Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka bërë të ditur se institucionet përgjegjëse ishin njoftuar disa herë për rrezikun serioz me të cilin përballej Arlinda Zekaj, e cila u vra më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës.
Gjatë një konference për media, ku po prezanton gjetjet lidhur me trajtimin institucional të rastit, Gërvalla ka evidentuar një sërë problemesh në veprimet e institucioneve, përfshirë vonesa, mangësi dhe raste të mosveprimit, bazuar në dokumentacionin e shqyrtuar deri më tani.
Ajo ka sqaruar se periudha e përfshirë në raport nis më 10 korrik, kur Zekaj kishte bërë raportimin e parë, dhe përfundon me vrasjen e saj më 25 tetor. Sidoqoftë, raporti mbetet ende i papërfunduar, pasi disa institucione nuk kanë dorëzuar dokumentacionin e plotë të kërkuar ose nuk janë përgjigjur fare ndaj kërkesave.
“Raporti mbështetet në dokumentacionin e siguruar nga institucionet përgjegjëse, dhe analizon veprimet por edhe mosveprimet e tyre nga raportimi i parë i Arlinda Zekajt më 10 korrik, e deri te vrasja e saj më 25 tetor. Raporti është vetëm pjesërisht i plotë. Sepse Zyra e Koordinatores nuk ka marrë përgjigje të detajuar nga të gjitha institucionet përgjegjëse. Prej disa prej tyre, madje nuk kemi marrë asnjë përgjigje deri tash. Për disa çështje, presim ende dokumentacion shtesë dhe sqarime shtesë. Megjithatë, dokumentacioni i shqyrtuar deri tani nxjerr në pah mangësi serioze: vonesa dhe mosveprime institucionale. Konstatimi më shqetësues është se Arlinda Zekaj nuk u vra pa paralajmërim. Institucionet përgjegjëse kishin marrë paralajmërime të përsëritura dhe serioze për rrezikun ndaj jetës së saj”, ka deklaruar Gërvalla.
Duke paraqitur kronologjinë e rastit, ministrja ka bërë të ditur se më 10 korrik 2026, Arlinda Zekaj kishte raportuar në Policinë e Kosovës dhunën fizike dhe psikologjike nga bashkëshorti i saj i parë.
Sipas Gërvallës, ajo kishte raportuar kërcënimet, kishte dorëzuar prova për veprimet e dhunshme dhe e kishte informuar policinë se bashkëshorti posedonte armë me leje.
“Një tjetër shqetësim i vazhdueshëm ishte pamundësia për t’u kthyer në shtëpinë e përbashkët dhe për të pasur kontakt të rregullt me djalin e saj, 12-vjeçar. Megjithëse bashkëpronare e shtëpisë ajo raportonte se bashkëshorti, por edhe familjarë të bashkëshortit të cilët qëndronin aty kundër vullnetit të saj, e pengonin të hynte në pronën e saj. Më 7 shtator, Arlinda Zekaj kërkoi urdhër mbrojtje emergjente nga Gjykata Themelore në Pejë. Po atë ditë, ajo i shkroi gjykatës se kishte frikë për jetën e saj dhe të fëmijës së saj. Pra, rreziku ishte raportuar, shprehimisht, dhe ishte i dokumentuar”, ka thënë Gërvalla.
