Novakovski për "10 Minuta": Të kthehet besimi te Komisioni Shtetëror Zgjedhor

TË FUNDIT

Të kthehet besimi te Komisioni Shtetëror Zgjedhor, menjëherë të konstituohet përbërja e re e anëtarëve të tij dhe deri në Vitin e Ri, të pastrohet Lista e Votuesve – këto janë pjesë prej pikave kryesore që i qartësoi kryetari i mëparshëm i Komisionit Shtetëror Zgjedhor, Aleksandar Novakovski në analizën e sotme në emisionin “10 minuta” të TV21. Sipas tij, duhet menjëherë të gjenden mënyra se si të pastrohet lista zgjedhore dhe të vendoset se cili model zgjedhor do të zbatohet më 14 prill.

“Besimi i votuesve do të kthehej, poqë se dilet zyrtarisht nga organi kompetent se kemi regjistrim aktiv dhe të bëhet përpjekje që paraqitja të bëhet e domosdoshme. Mendoj se do të ngelë sistemi i vjetër, por mendoj se do të ngelet zgjidhja e vjetër. E nëse është ashtu, menjëherë pas marrëveshjes dhe zgjedhjes së përbërjes së re të Komisionit Shtetëror Zgjedhor, duhet të dilet me pastrim të listës së votuesve dhe ka edhe kapacitet, edhe kohë. Por deri në fund të Vitit të Ri, patjetër duhet të dilet me të dhëna zyrtare dhe vetëm kështu do të kthehej besimi”, vlerëson kryetari i mëparshëm i KSHZ.

Sipas Novakovskit, anëtarët e KSHZ-së janë garanci për procesin zgjedhor dhe duhet t’i koordinojnë aktivitetet, por thotë se, nëse kanë obstruksione, duhet t’i thonë publikisht. “Sido që të jetë, do të thirret KSHZ-ja. Ai Komision kur nuk kishte asfarë kompetence mbi listën dhe ishte nën jurisdiksion të Ministrisë së Drejtësisë. E çfarë të bëhet tash kur me ndryshimet e ligjit i janë dhënë ingerenca, sa i plotësohen ato ingerenca rreth çështjeve të tjera. KSHZ-ja është garanci për procesin zgjedhor. KSHZ-ja duhet t’i koordinojë ato aktivitete dhe, nëse ka obstruksione, duhet t’i shpallin publikisht”, shpjegon ai.

Për ndryshim të modelit zgjedhor, sipas tij, duhet debat serioz, për të cilin tashmë është vonë. “Zgjedhja e modelit zgjedhor po prek në sistemin zgjedhor dhe në shumë çështje që janë serioze dhe kanë ndikim direkt në proceset demokratike, sistemin partiak, shtetin dhe qytetarët. Për të ndryshuar kjo, duhet debat serioz, për të cilën mendoj se është vonë. Mirëpo, edhe nëse vendosin ta ndryshojnë, duhet pajtim më i gjerë, jo vetëm i këtyre katër partive politike, sepse zgjedhja e sistemit dhe modelit zgjedhor drejtpërdrejt ndikon mbi atë se kush do të zgjidhet në Parlament, në çfarë mënyre dhe me sa vota. Në mënyrë të drejtpërdrejtë preket e drejta e qytetarëve për votë. Unë nuk e di se ndokush për 5 ditë do të marrë një vendim të tillë dhe të marrë në dorë të vet një punë të tillë me përgjegjësi”, thekson Novakovski.

Partitë politike kanë edhe 4 ditë për të vendosur për paketën zgjedhore në të cilën hyjnë zgjedhja e anëtarëve të Komisionit Shtetëror Zgjedhor, modeli zgjedhor dhe mënyra e votimit të diasporës.

Intervistoi: Aleksandra Smilevska