“Nuk ka nevojë që të kërkoj falje”, Xhaferi: Nuk i shava punonjësit, por qasjen ndaj punës

TË FUNDIT

Kryeparlamentari Talat Xhaferi nuk e sheh të udhës t’u kërkoj falje punonjësve të Kuvendit të cilëve ditë më parë ju drejtua me sharje, të cilat u dëgjuan në transmetimin e drejtpërdrejt në Kanalin televiziv të Kuvendit. Në brifing me gazetarët Xhaferi tha se nuk mendon se ka shkelur Kodin etik për sjellje, përderisa bën punën e tij ashtu siç duhet.

“Nuk ndjej nevojë të kërkoj falje, duke bërë punët e mia nuk mendoj se kam shkelur Kodin Etik“, deklaroi Talat Xhaferi, kryeparlamentar.

Pas kësaj kreu i Kuvendit tha se nuk i shau punonjësit, por sharjet kanë qenë për qasjen e tyre në punë.

“Nuk u është drejtuar punëtorëve, nëse e dëgjoni dhe e lexoni mirë ashtu siç është dhe jo siç e thotë opozita, nuk ishte ndaj të punësuarve, por ndaj qasjes së tyre në punë. Për gabime të tilla nëse shkohet deri në fund dhe duhet të ketë pasoja atëherë ata persona duhet të shkojnë në shtëpi”, pohoi Talat Xhaferi, kryetar i Kuvendit.

Ipyetur për fjalët fyese, Xhaferi tha se të njëjtat i dinë vetë ata që sipas tij kanë bërë gabime gjatë punës. Shtoi se administratorët në Kuvend paguhen 20% më tepër se kolegët e tyre në institucionet e tjera dhe të njëjtit duhet të respektojnë orarin dhe procesin e punës.

“Nëse dikush mendon se shërbimet në orarin e punës mund ta kalojnë ditën në rrugën “Maqedonia”, gënjehet. Nuk kërkoj asgjë më shumë as më pak, në orarin e punës, duhet të jenë në punë”, theksoi Talat Xhaferi.

E para se të mbahej brifingu me gazetarët,  deputetët e VMRO-DPMNE-së me afishe ku shkruhej “Ik atje, hej sus” mbajtën konferencë për media. Kërkojnë dorëheqjen e kryeparlamentarit.

 “Xhaferi më së paku çka mund të bëj është të kërkoj falje për një sjellje të tillë dhe të jap dorëheqje nga funksioni kryetar i Kuvendit. Duam të porosisim Xhaferin se sa do të që të ikë nga përgjegjësia dhe të provoj të harrohet ky skandal, njolla që e la pas vete gjithmonë do ta përcjellë”, theksoi Dafina Stojanoska, deputet e VMRO-DPMNE-së.

Për protestën e paralajmëruar të VMRO-DPMNE-së për më 18 qershor , Xhaferi tha se çdokush ka të drejtë të protestojë, por shtoi se në Kuvend nuk mund të përsëriten gjëra që kanë ndodhur në të kaluarën.