VMRO-DPMNE kërkon që nëpërmjet një seance urgjente në Kuvend të miratohen propozim-ndryshim ligjet e tyre për zbutjen e çmimeve të derivateve të naftës dhe produkteve bazë ushqimore. Deputeti Bojan Stojanovski për propozimet e tyre kërkoi mbështetje edhe nga shumica parlamentare.
“Grupi parlamentar i VMRO-DPMNE-së dhe koalicioni “Ripërtëritje për Maqedoninë” duke e ditur se sa e pa përgjegjshme është Qeveria ka përgatitur dy ligje me çka akciza e derivateve do të përgjysmohet për 50% dhe do të taksohen me shkallë prej 5% në vend të 18%, ndërsa produktet ushqimore do të lirohen nga TVSH deri në fund të vitit 2022”- deklaroi Bojan Stojanovski, deputet i VMRO-DPMNE-së.
Me propozim për të zbutur situatën me çmimet doli edhe Aleanca për Shqiptarët. Halil Snopçe theksoi se qytetarët e vendit edhe pse kanë paga më të ulëta, paguajnë çmime më të larta për deriavtet e naftës në krahasim me shumë vende evropiane.
“Ato masa janë ulja e TVSH-së nga 18 në 5%, ulja e akcizës për benzinë nga 22 denarë në 15 denarë dhe për dizelin nga 15.5 denarë në 9 denarë, si dhe uljen e marzhës së tregtimit dhe skladimit nga ana e operatorëve të shitjes me pakicë në vlerë fikse prej 3 denarëve”- tha Halil Snopçe, deputet i ASh-së.
Nga Lëvizja Besa nuk japin ndonjë propozim se si të dilet nga kriza, por pohojnë se masat antikrizë që skaduan në mesnatë “dëshmojnë se Qeveria po mundohet të mbajë shtetin në aparate”.
“Populizmi afatshkurtër po dëmton rëndë ekonominë e vendit dhe fakti që në kohë nuk u vazhduan masat dhe nuk u propozuan hapa të tjerë konkret për zbutjen e krizës ekonomike dëshmon se shteti është para falimentimit dhe se arka e buxhetit është e zbrazur”- thonë nga Lëvizja Besa.
Nga Qeveria paralajmërojnë se me ribalancin e buxhetit së shpejti do të ketë me masa të reja antikrizë.
“Në këtë frymë dhe mbi këtë parim, Qeveria me rebalancin e ri të buxhetit, vazhdon me kujdesin e madh ndaj qytetarëve dhe në kohë sa më të shkurtër do të del me masa kundër krizës që do të jenë të synuara, siç janë rekomandimet e fundit të institucioneve financiare ndërkombëtare – FMN dhe Banka Botërore, BE dhe publiku ekspert. Kjo do të thotë se ato do të orientohen drejt kategorive të cenueshme të qytetarëve dhe ekonomisë, drejt atyre që kanë më shumë nevojë”- thonë nga Qeveria.
Shtojnë se në krye të prioriteteve të Qeverisë mbetet kujdesi për standardin e qytetarëve, likuiditeti i kompanive dhe masat për siguri të qëndrueshme ekonomike dhe paqe sociale.
