Mungon Kosova, por jo Mali i Zi dhe BeH/ Abazoviq: Duhet ta ribrendojmë Ballkanin Perëndimor

TË FUNDIT

Në samitin Ballkani i Hapur në Ohër mungon Kosova, por jo Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina, përfaqësuesit e të cilëve kanë ardhur në cilësinë e mysafirit.

Gjatë fjalimit të tij kryeministri i Maqedonisë Dimitar Kovaçevski, ftoi Malin e zi dhe BeH që të bëhen pjesë e Ballkanit të hapur, ndërsa për Kosovën tha se ftesa qëndron e hapur.

Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, tha se të kaluarën nuk mund ta ndryshojmë, por atë që mund të ndryshojmë është e ardhmja.

“Duhet ta ribrendojmë Ballkanin. Për ta ribrenduar duhet të vendosim komunikim mes nesh, ta forcojmë besimin dhe t’i japim dorën njëri-tjetrit. Kjo është mënyra e vetme për ta ndryshuar të ardhmen e të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimorë”- deklaroi Dritan Abazoviq, Kryeministër i Malit të Zi.

Kryesues i këshillit të ministrave të BeH, Zoran Tegeltija tha se BeH nuk ka konsensus për projektin Ballkani i Hapur. Pohoi se kanë presion nga disa ambasadat të cilat u thonë se nuk duhet të jenë pjesë e Ballkanit të Hapur.

“Njëra prej arsyeve është edhe ndikimi politik nga grupe të ndryshme të cilat mendojnë se do të ishte e pa suksesshme nëse kjo iniciativë pranohet. Sigurisht që në Bosnjë dhe Hercegovinë gjithmonë kemi pasur ndikime të jashtme, prej individëve, prej ambasadave të ndryshme që mendojnë se BeH nuk duhet të jetë pjesë.”- pohoi Zoran Tegeltija, Kryesues I Këshillit Të Ministrave TË BeH.

Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Serbia janë tre shtetet që në 2019-tën iniciuan nismën. Kësaj here Mali i Zi dhe Bosnje e Hercegovina mori pjesë vetëm si mysafire apo vëzhguese në samit, kurse Qeveria e Kosovës nuk ka pranuar të jetë pjesë në asnjë lloj forme.