Nesër shi dhe më ftohtë

0
Shiu moti

Nga Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike njoftojnë se nën ndikimin e aktivitetit ciklonik, moti nesër në vendin tonë do të jetë i vranët dhe më i ftohtë, me reshje të përkohshme shiu, të cilat do të vazhdojnë gjatë natës dhe të shtunën paradite, përcjell TV21. Në disa vende reshjet do të jenë më të dendura dhe pritet të bien mbi 30 l/m² reshje.

Në Shkup, nesër pasdite dhe gjatë natës do të ketë reshje të përkohshme shiu. Në pjesë të luginës, reshjet do të jenë me intensitet mesatar deri në intensitet të përforcuar herë pas here.

Befason shkolla në Shtip! Ndalon celularët, çipsat e flipsat dhe pijet me ngjyrë artificiale!

0

Në shkollën fillore “Dimitar Vllahov” në Shtip, tashmë prej një jave janë në fuqi rregulla të reja, me të cilat për 930 nxënës kufizohet përdorimi i telefonave celularë, ndërsa nga dita shkollore janë hequr edhe çipsat, flipsave dhe pijet me ngjyrë artificiale, përcjell TV21. Masat janë dakorduar me prindërit që para përfundimit të vitit të kaluar shkollor, ndërsa qëllimi është që nxënësit të përqendrohen më shumë në mësim, shoqërimin e drejtpërdrejtë dhe zakonet më të shëndetshme të të ushqyerit.

Telefon celular mund të sjellin vetëm nxënësit që kanë vërtet nevojë për të, për shembull për shkak të organizimit të kthimit në shtëpi. Në një rast të tillë, telefoni duhet të jetë pa internet, i fikur dhe t’i dorëzohet kujdestarit të klasës menjëherë pas mbërritjes në shkollë. Rregullat e reja vlejnë edhe për ushqimin dhe pijet. Nxënësit nuk lejohen të sjellin çipsa, flipsa (smoki) dhe pije me ngjyrë, ndërsa shkolla tri herë në javë u siguron fruta të freskëta.

Në bashkëpunim me furrat lokale është përgatitur edhe një meny me kos, produkte të furrës dhe ushqime të tjera. Nga pijet lejohen uji, qumështi dhe lëngjet e përgatitura në shtëpi.

Drejtori Dejan Zdravkov thotë se ideja është të zvogëlohet varësia nga pajisjet elektronike dhe të nxitet komunikimi i drejtpërdrejtë mes nxënësve. Vendimi ka marrë mbështetjen e Këshillit të Mësimdhënësve, Këshillit të Shkollës dhe Këshillit të Prindërve, ndërsa sipas drejtuesve të shkollës, rezultatet e para të regjimit të ri tashmë janë vërejtur.

Koeficiente më të ulët për pagat e funksionarëve, propozimi shkon në seancë plenare

0

Komisioni Parlamentar për Çështje të Zgjedhjeve dhe Emërimeve miratoi sot propozim-vendimin për uljen e koeficienteve me të cilët llogariten pagat e presidentit, deputetëve dhe funksionarëve të tjerë që emërohen nga Kuvendi, përcjell TV21. Vendimi vjen pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, me të cilin u shfuqizua baza fikse për llogaritjen e pagave të funksionarëve. Kryetari i Komisionit, Gjorgji Sajkoski, tha se komisioni ka vepruar në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, për të shmangur një vakum ligjor. Propozim-vendimi tani duhet të shqyrtohet dhe të miratohet në seancë plenare të Kuvendit.

Vlora Hyseni shkon në SPAK, flet për herë të parë pas arrestimit

0

Ish-drejtoresha e SHISH, Vlora Hyseni, ka mbërritur në ambientet e GJKKO-së, ku pritet t’i komunikohet dhe të shqyrtohet masa e sigurisë ndaj saj.

Hyseni u vendos dy ditë më parë në masën “arrest në shtëpi”, në kuadër të hetimeve të SPAK për dosjen “AKSHI”. Hetimet kanë nxjerrë në pah komunikime të saj me biznesmenin Ergys Agasi, i cili u arrestua rreth një muaj më parë.

Gjatë kalimit nga rruga drejt godinës, Hyseni është shprehur shkurtimisht ndaj pyetjes së gazetarëve nëse Agasit i janë kaluar nga ana e saj dokumente të klasifikuara, duke u shprehur: “Si kalon ti në takime me agjentët serb në dhomat e hotelit Rogner”.

Vlora Hyseni akuzohet për “nxjerrje të sekretit shtetëror” dhe “përkrahje të autorit të krimit”.

Ish-drejtoresha e SHISH-it është marrë në pyetje më 18 shtator nga SPAK, për lidhjet e saj me biznesmenin Agasi. Sipas qëndrimit të saj, komunikimet mes tyre kanë qenë të lidhura me bashkëpunimin e Agasit si informator i SHISH-it.

Vlora Hyseni ishte emëruar në krye të SHISH-it rreth tre vite më parë dhe u shkarkua nga detyra nga kryeministri Edi Rama pas nisjes së hetimeve nga SPAK.

Pensionet në Maqedoni do të rriten për 3%

0

Rritja e pensioneve të shtatorit do të jetë 3 për qind, konfirmoi drejtori i Fondit për Sigurim Pensional dhe Invalidor, Nikolla Memov. Rritja e pensioneve këtë herë do të bëhet sipas zgjidhjes ligjore dhe nuk do të ketë rritje lineare, siç kërkonin një pjesë e pensionistëve.

Nëse një pensionist merr pensioni prej 20,000 denarësh, i njëjti do të ketë rritje të pensionit për 600 denarë.

Shumat e reja pritet të zbatohen gjatë pagesës së pensioneve muajin e ardhshëm. Vlera e rritjes do të përcaktohet duke aplikuar përqindjen e paraparë mbi shumën aktuale të pensionit. Në Fond tashmë po bëhen përllogaritjet për shumat e reja, me qëllim që pagesa të përgatitet në kohë.

Detajet për shumën që do të marrin pensionistët pas rritjes do të varen nga lartësia e pensionit të tyre aktual.

Gjatë dy viteve të fundit, pensionet u rritën në mënyrë lineare në katër raste, për një shumë totale prej 7 mijë denarësh. Vitin e kaluar, Gjykata Kushtetuese nisi procedurë për vlerësimin e kësaj çështjeje, por në mars 2026 e ndërpreu atë, pasi nuk pati shumicë për marrjen e një vendimi.

Kurti: Kosova nuk duhet të mbetet peng i Serbisë në rrugën e saj drejt BE-së

0

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se Kosova nuk duhet të mbetet peng i Serbisë në rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Kreu qeveritar, gjatë një takimi në New York me përfaqësuesen e lartë të Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Kaja Kallas, dhe përfaqësuesit e shteteve të Ballkanit Perëndimor, tha se Kosovës duhet t’i jepet pa vonesa të mëtejme statusi i shtetit kandidat për anëtarësim në BE.

Veç Kurtit dhe Kallasit, në takim morën pjesë ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviq, ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Marko Gjuriq, dhe ministri i Punëve të Jashtme i Bosnjë dhe Hercegovinës, Dino Konakoviq.

Dje, në New York, mora pjesë në drekën e Përfaqësueses së Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri dhe Zëvendëspresidentes së Komisionit Evropian, Kaja Kallas, me liderët e Ballkanit Perëndimor.


Statusi i shtetit kandidat për anëtarësim pa vonesa të mëtejme, përveçse i merituar, do të duhej të ishte përgjigjja e Bashkimit Evropian për besnikërinë e Kosovës ndaj vlerave demokratike dhe përcaktimit të qartë strategjik euroatlantik, por edhe veprim inkurajues për hov të shtuar në përkushtimin tonë për reforma e zhvillim.

Mbajtja në sirtar e aplikimit të dorëzuar në dhjetor të vitit 2022 në Pragë, përderisa jemi tërësisht të linjëzuar me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së dhe kemi shënuar përparim të rëndësishëm në pothuajse tërë fushat, përveçse padrejtësi ndaj Republikës së Kosovës, do të ishte inkurajim i aktorëve destabilizues rajonalë dhe më gjerë.

Republika e Kosovës nuk duhet dhe nuk mund të mbetet peng i fqinjit të saj verior, shtetit që mbron e shpërblen kriminelët e këtij shekulli dhe glorifikon të tjerët që kryen krime kundër njerëzimit, krime lufte e gjenocid në fund të shekullit të kaluar, në luftërat e ish-Jugosllavisë. Sikurse, mohon e fsheh krimet dhe refuzon të bashkëpunojë në zbardhjen e të vërtetës për të zhdukurit me dhunë, duke pamundësuar drejtësinë. Ndërsa vijon me shkelje të të drejtave dhe spastrim etnik administrativ ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

Mickoski me një sërë takimesh në Nju Jork, integrimi evropian, siguria dhe bashkëpunimi rajonal në fokus

0

Kryeministri Hristijan Mickoski, gjatë vizitës së tij në Nju Jork, zhvilloi disa takime dypalëshe me përfaqësues të lartë, ku u shkëmbyen mendime për perspektivën evropiane të vendit, bashkëpunimin rajonal, sigurinë dhe sfidat aktuale globale.

Siç njoftuan nga Qeveria, kryeministri Mickoski gjatë ditës së djeshme zhvilloi takim me presidentin e Republikës së Finlandës, Aleksander Stub, me të cilin biseduan për rëndësinë e paqes, dialogut dhe lidershipit të përgjegjshëm, si dhe për respektimin e së drejtës ndërkombëtare dhe forcimin e bashkëpunimit multilateral. Në takim, siç shtohet, u theksua edhe rëndësia e përpjekjeve të përbashkëta për ndërtimin e një Evrope stabile dhe të sigurt.

Fokusi i takimit dypalësh me kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ishte avancimi i marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, thellimi i bashkëpunimit rajonal, si dhe sfidat dhe mundësitë e përbashkëta për zhvillimin e të dyja shteteve.

Kryeministri Mickoski zhvilloi takim dypalësh edhe me kryeministrin e Republikës së Kroacisë, Andrej Plenkoviq, ku u shkëmbyen mendime për perspektivën evropiane të Maqedonisë, vazhdimin e proceseve reformuese në përputhje me standardet evropiane, avancimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe forcimin e bashkëpunimit rajonal.

Kryeministri Mickoski zhvilloi gjithashtu takim me përfaqësuesen e lartë të Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Kaja Kallas, ku u shqyrtuan sfidat aktuale rajonale, mundësitë për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dhe prioritetet e përbashkëta të orientuara drejt një rajoni stabil dhe të sigurt.

Takimet në Nju Jork konfirmojnë përcaktimin e Maqedonisë për një rol aktiv dhe konstruktiv në komunitetin ndërkombëtar, forcimin e partneriteteve dhe thellimin e bashkëpunimit me partnerët evropianë dhe rajonalë.

Maqedonia mbetet e përkushtuar ndaj reformave, integrimit evropian, marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe ndërtimit të një rajoni stabil, të sigurt dhe të prosperuar, thuhet në njoftimin e shërbimit për shtyp të Qeverisë.

Vizitat në paraburgim tek Hashim Thaçi, gjykatësi miraton një ndryshim për disa emra që do t’iu hiqet ndalesa

0

Gjyqtari Christopher Gosnell ka marrë vendim me datën 21 shtator për ndryshimin e kufizimeve për vizita tek Hashim Thaçi në qendrën e paraburgimit në Hagë, lidhur me rastin e dytë ku Thaçi akuzohet për ndërhyrje në drejtësi.

Gjykata ka hequr ndalimin për vizitë për Milaim Ahmetiajn, Milaim Cakiqin, Avni Kastratin dhe tre persona të tjerë emrat e të cilëve janë të redaktuar.

Ndërkohë, ndalesa i është vazhduar Artan Behramit, Ismail Sylës, Blerim Shalës dhe Vllaznim Kryeziut.

Për personat ndaj të cilëve ndalimi është hequr, vizitat nuk janë plotësisht të pakufizuara. Ato duhet të jenë nën monitorim aktiv.

Gjatë këtyre vizitave, Administrata duhet të raportojë çdo përpjekje për komunikimin e informacionit konfidencial, dhënien e udhëzimeve lidhur me dëshmitarët dhe shkelje të tjera të rregullave të Qendrës së Paraburgimit.

Rubio: Serbia e përfshirë në çështje potencialisht problematike dhe shpërthyese

0

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka deklaruar se Serbia është e përfshirë në çështje “potencialisht problematike dhe shpërthyese”, të cilat kanë tërhequr vëmendjen ndërkombëtare.

Rubio i bëri këto deklarata më 23 shtator në Nju Jork, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve për marrëdhëniet ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Serbisë. Ai nuk specifikoi se cilave çështje u referohej.

“Është e qartë se Serbia është e përfshirë në çështje të caktuara që janë potencialisht problematike dhe shpërthyese dhe që tërheqin vëmendjen ndërkombëtare”, tha Rubio.

Pavarësisht kësaj, kryediplomati amerikan tha se Uashingtoni synon të thellojë partneritetin strategjik me Beogradin.

“Është një partneritet strategjik që duam ta thellojmë dhe synojmë ta bëjmë këtë, ndërkohë që menaxhojmë disa nga çështjet potenciale që mund të shfaqen”, deklaroi Rubio.Ai bëri të ditur se zyrtarë të Departamentit amerikan të Shtetit dhe agjencive të tjera qeveritare tashmë kanë vizituar Serbinë.

Rubio shprehu gjithashtu gatishmërinë që edhe vetë ta vizitojë këtë shtet.

“Shpresoj që edhe unë të kem mundësinë ta vizitoj”, tha ai.Deklaratat e Rubios vijnë në kohën kur Uashingtoni dhe Beogradi po zhvillojnë dialogun strategjik. Në korrik, SHBA-ja dhe Serbia nënshkruan Memorandum Mirëkuptimi për infrastrukturën energjetike dhe sigurinë energjetike rajonale.

Ndërkohë, në gusht, ligjvënës republikanë dhe demokratë në Dhomën e Përfaqësuesve paraqitën një projektligj lidhur me Serbinë.

Në të ngrihen shqetësime për gjendjen e demokracisë dhe sundimit të ligjit, si dhe për marrëdhëniet e Beogradit me Rusinë, Kinën dhe Iranin.Serbia është vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, por prej vitesh nuk ka hapur kapituj të rinj negociues. Ndër çështjet që kanë ndikuar në proces janë sundimi i ligjit dhe mospërputhja e plotë e politikës së jashtme të Beogradit me atë të BE-së.

Serbia, ndër të tjera, nuk u është bashkuar sanksioneve të Bashkimit Evropian ndaj Rusisë pas pushtimit të Ukrainës.

Rubio, megjithatë, nuk sqaroi nëse këto çështje apo zhvillime të tjera në rajon ishin ato që kishte parasysh kur foli për çështje “potencialisht problematike dhe shpërthyese”. 

Ka dhuruar gjak 168 herë! 80-vjeçari mban rekord në Maqedoninë e Veriut

0

Në aksionin e rregullt për dhurimin e gjakut që u zhvillua në Kryqin e Kuq në Koçan, ishte i pranishëm edhe rekorderi shtetëror dhe lokal në dhurimin e gjakut, Dimitar Velkov – Marjanata.

Në ambientet e Kryqit të Kuq në Koçan, ai nuk u paraqit me duar “bosh”. Me vete solli kujtime të çmuara, artikuj të vjetër gazetash me emrin e tij dhe pa fund rrëfime për dhurimin e gjakut dhe dhuruesit, të cilat dëshmojnë për një kohë, për një humanizëm të madh dhe për një jetë të përkushtuar për t’u ndihmuar të tjerëve.

Marjanata nga Koçani ka dhuruar gjak plot 168 herë!

Ai sot ndau me të rinjtë se për herë të parë dhuroi gjak në moshën vetëm 17-vjeçare, në vitin e largët 1963. Që nga atëherë e deri në pensionim, dhurimi i gjakut ishte pasioni i tij dhe një pjesë e rëndësishme e jetës së tij.

Dimitar Velkov tashmë ka mbushur 80 vjeç dhe sot jeton një jetë të qetë si pensionist. Ajo që ai ka bërë në fushën e dhurimit të gjakut vazhdon të frymëzojë.

Pas çdo dhurimi, na tha Marjanata, qëndron një histori. Pas 168 dhurimeve – një jetë e tërë e përkushtuar ndaj humanizmit.