Ministri Punëve të jashtme Bujar Osmani bashkë me Ambasadorin Austriak në RMV shkuan në Veleshtë të Strugës për t’i takuar familjarët e Nexhip Vrenezit, i cili humbi jetën në sulmin terrorist në Vjen.
Familjarët e Nexhipit dje janë kthyer në Austri, ndërsa këtë delegacion e priti xhaxhai i tij Gajur Kaba.
Osmani tha se terrorizmi nuk identifikohet as me komb, as me fe, as me një grup të caktuar por me individë të indoktrinuar. Sipas tij dy shtetet bashkëpunojnë ngushtë për të parandaluar sulmet e mëtutjeshme të mundeshe terroriste.
“Kjo flet se sa i rrezikshëm është kërcënimi nga terrorizmi se askush dhe askund nuk është imun nga ky lloj i kërcënimit dhe prandaj është e nevojshme që të gjithë të bëhemi bashkë dhe të punojmë bashkë si shoqëri edhe si shtet edhe si institucione, të parandalojmë paraqitjen ose të luftojmë këtë të keqe të kohërave tona. Që nga dita e parë jam në kontakt me ambasadorin dhe të dyja vendet tona bashkëpunojnë ngushtë në të gjitha sferat edhe për të zbuluar prapavijën e këtij rasti të egër terrorist”, deklaroi Bujar Osmani – Ministër i Punëve të Jashtme.
Ambasadori George Vucas tha se kjo është e dhimbshme. Sipas tij për këtë rast faji nuk është kolektiv, por faji është individual.
“Ne nuk e drejtojmë gishtin në një drejtim, ne nuk e drejtojmë gishtin kah emigrantët, ne nuk e drejtojmë gishtin tek religjioni, këta janë individë që janë radikaliuzar dhe është pikërisht ky shembull se terroristi vjen nga ky shtet por edhe viktima vjen nga ky vend. Pra kjo nuk do të jetë një fotografi e qartë dhe ne nuk do të fajësojmë një grup. Ky nuk është faj kolektiv, por faji është individual”, theksoi Georg Vucas – Ambasador i Austrisë në Maqedoninë e Veriut.
Ngjarja tragjike në Vjen të Austrisë ka ndodhur më 2 nëntor kur humbën jetën 4 persona nga një sulm terrorist. Mes viktimave ishte Nexhip Vranezi 21 vjeçar nga Veleshta e Strugës. Ai u vra nga Kujtim Fejzuli i cili ishte pjesë e grupit terrorist të cilët shkaktuan sulmin në Vjen të Austrisë.