Nga njëra anë dorëheqje, nga tjetra fishekzjarrë! Zaev: S’mendoj se duhet të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare

TË FUNDIT

“Unë e ndërmarr përgjegjësinë për rezultatet e këqija në këto zgjedhje për gjithë ne, fuqitë progresive, që të munden pikërisht ato fuqi progresive të mbijetojnë dhe të vazhdojnë që të luftojnë për progresin e Maqedonisë së Veriut. Dorëheqjen e dorëzoj edhe nga funksioni i kryeministrit edhe nga pozita e kryetarit të Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë”, tha Zoran Zaev kryeministër.

Në momentin kur Zaev dorëzoi dorëheqjen edhe nga posti i kryeministrit edhe nga posti i kryetarit të LSDM, dëgjoheshin fishekzjarrët që vinin nga festa para selisë së VMRO-DPMNE. Vetëm disa minuta më parë, kryetari i VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski, i bëri thirrje Zaevit që të jap dorëheqje.

“Kjo është edhe këshilla ime për të dhe atë që e pret populli maqedonas, përkatësisht qytetarët e Republikës së Maqedonisë, që kjo në mënyrë praktike të jetë largimi i tij nga politika. Jo sepse Hristijani dëshiron ose sepse dëshiron dikush nga VMRO-DPMNE ose nga opozita. Populli dërgoi porosi të qartë”, vlerëson Mickoski.

Por, dorëheqja e Zaevit nuk do të thotë edhe zgjedhje të parakohshme parlamentare.

“Mbetem në qëndrimin se nuk duhet të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare, përpara kemi edhe 2.5 vjet të shkëlqyeshme dhe të papërsëritura për punë dhe suksese ekonomike që janë në favor të gjithë popullit tonë dhe shtetit. Do të mbetem këtë periudhë aq sa duhet që të riorganizohet Qeveria e re me shumicën progresive që ekziston dhe mund edhe më shumë të rritet”, tha Zaev.

Pas deklaratës së tij Zaev nuk la hapësirë për pyetje të gazetarëve dhe menjëherë u largua. Me dorëheqjen nga posti i kryetarit të partisë, partia do të duhet të zgjedh kryetarë të ri. Me dorëheqjen e kryeministrit bie edhe e gjithë Qeveria. Procedurat kushtetuese dhe ligjore imponojnë që ai në formë të shkruar të informojë Kuvendin, përkatësisht kryeparlamentarin, Talat Xhaferin. Më pas procedurat janë të njëjta si në formimin e përbërjes së re të Qeverisë pas përfundimit të zgjedhjeve.