Sveçla: Raporti nxjerr në pah shkelje serioze të Policisë në rastin e Arlinda Zekajt

0

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se 11 zyrtarë policorë janë suspenduar nga detyra pas gjetjeve të raportit për trajtimin e rastit të Arlinda Zekajt, e cila u vra më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës.

Në një konferencë për media, Sveçla ka deklaruar se raporti i përgatitur përmes Inspektoratit Policor të Kosovës ka evidentuar shkelje serioze në veprimet dhe mosveprimet e zyrtarëve policorë, përfshirë edhe pjesëtarë të zinxhirit komandues në Pejë.

Sipas ministrit, pas kërkesës së kryeministrit Albin Kurti për shqyrtimin e rastit, gjatë 72 orëve janë verifikuar veprimet e Policisë së Kosovës dhe janë analizuar mangësitë në trajtimin e kërkesave të Arlinda Zekajt për mbrojtje.

Sveçla ka thënë se raporti i është dorëzuar kryeministrit një ditë më parë dhe se gjetjet e tij kanë konfirmuar shqetësimet e ngritura lidhur me mënyrën se si ishte trajtuar rasti.

Sipas tij, 11 zyrtarët e suspenduar janë drejtori rajonal i Policisë në Pejë, shefi i hetimeve rajonale në Drejtorinë Rajonale të Policisë në Pejë, komandanti dhe zëvendëskomandanti i Stacionit Policor në Pejë, shefi i sektorit të hetimeve dhe shefi i sektorit të operativës në këtë stacion, komandanti i Nënstacionit Policor në Vitomiricë, si dhe katër hetues të Stacionit Policor në Pejë.

Katër shkeljet që Sveçla thotë se janë evidentuar

Ministri ka renditur disa nga shkeljet që, sipas raportit, janë identifikuar gjatë trajtimit të rastit të Zekajt.

Ndër to përfshihen moszbatimi i urdhrit të parë për mbrojtje, vonesat në zbatimin e urdhrit të dytë për mbrojtje, mospërfillja e kërkesës për rivlerësimin e nivelit të rrezikut, si dhe mosndërmarrja e masave të nevojshme për të rritur kapacitetet policore me qëllim garantimin e sigurisë së saj.

Sveçla ka thënë se këto janë ndër shkeljet më serioze të evidentuara deri në këtë fazë, ndërsa ka paralajmëruar se hetimet e mëtejshme mund të nxjerrin në pah edhe fakte dhe përgjegjësi të tjera.

Ai ka theksuar se gjetjet e raportit pritet të trajtohen dhe vlerësohen edhe nga Prokuroria.

Sveçla: Asnjë suspendim nuk është i mjaftueshëm pa hetim të plotë

Gjatë konferencës, ministri ka deklaruar se suspendimi i zyrtarëve policorë nuk duhet të konsiderohet si përfundim i trajtimit të përgjegjësive për rastin.

Sipas tij, duhet të zhvillohet një hetim i plotë dhe të përcaktohet përgjegjësia ligjore për çdo neglizhencë, raportim të patrajtuar me seriozitet dhe paralajmërim që nuk ka marrë reagimin e duhur institucional.

“Asnjë uniformë, asnjë gradë dhe asnjë pozitë komanduese nuk mund të shërbejë si mburojë ndaj përgjegjësisë”, ka deklaruar Sveçla.

Ai ka shtuar se institucionet kanë përgjegjësi të sigurohen që çdo veprim dhe mosveprim në këtë rast të hetohet deri në fund.

Policia ka identifikuar 155 raste me rrezikshmëri të lartë

Përveç rastit të Arlinda Zekajt, Sveçla ka bërë të ditur se me kërkesë të kryeministrit Kurti është përpiluar edhe një raport i veçantë për rastet aktive me rrezikshmëri të lartë që janë duke u monitoruar nga Policia e Kosovës.

Sipas tij, në këtë raport janë identifikuar 155 raste aktive me rrezikshmëri të lartë, për të cilat Policia ka raportuar individualisht lidhur me veprimet dhe masat e ndërmarra.

Ministri ka thënë se raporti përfshin edhe rastet e vlerësuara me rrezikshmëri të mesme dhe të ulët.

Ndërkaq, lidhur me mbikëqyrjen elektronike, Sveçla ka deklaruar se institucionet kanë siguruar pajisjet dhe mekanizmat e nevojshëm që nga viti i kaluar, si instrument shtesë për mbrojtjen e personave në rrezik.

Sipas tij, aktualisht 70 raste janë nën monitorim elektronik.

Rasti i Arlinda Zekajt ka nxitur reagime dhe protesta, ku janë kërkuar përgjegjësi për mënyrën se si institucionet e trajtuan atë para vrasjes së saj.

Volkswagen në humbje prej 5.8 miliardë eurosh, 50 mijë vende pune në rrezik

0

Gjiganti gjerman i automobilave “Volkswagen” ka regjistruar rënie të të ardhurave dhe humbje të mëdha financiare gjatë tremujorit të tretë të këtij viti. Të ardhurat nga korriku deri në shtator kanë rënë për 6.3 për qind, në 75.3 miliardë euro, ndërsa numri i automjeteve të dorëzuara ka shënuar rënie prej 14.3 për qind, në 1.89 milionë.

Si pasojë, kompania ka regjistruar humbje neto prej 5.8 miliardë eurosh. Një ndikim të madh në këto rezultate ka pasur edhe tregu kinez, raporton “Der Spiegel”.

Ndër arsyet kryesore për rezultatet e dobëta janë zhvlerësimi prej 6.4 miliardë eurosh i lidhur me markën “Porsche”, dobësimi i aktivitetit afarist në Kinë, si dhe shpenzimet për ristrukturimin e grupit. Sipas raportimeve, vetëm gjatë tremujorit të tretë, “Volkswagen” ka pasur shpenzime të jashtëzakonshme në vlerë prej 7.8 miliardë eurosh.

Edhe pse zhvlerësimi i lidhur me “Porsche” nuk nënkupton dalje reale të parave nga kompania, ai ka ndikuar ndjeshëm në uljen e fitimit operativ të raportuar.

“Rezultatet për nëntë muajt e parë tregojnë qartë se nuk duhet të humbim kohë dhe se duhet të veprojmë shpejt dhe me vendosmëri”, deklaroi drejtori financiar i grupit, Arno Antlitz.

Ndërkohë, sipas portalit „B-92“, kjo situatë mund të çojë në largimin nga puna të rreth 50 mijë punonjësve.

Marka „Porsche“, dikur një nga segmentet më fitimprurëse të grupit, prej kohësh po përballet me krizë. Sfidat kryesore përfshijnë rënien e shitjeve në Kinë, politikat doganore të SHBA-së, si dhe ndryshimet në strategjinë e kompanisë për elektrifikimin e automjeteve.

Edhe pse rezultatet e saj afariste kohët e fundit kanë shfaqur shenja stabilizimi, presioni financiar mbi të gjithë grupin „Volkswagen“ mbetet i lartë.

Gërvalla: Arlinda nuk u vra pa paralajmërim, institucionet kishin marrë sinjale serioze për rrezikun që i kanosej 

0

Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka bërë të ditur se institucionet përgjegjëse ishin njoftuar disa herë për rrezikun serioz me të cilin përballej Arlinda Zekaj, e cila u vra më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës.

Gjatë një konference për media, ku po prezanton gjetjet lidhur me trajtimin institucional të rastit, Gërvalla ka evidentuar një sërë problemesh në veprimet e institucioneve, përfshirë vonesa, mangësi dhe raste të mosveprimit, bazuar në dokumentacionin e shqyrtuar deri më tani.

Ajo ka sqaruar se periudha e përfshirë në raport nis më 10 korrik, kur Zekaj kishte bërë raportimin e parë, dhe përfundon me vrasjen e saj më 25 tetor. Sidoqoftë, raporti mbetet ende i papërfunduar, pasi disa institucione nuk kanë dorëzuar dokumentacionin e plotë të kërkuar ose nuk janë përgjigjur fare ndaj kërkesave.

“Raporti mbështetet në dokumentacionin e siguruar nga institucionet përgjegjëse, dhe analizon veprimet por edhe mosveprimet e tyre nga raportimi i parë i Arlinda Zekajt më 10 korrik, e deri te vrasja e saj më 25 tetor. Raporti është vetëm pjesërisht i plotë. Sepse Zyra e Koordinatores nuk ka marrë përgjigje të detajuar nga të gjitha institucionet përgjegjëse. Prej disa prej tyre, madje nuk kemi marrë asnjë përgjigje deri tash. Për disa çështje, presim ende dokumentacion shtesë dhe sqarime shtesë. Megjithatë, dokumentacioni i shqyrtuar deri tani nxjerr në pah mangësi serioze: vonesa dhe mosveprime institucionale. Konstatimi më shqetësues është se Arlinda Zekaj nuk u vra pa paralajmërim. Institucionet përgjegjëse kishin marrë paralajmërime të përsëritura dhe serioze për rrezikun ndaj jetës së saj”, ka deklaruar Gërvalla.

Duke paraqitur kronologjinë e rastit, ministrja ka bërë të ditur se më 10 korrik 2026, Arlinda Zekaj kishte raportuar në Policinë e Kosovës dhunën fizike dhe psikologjike nga bashkëshorti i saj i parë.

Sipas Gërvallës, ajo kishte raportuar kërcënimet, kishte dorëzuar prova për veprimet e dhunshme dhe e kishte informuar policinë se bashkëshorti posedonte armë me leje.

“Një tjetër shqetësim i vazhdueshëm ishte pamundësia për t’u kthyer në shtëpinë e përbashkët dhe për të pasur kontakt të rregullt me djalin e saj, 12-vjeçar. Megjithëse bashkëpronare e shtëpisë ajo raportonte se bashkëshorti, por edhe familjarë të bashkëshortit të cilët qëndronin aty kundër vullnetit të saj, e pengonin të hynte në pronën e saj. Më 7 shtator, Arlinda Zekaj kërkoi urdhër mbrojtje emergjente nga Gjykata Themelore në Pejë. Po atë ditë, ajo i shkroi gjykatës se kishte frikë për jetën e saj dhe të fëmijës së saj. Pra, rreziku ishte raportuar, shprehimisht, dhe ishte i dokumentuar”, ka thënë Gërvalla.

Rriten çmimet e naftës pas sulmeve ndaj cisternave në Ngushticën e Hormuzit

0

Çmimet e naftës po vazhdojnë të rriten të premten. Kjo do të jetë rritja e katërt mujore radhazi. Rritja erdhi pasi një numër tankerash u raportua se kishin goditur mina në Ngushticën e Hormuzit, duke nxjerrë në pah rreziqet e vazhdueshme të furnizimit ndërsa konflikti SHBA-Izrael me Iranin hyri në muajin e tij të tetë.

Nafta e papërpunuar Brent u rrit me 1.20 dollarë, ose 1.04 përqind, duke arritur në 116.08 dollarë për fuçi, ndërsa kontratat e ardhshme të naftës së papërpunuar të Teksasit Perëndimor (WTI) në SHBA u rritën me 1.37 dollarë, ose 1.34 përqind, në 103.37 dollarë për fuçi.

Për muajin, Brent ishte në rrugë të mbarë për të përfunduar me gati 11 përqind më lart, ndërsa WTI po shkonte drejt një rritjeje prej 14 përqind.

Aktori Agan Asllani njofton për vdekjen e vëllait, Berati nuk u mbijetoi plagëve nga aksidenti me motoçikletë

0

Ka ndërruar jetë Berat Asllani nga Mitrovica, i cili disa ditë më parë ishte aksidentuar me motoçikletë në këtë qytet.

Lajmin e hidhur e ka bërë të ditur vëllai i tij, aktori i njohur Agan Asllani, përmes një njoftimi në rrjetet sociale.

“Me dhimbje të thellë dhe zemër të thyer, por me besim të plotë në caktimin e Allahut, njoftoj familjarët, miqtë dhe dashamirët se sot u nda nga jeta vëllai ynë i dashur, Berat Asllani”, ka shkruar Agani.

Familja ka bërë të ditur se për kohën e varrimit do të njoftojë me kohë.

Sulm masiv ndaj Moskës! Ukraina sulmoi kryeqendrës ruse me 862 dronë

0

Kryetari i Moskës, Sergej Sobjanin, deklaroi mëngjesin e sotëm se gjatë natës është tentuar një sulm me dronë ukrainas ndaj kryeqytetit rus, të cilin e cilësoi si një nga sulmet më masive të këtij viti.

Sipas Sobjaninit, nga mbrëmja e kaluar deri në mëngjes, drejt rajonit të Moskës janë dërguar 862 dronë pa pilot.

Forcat ruse të mbrojtjes ajrore kanë neutralizuar shumicën e dronëve që i janë afruar rajonit, ndërsa 170 prej tyre janë rrëzuar gjatë afrimit drejt kryeqytetit rus, raportojnë mediat ruse.

Sulmi i mëparshëm i madh me dronë ndaj Moskës ishte regjistruar natën mes 28 dhe 29 tetorit, kur, sipas raportimeve, ishin dërguar rreth 613 dronë.

Duke komentuar sulmin e fundit, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se është „e pazakontë“ që Kievi tentoi të sulmojë Moskën me dronë në kohën kur po mbahej samiti Rusi-Afrikë.

Ndërkaq, një tjetër sulm i madh me dronë ndaj kryeqytetit rus ishte regjistruar natën mes 19 dhe 20 shtatorit. Sipas njoftimit të autoriteteve ushtarake ruse, atëherë ishin shkatërruar rreth 1.600 dronë, prej të cilëve 450 dyshohet se ishin drejtuar drejt Moskës.

Hakohet gjiganti i kriptovalutave, Binance

0
FILE PHOTO: Police work near the scene of a fatal shooting, where police shot multiple people at a remote Queensland property after an ambush in which two officers and a bystander were also killed, in Wieambilla, Australia, December 13, 2022. AAP Image/Jason O'Brien via REUTERS ATTENTION EDITORS - THIS IMAGE WAS PROVIDED BY A THIRD PARTY. NO RESALES. NO ARCHIVE. AUSTRALIA OUT. NEW ZEALAND OUT/File Photo

Gjiganti i kriptovalutave Binance deklaroi të enjten se asete digjitale në vlerë prej 6.3 miliardë dollarësh janë prekur nga ajo që mund të jetë sulmi më i madh kibernetik në historinë e industrisë së kriptovalutave.

Platforma më e madhe e kriptovalutave në botë bëri të ditur se rreth gjysma e këtyre aseteve janë ngrirë, ndërsa një pjesë e konsiderueshme vazhdon të jetë në duart e hakerëve. Megjithatë, Binance premtoi se do t’i mbulojë të gjitha humbjet e shkaktuara nga ky incident.

Sipas verifikimeve fillestare, sulmi mund të ketë ndodhur përmes kompjuterit të një inxhinieri të kompanisë, i cili dyshohet se ishte komprometuar nga hakerët. Kjo u kishte mundësuar sulmuesve të kryenin tërheqje të paautorizuara të aseteve digjitale.

Dy kompani të specializuara në analizimin dhe gjurmimin e transaksioneve të kriptovalutave e kanë lidhur sulmin me një njësi hakerësh nga Koreja e Veriut, të njohur si TraderTraitor.

Ky incident e tejkalon ndjeshëm sulmin e vitit 2025 ndaj bursës së kriptovalutave Bybit, ku ishin vjedhur rreth 1.5 miliardë dollarë, duke e bërë atë një nga sulmet më të mëdha të regjistruara deri më tani në këtë industri.

Gjatë viteve të fundit, operativët kibernetikë të lidhur me Korenë e Veriut e kanë përqendruar gjithnjë e më shumë aktivitetin e tyre në sulmet ndaj kompanive të kriptovalutave, me qëllim vjedhjen e sasive të mëdha të aseteve digjitale.


Agjencitë perëndimore të sigurisë kanë deklaruar më parë se paratë e përfituara nga këto vjedhje përdoren për të financuar programet bërthamore dhe zhvillimin e raketave të Koresë së Veriut.

Megjithatë, regjimi i Koresë së Veriut ka mohuar në të kaluarën çdo përfshirje në sulme të tilla kibernetike.

Ndërkohë, dy platforma të tjera të mëdha të kriptovalutave, Tether dhe Circle, njoftuan se kanë ngrirë gjithsej rreth 2.4 miliardë dollarë në asete që lidhen me sulmin e mundshëm ndaj Binance.

Ndërhyrja në ezofag: Kim Kardashian zbulon frikën për kancer pas humbjes së të atit

0

Kim Kardashian është përballur me një problem shëndetësor që ka kërkuar ndërhyrje mjekësore, pasi te ajo janë zbuluar disa anomali në ezofag, pas diagnostikimit me ezofagit.

Në episodin e fundit të reality show-t “The Kardashians”, të transmetuar sot, më 29 tetor, ylli televiziv rrëfeu shqetësimin e saj për gjendjen shëndetësore, veçanërisht për shkak të historisë familjare me kancerin.

“Kam vizituar disa mjekë dhe kohët e fundit e kam shumë në mendje këtë çështje”, u shpreh ajo, duke pranuar se situata e prek edhe emocionalisht.

“Nuk ua kam treguar shumë njerëzve, sepse mendoj se është diçka që më prek shumë personalisht dhe vërtet nuk dua të shkoj deri aty. Meqë babai im vdiq nga kanceri i ezofagut, shpresoj vetëm të mund të marr ilaçe dhe që kjo të kalojë”.

Babai i saj, Robert Kardashian, ndërroi jetë në vitin 2003, në moshën 59-vjeçare, si pasojë e kancerit të ezofagut.

Në pamjet paraprake të episodit të ardhshëm, Kim shfaqet në spital, ku shpjegon se mjekët i kanë rekomanduar heqjen e anomalive të zbuluara.

“Mjeku thotë se ezofagu im ka këto anomali dhe se duhet t’i heq. Është e njëjta gjë që kishte edhe babai im”, dëgjohet të thotë ajo. Në një moment tjetër, nëna e saj, Kris Jenner, shfaqet pranë saj duke u përpjekur ta qetësojë.

Nuk është hera e parë që problemet shëndetësore të Kim Kardashian bëhen pjesë e reality show-t. Në një episod të transmetuar në nëntor të vitit 2025, ajo zbuloi se mjekët i kishin diagnostikuar një aneurizëm në tru. Kardashian pretendoi se kjo gjendje ishte shkaktuar nga stresi i fortë që kishte përjetuar gjatë divorcit nga Kanye West.

Deputetët përleshen me grushte në Parlamentin e Armenisë, seanca ndërpritet pas kaosit

0

Seanca parlamentare në Armeni është shndërruar në një përleshje fizike mes deputetëve të partisë në pushtet dhe opozitës. Incidenti ndodhi gjatë një debati në Kuvend, ku përplasja fillimisht verbale u përshkallëzua në grushte dhe shtyrje mes ligjvënësve.

Gjithçka nisi gjatë fjalimit të deputetit Taron Chakhoyan nga partia në pushtet “Kontrata Civile”, i cili bëri komente ndaj familjarëve të liderit të opozitës, Narek Karapetyan, lidhur me një deklaratë të bërë gjatë fushatës zgjedhore.

Karapetyan reagoi nga vendi i tij dhe më pas iu afrua foltores, ku situata doli jashtë kontrollit. Deputetët u ngritën nga ulëset dhe filluan të godasin njëri-tjetrin me grushte e shqelma. Përleshja vazhdoi edhe në korridoret e parlamentit, ndërsa sigurimi u përpoq t’i ndante palët.

Gjatë incidentit, nënkryetari i Kuvendit, Vahagn Aleksanyan, hodhi një karrige në drejtim të deputetëve të opozitës. Sipas raportimeve të mediave lokale, deputeti opozitar Andranik Gevorgyan u pa me gjakderdhje nga hunda, ndërsa një deputeti tjetër, Ruben Mkhitaryan, iu grisën rrobat.

Pas incidentit u thirr edhe ambulanca, ndërsa kryetari i Parlamentit, Ruben Rubinyan, ndërpreu seancën dhe kërkoi ndërhyrjen e sigurimit.

Më vonë, Rubinyan fajësoi liderin opozitar Narek Karapetyan për nisjen e përplasjes, duke thënë se ai kishte reaguar në mënyrë të papërshtatshme gjatë fjalimit të deputetit nga pushteti.

Televizioni shtetëror i Serbisë u kërkon falje qytetarëve: Duam ta kthejmë besimin

0

Televizioni shtetëror i Serbisë, RTS, e ka nisur edicionin qendror të lajmeve të enjten mbrëma me një mesazh kërkimfaljeje ndaj shikuesve, duke thënë se ky është hapi i parë drejt rikthimit të besimit të publikut te shërbimi publik.

“Të dashur shikues, këta janë hapat e parë drejt, shpresojmë, rimëkëmbjes së RTS-së dhe masa e parë e kërkimfaljes për gjithçka që është lënë jashtë në periudhën e kaluar. Na pret shumë punë në përmbajtjen programore, gjithçka në interes të publikut. Duam ta rikthejmë besimin tuaj”, thuhej në mesazhin e lexuar nga prezantuesi në emër të redaksisë së re të lajmeve.

Mesazhi u transmetua pasi ushtruesi i detyrës së redaktorit të Programit Informativ, Borivoje Uskokoviq, shkarkoi tetë redaktorë të televizionit. Në mesin e tyre janë Vesna Shiljegoviq, Nikolina Rakiq, Gorislav Papiq, Zoran Stanojeviq, Suzana Gvozdenoviq, Milica Nediq, Dushan Uboviq dhe Ruzha Jeremiq Turudiq.

Një ditë më parë, më 28 tetor, dorëheqje kishte dhënë edhe drejtoresha e përgjithshme e RTS-së, Manja Grçiq. Letra e saj e dorëheqjes u lexua në edicionin e dytë të lajmeve. 

Ndryshimet në televizionin publik serb vijnë pas zgjedhjeve parlamentare në Serbi. Sipas rezultateve preliminare të Komisionit Republikan të Zgjedhjeve, Lista e Studentëve ka fituar 140 ulëse, ndërsa Partia Përparimtare Serbe (SNS) e Aleksandar Vuçiqit ka siguruar 104 mandate. 

Ngjashëm si RTS-ja kanë vepruar edhe disa televizione që i kanë shërbyer propagandës së Vuçiqit.