Në vend të fishekzjarrëve, raketa dhe shpërthime/ Kievi në errësirë, dëshira e vetme është paqja

TË FUNDIT

Në vend të fishekzjarrit, muzikës dhe atmosferës festive në Kiev, në vitin e ri u dëgjuan sirenat për sulme ajrore në Kiev.
Rrugët në Kiev janë të zbrazëta edhe në vitin e ri. Ata që dolën në ballkonet e tyre, kishin vetëm një dëshirë, paqe në Ukrainë.

“Duam t’i urojmë paqe Ukrainës, të ketë energji elektrike dhe ngrohje dhe përfundimisht të jemi të lirë dhe të pavarur (nga Rusia).”
Viti i Ri është edhe për Ukrainë ashtu siç është për mbarë botën. Por ata nuk mund të festojnë si të tjerët për shkak se shumë nga baballarët, vëllezërit dhe djemtë e shumë familjeve ukrainase janë në fushat e betejës.
“Patjetër se ishte e vështirë që të festojmë duke ditur se shumë ushtarë nuk mund të jenë me të afërmit e tyre.”
“Ishim në bregun e majtë. Me sytë tanë e pamë se si funksionon mbrojtja ajrore. Kishte shpërthime, shpërthime, tashmë e dimë zërin e raketave, momentin kur fluturojnë, e dimë zërin e fluturakëve pa pilot, zëri është i ngjashëm si ai i mopedit. Mbijetojmë disi. “
Autoritetet e Kievit i thirrën banorët që ta ulin shpenzimin e energjisë elektrike pasi sulmet ruse e dëmtuan infrastrukturën energjetike. Kompania energjetike DTEK këtë mëngjes kumtoi se ishte e detyruar që ta shkyç urgjentisht energjinë elektrike.
Ushtria ukrainase pohon se gjatë natës kanë rrezuar 39 dronë të Iranit të tipit Shahed duke shtuar se megjithatë u dëmtua infrastruktura energjetike. Po ashtu janë dëmtuar edhe 11 shtëpi private.
Kryetari i Kievit Vitalij Kliçko paraprakisht njoftoi se Rusia gjatë natës ka dërguar 40 dronë në kryeqytetin e Ukrainës. Ai e citoi raportin e armatës ukrainase ku thuhet se 15 fluturakë pa pilot janë shkatërruar, tre në rajonin e Kievit dhe 22 mbi Kievin.