Me 17 shtator Kuvendi nis sezonin vjeshtor

TË FUNDIT

Kryesia e Kuvendit e ka caktuar 17 shtatorin si datë për nisjen e sezonit vjeshtor të Kuvendit të Kosovës. Në mbledhjen e sotme ku u caktua kjo datë, u fol për kërkesën e kryeministrit për informim të legjislativit për marrëveshjet e arritura me Serbinë, për çka opozita lëshoi mbledhjen duke e vlerësuar si një tallje të Kuvendit këtë kërkesë.

Shefi i grupit parlamentar të Vetëvendosjes Glauk Konjufca, duke e quajtur kërkesën një hajgare të kryeministrit tha se Kuvendi nuk duhet të jetë vetëm si lexues i marrëveshjeve por vendimmarrës.

Ndërsa shefja e grupit parlamentar të AAK-së, Donika Kadaj-Bujupi, tha se me marrëveshjen e nënshkruar në Bruksel është krijuar një bashkësi e cila ka ndikim në institucione.

Sipas saj është skandaloze çështja e pronave të Kosovës në Veri pasi Qeveria me marrëveshjen e fundit ka pranuar të jenë në pronësi të Asociacionit.

Ajo tha sipas marrëveshjeve Qeveria ia ka dhënë në pronësi Asociacionit edhe liqenin e Ujmanit edhe Trepçen.

Kadaj-Bujupi tha se marrëveshjet e fundit të nënshkruara në Bruksel dhe Asociacioni do ta kthejnë Kosovën në vitin 1974.

Edhe shefja e grupit parlamentar të Nisma për Kosovën tha se dokumenti i Qeverisë është jo serioz dhe i papranue shëm.

Ajo tha se me Asociacionin është bërë ndarja e Kosovës dhe po krijohet një mini shtet brenda shtetit.

Shefi i grupit parlamentar të LDK-së Ismet Beqiri, theksoi se është absurde të thuhet se nuk ka çka informon kryeministri për marrëveshjet në Bruksel.

Ai tha se mbështetë futjen në rend dite kërkesën e kryeministrit për informim rreth marrëveshjeve.