Vjedhja e 6,3 miliardë dollarëve në Binance, si e ndërtoi Kim Jong-un grupin më të frikshëm të hakerave në botë?

0

Koreja e Veriut dyshohet se qëndron pas grabitjes më të madhe kibernetike të regjistruar ndonjëherë, ku rreth 6.3 miliardë dollarë në kriptomonedha janë vjedhur nga Binance, bursa më e madhe e kriptomonedhave në botë.

Sipas analizave të kompanive amerikane të sigurisë kibernetike, sulmi ka ngjashmëri me operacionet e mëparshme të grupit Lazarus dhe organizatave të tjera të lidhura me Phenianin. Hetimet paraprake sugjerojnë se sulmi mund të ketë nisur nga komprometimi i laptopit të një inxhinieri të Binance, ndërsa pjesa më e madhe e vjedhjes u realizua brenda vetëm 20 minutash.

Koreja e Veriut ka ndërtuar prej vitesh një strukturë të specializuar për luftën kibernetike, duke përzgjedhur dhe trajnuar që në adoleshencë të rinj me aftësi të larta në matematikë dhe teknologji. Sipas inteligjencës së Koresë së Jugut, rreth 8,400 persona vlerësohet të jenë të përfshirë në operacionet kibernetike të vendit.

Vetëm gjatë vitit 2025, hakerët e lidhur me Phenianin dyshohet se vodhën rreth 2 miliardë dollarë në kriptomonedha, ose afërsisht 60% të totalit global. Sulmet e mëparshme përfshijnë vjedhjen e 620 milionë dollarëve nga rrjeti Ronin në vitin 2022, 308 milionë dollarëve nga DMM Bitcoin në vitin 2024 dhe rreth 1.5 miliardë dollarëve nga Bybit në vitin 2025.

Sipas ekspertëve, të ardhurat nga këto operacione përdoren për të financuar regjimin dhe programet e tij ushtarake e bërthamore. Ndërkohë, zhvillimi i inteligjencës artificiale pritet të rrisë më tej aftësitë e hakerëve për të identifikuar dobësitë dhe për të realizuar sulme të sofistikuara.

Pas sulmit, Binance pezulloi përkohësisht depozitat dhe tërheqjet, ndërsa deklaroi se do të mbulonte humbjet me fondet e veta. Pheniani ka mohuar vazhdimisht akuzat për përfshirje në krime kibernetike.

Banka Popullore e Serbisë ia mori licencën e punës ALTA Bankës

0

Banka Popullore e Serbisë ka marrë vendim për t’ia hequr licencën e funksionimit ALTA Bankës SHA Beograd, pas përkeqësimit të ndjeshëm të gjendjes së saj financiare.

Sipas njoftimit zyrtar, kontrollet e kryera kanë konstatuar probleme serioze me likuiditetin dhe rrezik për përkeqësim të mëtejshëm të situatës financiare, duke cenuar interesat e depozituesve.

Banka Popullore thekson se vendimi është marrë për të mbrojtur depozituesit dhe për të ruajtur stabilitetin e sistemit financiar.

Ndërkohë, Agjencia për Sigurimin e Depozitave pritet që brenda shtatë ditëve të punës të mundësojë pagesën e depozitave të siguruara, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Berisha: Nuk bëhem kryeministër, nëse fitoj zgjedhjet

0

“Nuk bëhem kryeministër, nëse fitoj zgjedhjet”.Këtë deklaroi kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha në “Çdo kënd” me Merita Haklajn në A2 CNN. Sipas tij për kryeministrin do të vendosë referendumi dhe për këtë nuk ka nevojë për ndryshime kushtetuese.

“Një gjë kam deklaruar se unë kryeministër nuk bëhem pse fitoj zgjehdjet. Jo. Bëhem kryeminsitër me referendum. Po fitova zgjedhjet do votojnë edhe njëherë shqiptarët për kryeministrin.

Kushtetuta nuk e pengon se ti u jep mundësi me 3-4 kandidatura me referendum popullor. Absolutisht asnjë ambicie, por respekt. Se nëse ti udhëheq fushatën dhe fiton të gjitha ato që u ke thënë qytetarëve ata kanë të drejtë.

Atëherë del problemi që ata duhet të vendosin veças për kandidaturat e kryeministrit”, tha Berisha.

Berisha shprehu bindjen opozita fiton zgjedhjet brenda një muaji pa Edi Ramën. 

“Në kushte të lira, sot opozita fiton zgjedhjet nëse zgjedhjet bëhen brenda një muaji pa Edi Ramën”, tha ai.

Kreu demokrat i qëndroi deklaratave të tij për kufizimin në dy mandate të kryeministrit.

“Jam, sepse nga viti 1990-2013 ka ndodhur 4 rrotacione. Nga 2013 deri më sot asnjë rrotacion sepse në Shqipëri rrotacionin e lejon krimi i organizuar me Edi Ramën”.

SHBA miraton shitjen e 500 raketave Patriot për Ukrainën, marrëveshja kap vlerën e 2.1 miliardë dollarëve

0

Shtetet e Bashkuara kanë miratuar shitjen e 500 raketave interceptuese Patriot PAC-3 për Ukrainën, në një marrëveshje me vlerë 2.1 miliardë dollarë. Municionet janë thelbësore për forcimin e mbrojtjes ajrore të Kievit ndaj sulmeve gjithnjë e më intensive ruse.

Megjithatë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka paralajmëruar se dërgesat mund të kërkojnë “disa vite” për të mbërritur, duke përsëritur thirrjen ndaj Uashingtonit për përshpejtimin e furnizimit me këto sisteme mbrojtëse.

Sipas Departamentit Amerikan të Shtetit, blerja do të financohet tërësisht nga aleatët evropianë të Ukrainës dhe Kanadaja, përmes kontributeve financiare dhe programeve mbështetëse. Në deklaratë theksohet se në këtë marrëveshje nuk do të përdoren fonde amerikane, ndërsa kontraktori kryesor do të jetë kompania Lockheed Martin.

Raketat PAC-3 konsiderohen ndër armët më efektive për interceptimin e raketave balistike ruse, të cilat kanë qenë pjesë e sulmeve të vazhdueshme ndaj qyteteve dhe infrastrukturës ukrainase.

Miratimi i shitjes vjen në një moment tensionesh mes Kievit dhe Uashingtonit, pas përplasjeve të fundit mes Zelenskyt dhe presidentit amerikan Donald Trump lidhur me mënyrën e përfundimit të luftës me Rusinë. Marrëdhëniet u përmirësuan pas bisedimeve që presidenti ukrainas zhvilloi me përfaqësuesit amerikanë në Oslo.

Nesër raundi i dytë i zgjedhjeve për kryetar të Bërvenicës, sot votojnë të sëmurët

0

Raundi i dytë i zgjedhjeve të parakohshme për kryetar të Komunës së Bërvenicës do të mbahet nesër, më 1 nëntor, ndërsa sot në vendbanimet e komunës votojnë të sëmurët dhe personat e pafuqishëm.

Raundi i parë i zgjedhjeve të parakohshme për kryetar të Bërvenicës u mbajt para dy javësh, më 18 tetor, ndërsa më së shumti vota morën kandidatët e VMRO-DPMNE-së dhe AKI-së.

Mbrëmë në mesnatë filloi heshtja zgjedhore për raundin e dytë të zgjedhjeve të parakohshme për kryetar të Komunës së Bërvenicës.

Në zgjedhjet e 18 tetorit, të drejtë vote kishin 16.256 qytetarë, ndërsa pjesëmarrja ishte 46,56%, ose gjithsej votuan 7.565 zgjedhës.

Meqë asnjëri nga kandidatët nuk e fitoi shumicën e nevojshme, në komunë do të zhvillohet raundi i dytë i votimit.

Zgjedhjet e parakohshme për kryetar të komunës u organizuan pasi kryetari i atëhershëm, Jovica Ilievski, ndërroi jetë papritur.

Shi i dendur në ditët në vijim, priten mbi 60 l/m²

0
Shiu moti

Sot moti do të jetë me vranësira, me reshje të kohëpaskohshme lokale shiu me intensitet të dobët deri mesatar, veçanërisht pasdite dhe gjatë natës. Do të fryjë erë e dobët nga drejtimi i veriut. Temperatura minimale do të jetë nga 7 deri në 12°C, ndërsa maksimalja do të arrijë nga 11 deri në 16°C.

Në Shkup, moti do të jetë kryesisht i vranët, me reshje të kohëpaskohshme shiu, veçanërisht pasdite dhe gjatë natës. Do të fryjë erë e dobët nga veriu. Temperatura minimale do të zbresë deri në 9°C, ndërsa maksimalja do të arrijë deri në 14°C.

Në ditët në vijim, deri të martën, moti do të jetë nën ndikimin e aktivitetit ciklonik. Do të mbajë kryesisht mot i vranët dhe më i ftohtë, me reshje të kohëpaskohshme shiu me intensitet të ndryshueshëm.

Reshje më të dendura priten të dielën dhe të hënën në mbrëmje, si dhe gjatë natës drejt së martës. Në shumë vende pritet të bien mbi 25 litra shi për metër katror brenda 24 orëve, ndërsa lokalisht gjatë gjithë periudhës së parashikuar mund të bien mbi 60 l/m².

Nga e mërkura e tutje do të vazhdojë moti më i ftohtë, por i qëndrueshëm dhe i thatë.

Butrint Imeri dhe aktorja turke sërish në qendër të vëmendjes, një detaj nga Prishtina zbulon më shumë seç pritej!

0

Një video e publikuar në Instagram nga aktorja e njohur turke me origjinë shqiptare, Su Burcu Yazgi Coşkun, ka tërhequr vëmendjen e ndjekësve, pasi në pamjet e publikuara nga Prishtina është vënë re një detaj që lidhet me këngëtarin shqiptar, Butrint Imeri.

Aktorja ka ndarë një moment nga brenda një veture, teksa shihet duke lëvizur në rrugët e kryeqytetit të Kosovës. Por, përtej pamjeve të zakonshme, vëmendjen e ndjekësve e ka tërhequr dora e një personi që shfaqet në video.

Sipas detajeve të vërejtura, tatuazhi në dorën e tij ngjan me atë të këngëtarit Butrint Imeri, duke nxitur dyshimet se personi në fjalë mund të jetë pikërisht ai.

Kureshtjen e shton edhe fakti se Su Burcu dhe Butrinti kanë disa ditë që kanë filluar të ndjekin njëri-tjetrin në Instagram.

Kujtojmë se emrat e dyshes janë përfolur edhe më herët për një romancë të mundshme, por deri më tani as aktorja dhe as këngëtari nuk kanë bërë ndonjë reagim apo konfirmim publik lidhur me këto aludime.

Protesta masive në Itali, mijëra qytetarë dalin në rrugë

0

Dhjetëra mijëra persona, kryesisht studentë dhe punonjës, dolën në rrugët e Italisë këtë të premte në një valë protestash kundër rritjes së kostos së jetesës, pagave të ulëta dhe shërbimeve të dobëta publike.

Protestuesit kundërshtuan gjithashtu rritjen e shpenzimeve ushtarake.

Sindikatat bazë shpallën një grevë të përgjithshme 24-orëshe, ndërsa demonstratat u organizuan në më shumë se 40 qytete të vendit.

Protestat ishin kryesisht paqësore, megjithëse në disa zona pati përplasje me policinë.

Në Torino, efektivët përdorën autobotët me ujë për të shpërndarë studentët dhe aktivistët e majtë që iu afruan kordonëve të sigurisë pranë ndërtesës së prefekturës.

Në Romë, një marshim i madh kaloi pranë Koloseut, ku protestuesit paralajmëruan se do të qëndronin me çadra gjatë fundjavës. Në mbrëmje, policia përdori sërish autobotët me ujë për të shpërndarë një grup që tentoi të marshonte drejt parlamentit. Tetë persona u ndaluan.

Ndërkohë, në Milano, demonstruesit bllokuan një pjesë të unazës rrugore të qytetit.

Në Gjenova, rreth 15 mijë punonjës portualë, studentë dhe aktivistë hynë në port, duke kundërshtuar përdorimin e tij për transportin e armëve.

Krizë e thellë politike në Poloni, presidenti urdhëron kthimin e avionit: Duhet të kthehemi

0

Presidenti i Polonisë, Karol Nawrocki, sot ka urdhëruar kthimin e avionit me të cilin po udhëtonte drejt Senegalit, pasi është informuar se policia kishte hyrë në ambientet e Gjykatës Kushtetuese në Poloni dhe se kryetari i saj ishte pezulluar nga detyra.

“Në një moment të tillë, presidenti duhet të jetë në Poloni. Po e ndërpres vizitën në Senegal dhe po kthehem”, ka shkruar Nawrocki në rrjetin social X.

Policia njoftoi se zyrtarët e saj kishin hyrë në ambientet e Gjykatës Kushtetuese pas incidenteve para ndërtesës, ku ndaj policëve ishin hedhur edhe sende të rrezikshme. Ndërkohë, Gjykata Kushtetuese njoftoi në faqen e saj zyrtare se kryetari i saj, Bogdan Święczkowski, ishte pezulluar të premten.

Qytetarët mblidhen para Gjykatës Kushtetuese

Polonia po përballet me një përplasje të thellë politike dhe institucionale mes dy kampeve kryesore.

Në njërën anë është kryeministri Donald Tusk, ndërsa në anën tjetër presidenti Karol Nawrocki, i cili është politikisht i afërt me partinë opozitare Ligj dhe Drejtësi, që qeverisi vendin nga viti 2015 deri në vitin 2023.

Mosmarrëveshjet lidhen me atë se kush ka legjitimitetin për emërimin e gjyqtarëve dhe kontrollin mbi funksionimin e Gjykatës Kushtetuese.

Qeveria e Tuskut pretendon se pushteti i mëparshëm e kishte politizuar sistemin gjyqësor dhe se nevojitet rikthimi i sundimit të ligjit. Nga ana tjetër, PiS dhe presidenti akuzojnë qeverinë se po shkel rregullat institucionale.

Pse hyri policia në Gjykatën Kushtetuese?

Më 30 tetor, policia hyri në ambientet e Gjykatës Kushtetuese në Varshavë, ndërsa kryetari i saj, Bogdan Święczkowski, u pezullua nga detyra.

Ministri i Drejtësisë kërkoi heqjen e imunitetit të tij dhe të zëvendësit të tij. Ndërkohë, mbështetës të partisë PiS u mblodhën para gjykatës, ku pati edhe përplasje me policinë.

Vetë Gjykata Kushtetuese e cilësoi këtë veprim si “grusht shteti”, ndërsa kryeministri Tusk e mbrojti si hap të domosdoshëm për rikthimin e rendit juridik.

Presidenti Nawrocki ishte rrugës për në Senegal, por pas zhvillimeve në Varshavë vendosi ta ndërpresë vizitën dhe të kthehet në Poloni.

Për dhënien e provimit të jurisprudencës / Mickoski ua prezanton personalisht modelin studentëve

0

Zgjidhjen për dhënien e provimit të jurisprudencës, kryeministri Mickoski ua ka prezantuar studentëve gjatë takimit të tyre para dy ditësh dhe ajo është e njëjta që ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, ua kishte shpjeguar para rreth dhjetë ditësh. Mickoski tha se ky propozim i Qeverisë duhet t’i dorëzohet Komisionit të Venecias dhe se bëhet fjalë për një model të kombinuar të dhënies së provimit, si në gjuhën shqipe, ashtu edhe në gjuhën maqedonase. Theksoi se kjo është zgjidhja e parë e këtij lloji dhe se deri më tani për këtë çështje nuk ka pasur asnjë iniciativë konkrete.

Mickoski foli edhe për atë se çfarë kishin diskutuar me studentët lidhur me ndryshimet në modelin e vaktit të subvencionuar studentor. Qeveria ka propozuar rritjen e shumës nga 3.500 denarët aktualë në 4.500 denarë në muaj, ndërsa studentët do të mund t’i shfrytëzonin përmes një shërbimi të veçantë në aplikacionin “M-Shërbime”, përmes një modeli të ri me vauçerë elektronikë që do të mund të përdoren në markete dhe restorante. Mickoski pret të marrë përgjigje nga studentët për këtë propozim.

Studentët së fundmi kanë reaguar se shuma e vaktit të subvencionuar nuk është rritur prej tre vitesh. Njëra nga studentet shpjegoi se gjithçka rreth propozimit të Qeverisë do të bëhet e ditur javën e ardhshme, kur pritet të organizohet edhe referendumi studentor.

Përveç rritjes së subvencionit, Qeveria planifikon të negociojë me tregtarët për zbritje shtesë për studentët gjatë blerjes së ushqimit, madje edhe pasi ta kenë shpenzuar shumën mujore. Përmes sistemit digjital, sipas paralajmërimeve, do të kontrollohej që mjetet të shfrytëzohen ekskluzivisht për qëllimin e paraparë.