Spanjolli ka fituar dy tituj kampion me bavarezët por ka dështuar në Europë, ndërsa sezonin e shkuar e eleminuar në gjysmëfinalen e Kupës nga Borussia Dortmund.

“Mendoj se klubi nuk do të bënte keq nëse emëron nëj trajner të ri. Nëse më duhet të bëj një vlerësim nga 1-10 do t’i jepja notën 5 trajnerit aktual. Në kampionat ata kanë qenë të pakapshëm por në kupë u eleminuan nga Borussia me 10 lojtarë, ndërsa në Champions dështuan për dy sezone rresht.

Nuk jam i sigurt nëse Van Gaal apo Heynckes do të ishin ende trajnerë nëse do të ndodheshin në këtë situatë. Mund të humbasësh ndaj kundërshtarëve si Reali apo Barcelona, por mënyra se si i pësuan disfatat ishte tronditëse”.

Me 17 shtator Kuvendi nis sezonin vjeshtor

0

Kryesia e Kuvendit e ka caktuar 17 shtatorin si datë për nisjen e sezonit vjeshtor të Kuvendit të Kosovës. Në mbledhjen e sotme ku u caktua kjo datë, u fol për kërkesën e kryeministrit për informim të legjislativit për marrëveshjet e arritura me Serbinë, për çka opozita lëshoi mbledhjen duke e vlerësuar si një tallje të Kuvendit këtë kërkesë.

Shefi i grupit parlamentar të Vetëvendosjes Glauk Konjufca, duke e quajtur kërkesën një hajgare të kryeministrit tha se Kuvendi nuk duhet të jetë vetëm si lexues i marrëveshjeve por vendimmarrës.

Ndërsa shefja e grupit parlamentar të AAK-së, Donika Kadaj-Bujupi, tha se me marrëveshjen e nënshkruar në Bruksel është krijuar një bashkësi e cila ka ndikim në institucione.

Sipas saj është skandaloze çështja e pronave të Kosovës në Veri pasi Qeveria me marrëveshjen e fundit ka pranuar të jenë në pronësi të Asociacionit.

Ajo tha sipas marrëveshjeve Qeveria ia ka dhënë në pronësi Asociacionit edhe liqenin e Ujmanit edhe Trepçen.

Kadaj-Bujupi tha se marrëveshjet e fundit të nënshkruara në Bruksel dhe Asociacioni do ta kthejnë Kosovën në vitin 1974.

Edhe shefja e grupit parlamentar të Nisma për Kosovën tha se dokumenti i Qeverisë është jo serioz dhe i papranue shëm.

Ajo tha se me Asociacionin është bërë ndarja e Kosovës dhe po krijohet një mini shtet brenda shtetit.

Shefi i grupit parlamentar të LDK-së Ismet Beqiri, theksoi se është absurde të thuhet se nuk ka çka informon kryeministri për marrëveshjet në Bruksel.

Ai tha se mbështetë futjen në rend dite kërkesën e kryeministrit për informim rreth marrëveshjeve.

Përdorni këto ushtrime për një trup më të mirë

0

Të qëndrosh ulur në karrigë për një kohë të gjatë shkakton efekte negative jo vetëm për shëndetin por dhe për shtyllën kurrizore

Trajnerja e jogave Jules Mitchell në një video të postuar në Youtube tregon disa ushtrime të thjeshta që rikuperojnë dëmet në shtyllën kurrizore dhe përmisojnë posturën kur rrimë ulur në karrige.

Ju mund ti praktikoni këto ushtrime stretching kudo pa qënë nevoja të uleni në tokë, por thjesht duke i vendosur duart në karrige.

Ndërsa me foto po ju sjellim disa nga pozicionet më të mira për të bërë stretching dhe joga që ndihmojnë të përmisoni posturën tuaj dhe të relaksoheni.

Turqia thellon bashkëpunimin ekonomik me Kosovën

0

Ministri i Financave Avdullah Hoti priti sot në takim kurtuazie ambasadoren e Republikës së Turqisë në Kosovë znj. Kıvılcım Kılıç, ku kanë biseduar lidhur me thellimin e bashkëpunimit ekonomik dhe financiar ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Turqisë.

Gjatë këtij takimi njoftues, Ministri Hoti e uroj Ambasadoren Kılıç për mandatin e saj të ri, si dhe e falënderoi për mbështetjen dhe bashkëpunimin e deritanishëm të shtetit turk. Me këtë rast Ministri Hoti shprehi gatishmërinë e tij si Ministër i Financave që të thellojë bashkëpunimin edhe më tej.

Ndërsa, ambasadorja e Republikës së Turqisë në Kosovë Kıvılcım Kılıç, e falënderoi Ministrin Hoti për pritjen dhe shprehi gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit dhe mbështetjes së Republikës së Turqisë ndaj Institucioneve të Republikës së Kosovës.

Aksident i rëndë në Drenas, 18 të lënduar

0

18 nxënës të shkollave të mesme kanë mbetur të lënduar nga një aksident i ndodhur sot në orët e hershme të mëngjesit në Drenas.

Aksidenti ka ardhë pas përplasjes së një kamioni me furgonin që transportonte nxënësit.

Kryetari i Drenasit Nexhat Demaku i ka thënë KosovaPress-it se aksidenti ka ndodhur në fshatin Dritan, ish – Dobroshec, dhe gjendja e të lënduarve, përpos njërit prej nxënësve është jashtë rrezikut për jetë.

Drejtori i Emergjencës Basri Lenjani, thotë se vetëm njëri prej nxënësve, 15 vjeçar ka lëndime më të rënda ndërsa 17 të tjerët do të lirohen në shtëpi pas ekzaminimeve.