Kryeministri Hristijan Mickoski, gjatë vizitës së tij në Nju Jork, zhvilloi disa takime dypalëshe me përfaqësues të lartë, ku u shkëmbyen mendime për perspektivën evropiane të vendit, bashkëpunimin rajonal, sigurinë dhe sfidat aktuale globale.
Siç njoftuan nga Qeveria, kryeministri Mickoski gjatë ditës së djeshme zhvilloi takim me presidentin e Republikës së Finlandës, Aleksander Stub, me të cilin biseduan për rëndësinë e paqes, dialogut dhe lidershipit të përgjegjshëm, si dhe për respektimin e së drejtës ndërkombëtare dhe forcimin e bashkëpunimit multilateral. Në takim, siç shtohet, u theksua edhe rëndësia e përpjekjeve të përbashkëta për ndërtimin e një Evrope stabile dhe të sigurt.
Fokusi i takimit dypalësh me kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ishte avancimi i marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, thellimi i bashkëpunimit rajonal, si dhe sfidat dhe mundësitë e përbashkëta për zhvillimin e të dyja shteteve.
Kryeministri Mickoski zhvilloi takim dypalësh edhe me kryeministrin e Republikës së Kroacisë, Andrej Plenkoviq, ku u shkëmbyen mendime për perspektivën evropiane të Maqedonisë, vazhdimin e proceseve reformuese në përputhje me standardet evropiane, avancimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe forcimin e bashkëpunimit rajonal.
Kryeministri Mickoski zhvilloi gjithashtu takim me përfaqësuesen e lartë të Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Kaja Kallas, ku u shqyrtuan sfidat aktuale rajonale, mundësitë për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dhe prioritetet e përbashkëta të orientuara drejt një rajoni stabil dhe të sigurt.
Takimet në Nju Jork konfirmojnë përcaktimin e Maqedonisë për një rol aktiv dhe konstruktiv në komunitetin ndërkombëtar, forcimin e partneriteteve dhe thellimin e bashkëpunimit me partnerët evropianë dhe rajonalë.
Maqedonia mbetet e përkushtuar ndaj reformave, integrimit evropian, marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe ndërtimit të një rajoni stabil, të sigurt dhe të prosperuar, thuhet në njoftimin e shërbimit për shtyp të Qeverisë.





