Debat i ashpër për ligjin për përfaqësim të drejtë, për opozitën shqiptare është skandaloz, për VLEN-in ligj historik

0

Zëvendëskryeministri i parë, Bekim Sali, i cili e arsyetoi propozim-ligjin, e quajti atë zgjidhje historike me të cilën pas 24 vitesh përfaqësimi i drejtë rregullohet me ligj.

“Ky ligj ka për qëllim që përfaqësimi i drejtë dhe meritokracia të ecin së bashku, sepse institucionet më të larta janë ato që janë profesionale dhe përfaqësuese. Gjithashtu, aspekti kryesor është fakti se ligji është i harmonizuar me Komisionin e Venecias. Pra bëhet fjalë jo për zgjidhje partiake, por për zgjidhje që është në përputhje me standardet evropiane dhe me shtetin e drejtë”, tha Bekim Sali – zëvendëskryeministri i parë.

Halil Snopçe nga Fronti Evropian kritikoi se propozim-ligji nuk është i mirë dhe se është vetëm një zgjidhje formale.

“Kemi një propozim-ligj pro-forma, por i njëjti nuk i plotëson standardet dhe nuk ka mekanizma, nuk ka kornizë kohore për këtë ligj. Partneri juaj VMRO-DPMNE i përgjigjet me një propozim-ligj formal, me të cilin pro-forma mbahet status quo”, u shpreh Halil Snopçe nga Fronti Evropian.

Për këtë replikoi Adnan Azizi nga VLEN, i cili tha se nuk duhet të minimizohet ky ligj që buron nga Marrëveshja Kornizë e Ohrit.

“Do t’ju lutesha që me simbole politike të mos e sensacionalizoni masën dhe opinionin dhe në mënyrë folklorike të mos tentohet të minimizohet një propozim-ligj që është historik dhe shumë i rëndësishëm për shqiptarët në Republikën e Maqedonisë së Veriut”, potencoi Adnan Azizi nga VLEN.

Skender Rexhepi e quajti propozim-ligjin skandaloz dhe të papërdorshëm.

“Që një propozim-ligj të jetë i suksesshëm duhet të ketë mekanizma që garantojnë suksesin. Mekanizmi i parë është që përfaqësimi i drejtë të ketë kuota etnike. Në mungesë të kuotave etnike, kjo do të thotë se ky propozim-ligj hidhet në kosh. Nëse gjatë punësimit nuk ka kuota që u garantojnë komuniteteve, atëherë ai propozim-ligj është i papërdorshëm”, theksoi Skender Rexhepi nga Fronti Evropian.

Sipas dispozitave, përfaqësimi i drejtë në institucione duhet të bazohet në të dhëna reale nga regjistrimi i fundit dhe në nevojat konkrete për punësim.

Përplasje LSDM-VMRO për tenderët publikë! Akuza të reja për “skema” kompanish që marrin tenderë

0

Opozita LSDM pretendon se përmes prokurimeve publike po krijohet një rreth i mbyllur kompanish që fitojnë kontrata milionëshe nga institucionet dhe komunat nën kontrollin e pushtetit. Sipas partisë, kompani si “Lendi Group”, “Pyramid Building Solutions” dhe “Masev” marrin vazhdimisht projekte ndërtimi, ndërsa për mbikëqyrje dhe projektim përsëriten dy firma të njëjta.

“Këto kompani të preferuara për tenderë të qeverisë kanë vetëm dy kompani po ashtu të preferuara me projektues dhe mbikëqyrje të përbashkët. Në dhjetëra komuna dhe institucione në të gjithë vendin përsëritet i njëjti model: të njëjtët ndërtues fitojnë tenderë milionësh, ndërsa mbi ta punojnë vetëm dy kompani – MG Project dhe MBM Architects”, tha Jon Fërçkovski nga LSDM.

Nga LSDM thotë se ky model përsëritet në disa komuna dhe institucione në vend, duke krijuar një skemë biznesi për përfitim nga mjetet publike. VMRO-DPMNE reagoi ndaj këtyre deklaratave, duke vlerësuar se kompanitë që ai i përmendi kanë fituar rregullisht tenderë nga ministra, drejtorë dhe kryetarë komunash të LSDM-së. Në reagim thuhet se Fërçkoski po paraqet si zbulim të dhëna që, sipas tyre, janë publike dhe të qasshme përmes sistemit elektronik të prokurimeve publike.

“Të gjitha kompanitë e përmendura janë kompani që punojnë prej kohësh, aplikojnë rregullisht në prokurimet publike dhe, në përputhje me ofertën më të favorshme, fitojnë tenderët. Se këtu nuk ka as skandal dhe as ndonjë zbulim nga AKT i LSDM-së, tregon edhe fakti që të njëjtat kompani, “MG Project DOOEL Shkup” dhe “MBM Architects DOOEL Shkup”, kanë marrë pjesë në prokurime publike dhe kanë fituar tenderë edhe gjatë periudhës së qeverisjes së LSDM-së”, potencojnë nga VMRO-DPMNE.

Nga VMRO-DPMNE i rekomandojnë LSDM-së dhe Jonit që të drejtohen te udhëheqja e tyre, konkretisht te kryetari Venko Filipçe, dhe të pyesin për burimet e parave për vilat luksoze në Vodno, si dhe për vizën e artë dhe banesën në Dubai.

Sulm me zjarr ndaj makinave të Ambasadës bullgare në Shkup! Shkupi dhe Sofja dënojnë aktin vandal

0

Në pikë të ditës, një person nxjerr nga qesja një shishe me benzinë dhe i spërkatë dy makina diplomatike të Ambasadës Bullgare në Shkup, duke iu vënë zjarrin.

Në pamjet e publikuara nga media bullgare “BG-NES” shihet një burrë, që nuk mbante as kapelë e as syze, kryen sulmin dhe ikën. Policia doli në vendngjarje pas pak minutash!

“Nga policia thonë se dy makinat i përkasin ambasadës së Bullgarisë dhe kanë targa diplomatike, por thonë se nuk ka të lënduar dhe se zjarri është fikur shpejtë nga Njësiti i zjarrfikësve të Shkupit dhe se po ndërmerren masa për zbardhjen e rastit”, raporton gazetari i TV21, Adnan Qaili.

Nga Ministria e brendshme thonë se në orën 12:13, policia mori njoftimin se në rrugën “Zllatko Shnajder” përpara Ambasadës së Bullgarisë ka shpërthyer zjarr në dy automjete pasagjerësh të tipit Kia dhe tjetri tipi Suzuki. Akoma nuk dihen motivet e kësaj zjarrvënie të qëllimshme.

Ministria e jashtme e Bullgarisë e dënon ashpër këtë akt, siç e quajnë, demonstrativ agresioni, i cili rrezikon shëndetin dhe jetën e punonjësve të ambasadës bullgare në Shkup. Ata kërkojnë hetim të shpejtë dhe zbardhje të rastit. Shtojnë se shteti bullgar do të vazhdojë të përdorë të gjitha mekanizmat e vendosur për t’iu kundërvënë përpjekjeve për krijimin e një atmosfere frike për bullgarët në Maqedoninë e Veriut.

“Ky sulm i radhës ndaj Bullgarisë dhe bullgarëve është rezultat i fjalorit agresiv politik që nxit urrejtje dhe mungesës së reagimit adekuat të institucioneve në raste të mëparshme të ngjashme, të cilat krijojnë ndjenjë pandëshkueshmërie për autorët. Kujtojmë se pas djegies së fundit në Republikën e Maqedonisë së Veriut ndaj Klubit Kulturor Bullgar në qytetin e Manastirit, në vend që të merrte ndëshkim adekuat, zjarrvënësi u heroizua dhe u përfshi në një fushatë politike zgjedhore”, thonë nga Ministria e Punëve të Jashtme të Bullgarisë.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut dhe Ministria e Jashtme e dënuan ashpër vandalizmin para Ambasadës. Në reagim thuhet se shteti ka kapacitet dhe do të përgjigjet me të gjithë forcën e institucioneve dhe nuk do të lejojmë që individët të dëmtojnë reputacionin e Maqedonisë.

“Veprime të tilla përfaqësojnë një sulm ndaj parimeve të sigurisë, marrëdhënieve diplomatike dhe të drejtës ndërkombëtare dhe nuk duhet të ndodhin në një shtet demokratik. Institucionet kompetente tashmë po marrin masa intensive për të sqaruar plotësisht rastin dhe për të identifikuar autorët. Si Qeveri, duam të dërgojmë një mesazh të qartë se çdo përpjekje për të shkaktuar tension, për të përhapur urrejtje ose për të prishur sigurinë do të sanksionohet në masën maksimale”, potencojnë nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut.

Ky incident nuk është i pari i këtij lloji që ndodh ndaj Ambasadës së Bullgarisë në Shkup, pasi më 11 janar 2026 ndodhi edhe një sulm tjetër kur një person i panjohur theu xhamin e derës hyrëse të ambasadës dhe u largua nga vendi i ngjarjes, ndërsa më pas autoritetet e identifikuan dhe e arrestuan të dyshuarin, duke e trajtuar rastin si vandalizëm ndaj misionit diplomatik.

Do të ketë debat publik për ligjin e lojërave të fatit, komisioni miraton kërkesat e industrisë dhe opozitës

0

Komisioni për Financa dhe Buxhet ka miratuar me 10 vota “për” organizimin e një debati publik për Ligjin për lojërat e fatit dhe lojërat argëtuese, pa asnjë votë kundër apo të përmbajtur, transmeton TV21.

Vendimi u mor pas tre kërkesave të dorëzuara nga grupi parlamentar i LSDM-së, asociacioni APIS dhe përfaqësues të industrisë së lojërave të fatit në kuadër të Odës Ekonomike.

Asociacioni APIS e ka mirëpritur vendimin për debat publik, duke theksuar se për herë të parë u jepet mundësi sektorit të kontribuojë me ekspertizë në hartimin e ligjit.

Ata vlerësojnë se deri tani industria nuk është përfshirë mjaftueshëm në proces, ndonëse sipas tyre zbatojnë një nga ligjet më të rrepta në rajon dhe kanë përvojë të drejtpërdrejtë në këtë fushë.

Sipas propozim-ligjit aktual, parashikohen kufizime të rrepta për reklamimin e lojërave të fatit, përfshirë ndalimin e promovimeve që i paraqesin si rrugë drejt suksesit financiar, si dhe ndalimin e përdorimit të figurave publike dhe targetimit të të miturve.

Gjithashtu, objektet e lojërave të fatit duhet të jenë të paktën 500 metra larg shkollave, ndërsa brenda kësaj zone ndalohet vendosja e pajisjeve elektronike për lojëra fati./TV21

Trotinetët elektrikë kthehen në rrezik për fëmijët! Mjekët kërkojnë ndalim, policia rrit kontrollet në rrugë

0

Mjeti i preferuar e momentit po kthehet në makthin e prindërve dhe mjekëve në Tetovë. Çdo javë, dyert e ortopedisë mbushen me fëmijë që pësojnë lëndime të rënda pas rënieve trotinetët elektrikë.

Mjeku Haris Karaxhenemi u bën thirrje prindërve që t’ua ndalojnë fëmijëve këto mjete, pasi pasojat mbi sistemin skeletor mund të jenë të pariparueshme për të ardhmen e tyre.

“Alarmant është numri i rasteve që paraqiten në ambulantën tonë, dhe është në rritje. Apelojmë prindërit dhe institucionet shtetërore që të bëjnë çmos për parandalimin e përdorimit të trotineteve nga fëmijët. Çdo javë kemi nga katër pesë raste lëndimesh të fëmijëve sidomos. Andaj edhe një herë të ndalohet përdorimi i trotineteve nga fëmijët. Disa nga këto lëndime shkaktohen edhe në zonat e rritjes së eshtrave mund të lënë pasoja për të ardhmen, deformitete gjatë zhvillimit apo rritjes së sistemit skeletor”, tha Haris Karaxhenemi.

Ky alarm ka vënë në lëvizje edhe Sektorin e Punëve të Brendshme në Tetovë. Policia ka shtuar dukshëm masat e kontrollit jo vetëm për trotinetët, por edhe për motoçikletat që qarkullojnë pa rregulla. Vetëm gjatë ditës së djeshme në rajonin e Tetovës janë zbuluar dhjetëra shkelje, ku nuk kanë munguar as konfiskimet e mjeteve.

“SPB Tetovë dhe MPB ka rritur masat dhe aktivitetet kontrolluese, me qëllim zvogëlimin e numrit të shkeljeve që ndodhin dhe sanksionimin e drejtuesve që nuk respektojnë rregullat. Vetëm dje në rajonin e Tetovës, janë konstatuar gjithsej dhjetë shkelje, pra pesë për mos mbajtje helmete mbrojtëse, katër drejtim i pakujdeshshëm i automjetit dhe janë konfiskuar motoçikletat, si dhe është konstatuar edhe një shkelje për drejtim të automjetit me kategori të papërshtatshme”, tha Fatmir Rexhepi.

Bilanci total i aksioneve të fundit nga njësiti mobil kap shifrën e 71 masave të shqiptuara për kundërvajtje dhe vepra penale në trafik. Autoritetet paralajmërojnë se kontrollet e rrepta do të jenë të vazhdueshme. Qëllimi është parandalimi i aksidenteve me pasoja fatale, përpara se trotinetet dhe motorët të marrin jetë njerëzish.

“E-mësime” për administratën publike! Memorandum bashkëpunimi mes Ministrisë së Administratës Publike dhe BE-së

0

Ajo që u firmos nga të dyja palët, mori edhe vulën e BE-së.
Aplikimi i mjetit online për mësimin e të drejtave të njeriut për zyrtarët administrativë solli nënshkrimin e Memorandum bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së administratës publike dhe BE-së. Ministri Minçev tha se ky është një mjet për edukim plotësues të administratës publike, por jo kusht për hapat e BE-së.

“Kjo është pjesë e strategjisë për reformat në administratën publike 2023-2030, por është pjesë e agjendës sonë reformuese. Nëse mendoni konkretisht për plotësimin e hapave tonë drejt BE-së: Jo, por është një mjet që është pjesë e strategjisë më të gjerë, e cila mundëson edukimin që është një nga prioritet tona më të larta si Ministri e administratës publike dhe ndërlidhet me ligjin e miratuar për formimin e akademisë, e cila duhet të funksionoj praktikisht nga 01.01.2027”, tha Goran Minçev.

Projektit për sundimin e ligjit mbështet nga Bashkimi Evropian dhe gjatë promovimit të mjetit online të edukimit të Administratës publike, Ambasadori i BE-së në Shkup Mihalis Rokas tha se vendet kandidate duhet t’i avancojnë praktikat anti-diskriminuese, barazinë shoqërore dhe mbrojtjen e të drejtave klasore.

“Si të respektoni të drejtat e njeriut dhe të luftoni kundër të gjitha forcave diskriminuese, pavarësisht origjinës dhe kushteve të secilës shoqëri. Të drejtat e njeriut nuk janë principe abstrakte, por janë themele të dinjitetit njerëzor, kohezionit social dhe rezistencës demokratike, duke i fuqizuar individët për të ndërtuar gjithëpërfshirje demokratike dhe shoqëri rezistente ndaj diskriminimit e korrupsionit”, tha Mihalis Rokas.

Sipas autoriteteve, numri i administratës publike, pa përjashtuar as Ministrinë e Brendshme dhe Ministrinë e Mbrojtjes, është rreth 130 mijë të punësuar. Nga ky numër ka një ulje të natyrshme, por edhe ngritje të natyrshme si plotësim i vendeve që janë liruar në administratë, bie fjala pensionimet ose riorganizimet, por Minçev tha se nuk ka përjashtime nga puna e shtetit.

Shtrenjtohen karburantet! Nga mesnata çmime të reja

0

Nga sonte në mesnatë, çmime të reja të karburanteve. Komisioni Rregullator për Energjetikë vendosi që benzinat të shtrenjtohen nga 1,5 deri në 2 denarë për litër, ndërsa dizeli për gjysmë denari. Ulen çmimet e vajit ekstra të lehtë për amvisëri dhe “mazutit”. Çmimi me pakicë i benzinës “eurosuper BS-95” rritet për 1,5 denarë dhe nga mesnata do të shitet me çmim prej 87,5 denarë, ndërsa “eurosuper BS-98” shtrenjtohet për dy denarë dhe çmimi i ri do të jetë 90 denarë për litër.

Dizeli shtrenjtohet për gjysmë denari dhe do të shitet me çmim prej 87,5 denarë për litër. Çmimi me pakicë i vajit ekstra të lehtë për amvisëri ulet për 2,50 denarë, me ç’rast çmimi i ri do të jetë 86,5 denarë. Ulet edhe çmimi me pakicë i “mazutit”, i cili tani do të shitet me çmim prej 46,2 denarë për kilogram.

Pekini, shtatë filma nga Maqedonia e Veriut takohen me publikun kinez

0

Panorama e Filmit të Maqedonisë së Veriut u zhvilluan nga 5 deri më 14 qershor në Pekin, duke sjellë për publikun kinez një sërë filmash që pasqyrojnë historinë, kulturën dhe jetën e këtij vendi ballkanik.

Aktiviteti organizohet nga Ambasada e Maqedonisë së Veriut në Kinë, në bashkëpunim me partnerët kinezë të fushës së kinemasë.

Në fjalën e tij, ambasadori i Maqedonisë së Veriut në Kinë Sashko Nasev theksoi rëndësinë e shkëmbimeve kulturore në afrimin e popujve dhe forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve. Sipas tij, filmat janë një nga mënyrat më të lehta për t’i afruar njerëzit me vende të ndryshme, sidomos kur bëhet fjalë për filma të mirë. Ai shtoi se qëllimi kryesor i këtij aktiviteti është që publiku të njohë më mirë vende dhe kultura të ndryshme.

Pas ceremonisë së hapjes, publiku ndoqi filmin dokumentar “Tokën e mjaltit”, një vepër e vlerësuar në festivale ndërkombëtare dhe e nominuar për dy çmime Oscar.

Producenti dhe montazhieri i filmit “Tokës së mjaltit”, Atanas Georgiev, ndau me publikun kinez përvojën e tij krijuese. Ai theksoi se Maqedonia e Veriut ka histori të veçanta për të treguar përmes kinemasë.

Sekretarja e Përgjithshme e Festivalit të Filmit Kinë-BE, Yuan Mengqian, tha se kjo është hera e parë që filma nga Maqedonia e Veriut sillen në Kinë në këtë formë. Ajo u shpreh se, përmes tyre, publiku kinez mund të njohë më mirë kulturën, historinë dhe mënyrën se si ky vend shprehet përmes artit kinematografik.

Sipas saj, në tetor të këtij viti do të organizohet gjithashtu një javë e filmit kinez në Maqedoninë e Veriut, duke krijuar një shkëmbim të ndërsjellë përmes kinemasë.

Panorama solli histori nga Ballkani për publikun kinez dhe krijoi një hapësirë të re dialogu përmes gjuhës së filmit.

Mickoski: Javën e ardhshme pritet rënie e çmimeve të karburanteve

0

Lajmet për marrëveshjen mes SHBA-së dhe Iranit kanë shkaktuar rënie të menjëhershme të çmimeve të naftës në tregjet botërore. Kontratat e Brent ranë me 4.02% në 83.82 dollarë për fuçi, ndërsa nafta US West Texas u ul me 4.63%, në 80.95 dollarë për fuçi. I pyetur për çmimet e derivateve në Maqedoni, kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se pret që çmimet e karburanteve të jenë stabile ose të lëvizin lehtë, me ndryshime minimale për naftën dhe benzinën në ditët në vijim. Ai shtoi se javën e ardhshme pritet ulje më e ndjeshme e çmimeve, duke theksuar se Maqedonia mbetet ndër vendet me karburantet më të lira në rajon.

“Vendimi që duhet ta sjellë KRRE ka të bëjë me javën e kaluar. Sipas përllogaritjeve tona, sepse ndërpritet gjendja e krizës, për shkak se marrëveshja është arritur, pres që çmimet të lëvizin në kuadër të gjysmë denari ose të mbeten të njëjta, kur bëhet fjalë tek lënda dizel dhe rreth 1,5 deri në 2 denarë rritje e benziave, e javën e ardhshme pres ulje të dukshme, sepse sot çmimet e bursës për naftën dhe derivatet e naftës kanë rënë në mënyrë dramatike, lëvizin diku rreth 82-83 dollarë për fuçi, andaj javën e ardhshme pres rënie më të madhe, përndryshe edhe më tej mbetemi vendi që ka çmimet më të ulëta të benzinave dhe dizelit në rajon”, tha Mickoski.

Britania ndalon rrjetet sociale për nën 16-vjeçarët

0

Britania e Madhe do të ndalojë përdorimin e rrjeteve sociale nga të miturit nën 16 vjeç dhe do të vendosë kufizime në platformat e lojërave dhe transmetimeve të drejtpërdrejta.

Kryeministri britanik Keir Starmer tha se ndryshimet do të pasqyrojnë vlerat e vendit, në mbrojtjen e fëmijëve online.  Sipas tij, ky vendim do i bëjë fëmijët më të sigurt, më të lumtur dhe do u japë më shumë liri e mundësi për t’u rritur.

Përveç ndalimit të faqeve të tilla si TikTok, Snapchat dhe Instagram, Britania do të ndërmarrë veprime kundër shërbimeve të lojërave dhe transmetimeve të drejtpërdrejta që u lejojnë fëmijëve të flasin me të huaj.

Qeveria tashmë ka kompetencat për të ndërmarrë hapat e parë në çdo ndalim, me rregullore që do të pasojnë deri në fund të vitit dhe një ndalim që do të hyjë në fuqi rreth pranverës së ardhshme.

Britania e ka ashpërsuar gjithnjë e më shumë qasjen e saj ndaj kompanive të teknologjisë në vitet e fundit, duke i nxitur ose detyruar ato të imponojnë verifikimin e moshës, të përshtasin algoritmet e tyre dhe, së fundmi, të parandalojnë fëmijët nga qarkullimi i imazheve nudo të bëra në telefonat celularë.

Londra ndjek kështu shembullin e Australisë, e cila ishte vendi i parë që ndaloi mediat sociale për fëmijët nën 16 vjeç, duke i bllokuar ata dhjetorin e kaluar nga platformat SI TikTok, YouTube dhe Instagram dhe Facebook.