Edhe një dëshmitar në mbështetje të Grubit dhe Bajramit

0

Me dëshminë e Andrej Kërstevskit, këshilltar për zbatimin e projekteve në Lotarinë Shtetërore, ka vazhduar në Gjykatën Penale gjykimi për rastin “Lotaria”. Kërstevski, ish-anëtar i Bordit Drejtues dhe atij Mbikëqyrës, si dhe ish-zëvendësdrejtor i Lotarisë, gjatë dëshmisë foli për proceset vendimmarrëse dhe procedurën e blerjes së aparateve VLT.

Në dëshminë e tij, Kërstevski foli edhe për raportet mes Përparim Bajramit dhe Artan Grubit, duke i cilësuar ato si miqësore. Ai tha se të dy i përkisnin të njëjtës parti politike, merrnin pjesë në tubime partiake dhe se Bajrami i referohej Grubit si “shefi”.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të Prokurorisë, dëshmitari tregoi se gjatë mandatit të drejtoreshës Katica Nikolova-Përnakova, vendimet shoqëroheshin me argumentime shtesë, ndërsa më vonë anëtarët e bordeve kishin mundësi të konsultoheshin me departamentin juridik.

Sa i përket blerjes së aparateve VLT, Kërstevski tha se nuk kishte diskutuar zyrtarisht me Bajramin për formimin e një shoqërie të re apo zgjerimin e veprimtarisë së Lotarisë. Sipas tij, dokumentacioni për vendimmarrje i ishte dorëzuar në momentin e fundit dhe ishte kërkuar që të vendosej urgjentisht.

Ai deklaroi se kishte kërkuar takim para se të votonte, ndërsa më pas ishte bindur nga një person i lidhur me Qeverinë se dokumentet ishin në rregull dhe se duhej të merrej vendim sa më shpejt. Për këtë arsye, kishte votuar pro.

Nga ana tjetër, avokati mbrojtës i Përparim Bajramit, Elenko Millanov, pas seancës deklaroi se procedura e prokurimit të aparateve VLT ishte mbështetur në vendime të Bordit Mbikëqyrës dhe konkluzione të Qeverisë. Sipas tij, dëshmitari konfirmoi se aparatet ishin përfshirë në planet financiare dhe të prokurimit publik dhe se ato vazhdojnë të jenë pronë e Lotarisë Shtetërore.

Millanov pretendoi se nuk ka pengesa për vënien në funksion të aparateve apo shitjen e tyre te subjektet me licenca për organizimin e lojërave të fatit. Ai shtoi se vlera e tyre aktuale është 40 deri në 50 për qind më e lartë, pavarësisht se kanë qëndruar për vite në magazinë.

Në rastin “Lotaria Shtetërore”, përveç Artan Grubit dhe Përparim Bajramit, të akuzuar janë edhe Metodija Dimovski, Skender Mehmeti, Bojan Janev, Fatmir Ramadanovski, Aleksandar Dimitrioski dhe Bashkim Avdiu.

Sipas aktakuzës, të pandehurit, duke tejkaluar kompetencat zyrtare, i kanë shkaktuar dëm Lotarisë Shtetërore në vlerë prej 9.7 milionë eurosh. Asnjëri prej tyre deri më tani nuk e ka pranuar fajësinë. Seanca e radhës është caktuar për më 6 nëntor.

Tarifat e reja të ujit në Tetovë / Zeqiri: Qyteti me çmimin më të lirë të ujit në shtet

0

Me vendim të Këshillit Komunal, në Tetovë është miratuar rregullimi i çmimit të ujit. Megjithatë, sipas drejtorit të Ndërmarrjes Publike Komunale “Sharri”, Valon Zeqiri, çmimi do të pësojë një rritje prej vetëm rreth 2 denarësh brenda tre viteve të ardhshme, duke mbrojtur kështu buxhetin e qytetarëve. Ai thekson se Komisioni Rregullator kishte propozuar një çmim mesatar prej 24 denarësh, por Bordi i ndërmarrjes ka vendosur të aplikojë tarifën minimale.

“Komisioni Rregullator na ka caktuar neve një çmim mesatar i cili është prej 24 denarë. Ne si ndërmarrje kemi të drejtë, me Këshillin e Brendshëm… të shkojmë në çmim maksimum ose çmim minimum. Dhe ne kemi vendosur që të mos e rëndojmë xhepin e qytetarit, që të jetë sa më korrekt dhe sa më i lirë në faturimin e ujit ndaj qytetarëve, kemi vendosur që të shkojmë në çmim minimal, i cili është diku te 22 denarë”, deklaroi Zeqiri.

Në aspektin financiar për familjet tetovare, nga ndërmarrja shpjegojnë se kjo do të thotë një ndryshim prej rreth 40 denarësh në muaj në faturat e tyre. Përkundër kësaj rritjeje të lehtë, NPK „Sharri“ thekson se Tetova vazhdon të ketë çmimin e ujit ndër më të lirët në nivel republikan.

“Një qytetar i cili harxhon diku te 21 kubik në muaj, në qoftë se ka paguar 400-420 denarë, do të duhet të paguajë diku te 460 deri në 470 denarë maksimum. Për gjithë qytetet në nivel republikan, qyteti i Tetovës besoj se ka ujin më të lirë në nivel republikan, duke marrë krahasim nëse marrim me qytetin e Ohrit ku është 70 denarë për metër kub, qyteti i Tetovës është 22.5 denarë për metër kub”. tha më tej Zeqiri.

Aktualisht, qyteti i Tetovës furnizohet me rreth 320 litra ujë në sekondë, sasi kjo e konsideruar e mjaftueshme për këtë periudhë të vitit kur nuk ka prani të mërgimtarëve. Nga ndërmarrja njoftojnë gjithashtu se reshjet e paralajmëruara të shiut gjatë ditëve në vijim pritet të përmirësojnë më tej situatën dhe furnizimin e rregullt me ujë të pijshëm për qytetarët.

SHBA miraton shitjen e 500 raketave Patriot për Ukrainën, paketa kap vlerën e 2.1 miliardë dollarëve

0

Departamenti Amerikan i Shtetit ka miratuar shitjen e mundshme të 500 raketave interceptuese Patriot PAC-3 për Ukrainën, në një marrëveshje me vlerë të vlerësuar prej 2.1 miliardë dollarësh.

Sipas njoftimit zyrtar, paketa do të financohet tërësisht nga partnerët dhe aleatët e Ukrainës, pa përfshirë fonde nga buxheti i Shteteve të Bashkuara.

Pagesa për blerjen do të mbulohet nga donacionet e Kanadasë, Gjermanisë dhe Norvegjisë, përmes programit JUMPSTART dhe fondeve kombëtare, të mbështetura nga Kredia Mbështetëse e Ukrainës e Bashkimit Evropian.

Përveç 500 raketave PAC-3, marrëveshja përfshin edhe pjesë këmbimi të klasifikuara dhe të paklasifikuara, si dhe mbështetje logjistike dhe për programin.

Kontraktori kryesor për realizimin e shitjes do të jetë kompania amerikane Lockheed Martin.

Miratimi vjen në një kohë kur Ukraina po përballet me nevoja të mëdha për forcimin e mbrojtjes ajrore. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, deklaroi pak ditë më parë se vendi kishte marrë mesatarisht 12 raketa interceptuese Patriot në muaj nga SHBA gjatë këtij viti, ndërsa sipas tij, përballja me sulmet ruse kërkon interceptimin e rreth 150 raketave balistike në muaj.

Trump: Lufta me Iranin do të përfundojë “së shpejti”

0

Në një intervistë me Kansas City Radio, Presidenti i SHBA-së Trump diskutoi çështjen e Iranit vetëm disa ditë para zgjedhjeve të mesit të mandatit për në Kongres më 3 nëntor.

Në kontekstin e çmimeve të larta të karburantit në vend dhe debatit të vazhdueshëm rreth luftës me Iranin, Trump deklaroi se “lufta do të mbarojë së shpejti”.

Presidenti i SHBA-së theksoi se SHBA-të duan që Teherani të garantojë se “nuk do të furnizojë armë bërthamore në asnjë rrethanë” dhe deklaroi se çmimet e naftës do të binin me shpejtësi menjëherë pas përfundimit të luftës.

Trump argumentoi se Irani ishte shumë i etur për të arritur një marrëveshje, por ai nuk ofroi ndonjë mendim se kur ose si mund të arrihet një marrëveshje e mundshme.

Roboti humanoid NEO zbret në rrugët e Shkupit, qytetarët kureshtarë pas teknologjisë së së ardhmes!

0

Shkupi këto ditë është në qendër të vëmendjes për teknologjitë e reja, ndërsa vëmendje të veçantë po tërheq roboti humanoid NEO, i cili ka mbërritur në Maqedoninë e Veriut dhe tashmë po zgjon kureshtjen e qytetarëve.

Roboti u prezantua në panairin ndërkombëtar “ENERGO TEHNOMA 2026”, i cili mbahet nga 29 deri më 31 tetor në arenën “Boris Trajkovski” në Shkup. Vizitorët kanë mundësi të njihen nga afër me robotët humanoidë, aftësitë e tyre dhe arritjet më të fundit në fushën e robotikës dhe automatizimit.

Pas prezantimit të tyre qëndron kompania sllovene e teknologjisë Hiproject, e cila merret me zhvillimin dhe zbatimin e robotikës humanoide në industri të ndryshme.

Sot, NEO është parë edhe në rrugët e Shkupit, ku prania e tij është kthyer në një atraksion për qytetarët, duke dëshmuar se teknologjia që deri vonë dukej si pjesë e filmave fantastiko-shkencorë, gjithnjë e më shumë po bëhet pjesë e përditshmërisë.

Ndodh për herë të parë / Papa Leo XIV, kreu i parë i Kishës Katolike që votoi në zgjedhjet amerikane

0

Papa Leo XIV votoi me postë në zgjedhjet e ardhshme për Kongresin e SHBA-së, duke u bërë kreu i parë i Kishës Katolike Romake që voton në zgjedhjet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, njoftoi sot Vatikani.

Papa i parë amerikan “dërgoi fletën e tij të votimit me postë në Çikago. Ati i Shenjtë shpreh besimin e tij në të drejtën dhe detyrën e qytetarëve për të marrë pjesë në proceset demokratike”, sipas një deklarate nga Selia e Shenjtë.

Historiani britanik Michael Walsh, autor i disa librave mbi papatin, vlerësoi se Leo XIV ishte papa i parë që votoi në zgjedhje demokratike në një shtet laik.

“Nuk mendoj se papët kanë votuar ndonjëherë më parë në zgjedhje demokratike”, tha Walsh për CNN.

Sipas të dhënave në dispozicion, Papa, i cili ka ruajtur shtetësinë amerikane, është i regjistruar si votues në periferi të Çikagos, New Lenox , ku jeton vëllai i tij John.

Kreu i Kishës Katolike Romake, i lindur në Çikago, ka votuar në zgjedhjet paraprake republikane dhe demokrate vitet e fundit, si dhe në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024.

Kazakistani me plan investimesh mbi 14 miliardë dollarë: Tokayev paralajmëron ndërtime masive, paga më të larta dhe reforma ekonomike

0

Kazakistani po nis një program ambicioz për modernizimin e infrastrukturës, zhvillimin ekonomik dhe përmirësimin e standardit të jetesës së qytetarëve. Presidenti Kassym-Jomart Tokayev, në fjalimin e tij vjetor drejtuar kombit më 28 tetor, paralajmëroi investime prej rreth 14.27 miliardë dollarësh deri në fund të vitit 2029, si dhe një sërë reformash ekonomike dhe sociale.

Në qendër të masave të paralajmëruara është projekti “Ndërtimi Popullor”, të cilin Tokayev e prezantoi si projektin më të madh infrastrukturor në historinë e vendit. Parashihet ndërtimi i rreth 70 institucioneve shëndetësore dhe 50 objekteve arsimore, sportive dhe kulturore, si dhe modernizimi i rrugëve, hekurudhave, furnizimit me ujë dhe infrastrukturës energjetike.

Presidenti propozoi që viti 2027 të shpallet vit i ndërtimeve të mëdha kombëtare, me pritshmëri që projektet të krijojnë mundësi punësimi për qindra mijëra qytetarë.

Një pjesë e rëndësishme e reformave lidhet edhe me përmirësimin e standardit të jetesës. Nga 1 janari 2027 është paralajmëruar rritja e pagës minimale mujore nga 85.000 në 110.000 tenge, ose rreth 241 dollarë. Sipas vlerësimeve, kjo masë do të përfshijë rreth 1.8 milionë qytetarë, ndërsa pagat e punonjësve shëndetësorë në kujdesin shëndetësor parësor pritet të rriten deri në 40 për qind.

Në sektorin e energjisë, Kazakistani synon që deri në vitin 2029 të prodhojë më shumë energji elektrike sesa konsumon. Janë paralajmëruar kapacitete të reja prodhuese, burime të ripërtëritshme të energjisë dhe mundësia e fillimit të ndërtimit të centralit bërthamor të Balkashit në vitin 2027.

Tokayev paralajmëroi edhe forcimin e lidhjeve të transportit me Kinën dhe Evropën, përfshirë korridore të reja hekurudhore dhe modernizimin e pikave kufitare. Qëllimi është që Kazakistani të pozicionohet si një nga qendrat kryesore logjistike në Euroazi.

Vëmendje e veçantë do t’i kushtohet digjitalizimit, inteligjencës artificiale dhe tërheqjes së investimeve të huaja. Parashihen gjithashtu ndryshime ligjore për mbrojtjen më të mirë të investitorëve, reforma në sistemin tatimor dhe shqyrtimi i mundësisë për një moratorium trevjeçar për kontrollet inspektuese ndaj mikro-bizneseve dhe bizneseve të vogla.

“Matësi përfundimtar i përparimit të një shteti dhe përfituesit kryesorë të të gjitha reformave janë qytetarët tanë”, deklaroi Tokayev, duke theksuar se zhvillimi ekonomik duhet të shoqërohet me kushte më të mira jetese në të gjitha rajonet e vendit.

“Mes 16 apo 18 vjeç/ Deri në ora 5 pasdite” – Rama propozon kufizimin e rrjeteve sociale te të miturit dhe zgjatjen e orarit shkollor

0

Gjatë fjalës së tij këtë pasdite, kryeministri Edi Rama njoftoi se duke nisur nga viti i ardhshëm, fëmijët do të qëndrojnë në shkollë deri në orën 17:00.

Kjo do të ndihmojë prindërit që punojnë, ndërsa fëmijët do të merren me aktivitete kulturore e sportive që ndihmojnë edhe socializimin e tyre.

“Tjetra është puna që duhet bërë bashkërisht mes nesh e shoqërisë civile për të rritur gamën e aktiviteteve sociale të fëmijëve nga sporti te kultura, në mes të të cilave janë të gjitha pjesët që kanë të bëjnë me skenën, pikturën, zejet, fotografinë e me radhë. Zgjatja e qëndrimit të fëmijëve në shkollë do të fillojë menjëherë vitin e ardhshëm. Kemi vendosur një buxhet që prindërit të punojnë dhe fëmijët do të jenë në shkollë deri në 5 pasdite”, tha Rama.

Ajo çfarë bëri të ditur Rama gjithashtu ishte dhe konsultimi me prindërit dhe mësuesit për kufizimin e rrjeteve sociale për të miturit.

Zelensky nesër në Stamboll, takohet me Erdoganin

0

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, nesër do të vizitojë Stambollin me ftesë të presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan. Gjatë takimit pritet të diskutohen hapat për thellimin e bashkëpunimit dypalësh mes Turqisë dhe Ukrainës, raportojnë mediat turke.

Në agjendën e bisedimeve do të jenë lufta mes Rusisë dhe Ukrainës, situata e sigurisë në Detin e Zi, si dhe zhvillimet rajonale dhe ndërkombëtare.

Vizita zhvillohet në një kohë kur Turqia po vazhdon përpjekjet për rikthimin e negociatave diplomatike mes Rusisë dhe Ukrainës.

Pas takimit me Erdoganin më 23 shtator në Nju-Jork, në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Zelensky kishte deklaruar se Ukraina është e hapur që Turqia të jetë nikoqire e një samiti mes presidentëve të Rusisë dhe Ukrainës. Ai kishte theksuar se Kievi është i gatshëm të marrë pjesë në një takim të tillë nëse organizohet në Turqi.

Ndërkaq, më 28 tetor, Erdogan i kishte përsëritur presidentit amerikan Donald Trump, gjatë një bisede telefonike, se Turqia është e gatshme të kontribuojë në rifillimin e negociatave diplomatike dhe përfundimin e luftës.

Një nga temat kryesore të takimit do të jetë edhe siguria në Detin e Zi. Në agjendën e Ankarasë janë pasojat e luftës për tregtinë detare dhe sulmet ndaj anijeve tregtare.

Në fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në shtator, Erdogan i kishte cilësuar të papranueshme sulmet ndaj anijeve tregtare në Detin e Zi dhe u kishte bërë thirrje të gjitha palëve që t’i ndërpresin ato.

Protestat për koston e jetës pritet të shpërthejnë edhe në Gjermani

0

Protestat që kanë kapluar Evropën pritet të shpërndahen edhe në Gjermani e të rikthehen edhe në Francë të shtunën. Policitë tashmë janë mobilizuar për të parandaluar trazira, ndërsa organizatorët kanë paralajmëruar tubime paqësore.

Pas javëve të tëra, shpeshherë të dhunshme, protestat kanë shkundur Shqipërinë, Italinë, Spanjën, Portugalinë dhe Francën. E në Francë aktivistët kanë paralajmëruar sërish tubime për Natën e Shtrigave të shtunën. Protestat po bëhen për kostot e jetës dhe shërbimet e mangëta publike në shtet.

Në Gjermani, një aleancë e disa grupeve të quajtura “Gen Z regelt” (Gjenerata Z po i rregullon gjërat), u ka bërë thirrje mbështetësve të dalin në më shumë se 30 qytete për të kërkuar më shumë shpenzime nga shteti për shkollim, mbrojtje klimatike dhe strehim, por edhe për të dalë kundër planeve për të kthyer shërbimin e detyrueshëm ushtarak.

Alexander Throm, pjesë e grupit parlamentar të Unionit Kristian-Deokratik (CDU) në pushtet në Gjermani, ka shkruar në një gazetë se “skena si ato në Francë duhet të parandalohet me çdo kusht”.

Por Felix Banaszak, bashkëkryetar i Partisë së Gjelbër në opozitë, ka paralajmëruar kundër përpjekjeve për t’i vënë të rinjtë nën presion.

“Retorika e CDU-së, që synon t’i kriminalizojë këto protesta paraprakisht dhe t’i paraqesë si vepra të bandave që shkaktojnë trazira, mund t’i shtyjë njerëzit madje drejt radikalizmit”, ka thënë ai për RND-në.

Shefja e Policisë së Berlinit, Barbara Slowik Meisel, ka thënë se 1500 policë shtesë do të jenë në dispozicion në kryeqytet. Megjithatë ka vlerësuar se nuk ka sinjale për trazira.

Rreth 10 mijë protestues, shumica nxënës, studentë e prindër të tyre, pritet të dalin në zonën historike të Berlinit të shtunën. Tubime të tjera janë paralajmëruar edhe në Koln, Munih, Frankfurt e Hamburg.

Ekipi organizues ka bërë thirrje për qetësi. Në uebfaqen e “Gen Z Regelt” janë paraqitur më shumë se 160 mijë persona që kanë thënë se do të jenë pjesë e protestave.

Ndërkohë, në Francë, ministri i Brendshëm, Laurent Nunez, ka thënë se e shtuna duket se do të jetë “ditë e rrezikshme”. Ai ka thënë se rreth 70 mijë policë, përfshirë njësitë elite, do të jenë nëpër qytete për të parandaluar trazira. Javën e shkuar në Paris protestuan rreth 400 mijë qytetarë.