Përplasje për punësimin e shqiptarëve në polici! BDI dhe MPB me shifra të ndryshme

TË FUNDIT

Nga gjithsej 549 policë të rinj të pranuar, më pak se 40 janë shqiptarë, që përbën rreth 7 për qind të numrit të përgjithshëm, alarmon opozitarja BDI.

“Përfaqësimi i drejtë dhe adekuat u vendos si standard kushtetues pikërisht për të siguruar që institucionet shtetërore ta reflektojnë karakterin multietnik të vendit. Sot, 25 vjet pas Marrëveshjes së Ohrit, të dhënat nga MPB tregojnë një kthim prapa në këtë proces. Më pak se 40 shqiptarë nga 549 policë të rinj dhe vetëm një shqiptar nga 30 policë të dekoruar janë tregues konkretë të kësaj politike”, tha BDI.

Po zëvendësministri i brendshëm, Astrit Iseni, përgënjeshtron – nuk janë 40 por 70 shqiptare të punësuar, nga gjithsej 496 punësime. Ai pretendimet e BDI-së i quajti gënjeshtra duke thënë se po bëjnë propagandë.

“Në konkursin e fundit kanë qenë 496 punësime, prej të cilëve mbi 70 shqiptarë. Këto janë fakte, jo propagandë. Por le ta kujtojmë edhe një fakt tjetër: kur BDI-ja ishte në pushtet dhe kishte edhe zëvendësministër në MPB, ministri i atëhershëm, në paraqitjet publike, ua mbyllte gojën dhe nuk i lejonte të flisnin. Sot, të njëjtët që atëherë heshtnin, na shesin moral e drejtësi.”, tha Iseni.

Për këtë çështje çuam edhe pyetje zyrtare në MPB, nga ku thonë se gjatë punësimeve nuk e shohin etninë, por përmbushjen e kushteve dhe rezultateve.

“Në Shpallje nuk ishte paraparë kuotë mbi bazë të përkatësisë kombëtare. Përzgjedhja e kandidatëve nuk bëhet në bazë të kombësisë, por në bazë të përmbushjes së kushteve ligjore, rezultateve të procedurës së përzgjedhjes dhe suksesit gjatë trajnimit. Sa i përket pretendimeve për strukturën etnike të kandidatëve të pranuar dhe të zyrtarëve policorë të dekoruar, Ministria nuk kryen përzgjedhje ose vlerësim në bazë të përkatësisë kombëtare, por në përputhje me kriteret ligjore, standardet profesionale dhe rezultatet e arritura”, tha MPB.
Nga Ministria përfundojnë se trajnimin bazë policor e filluan 542 kandidatë, të cilët i kaluan me sukses të gjitha fazat e përzgjedhjes, ndërsa pas përfundimit të trajnimit bazë, kushtet për themelimin e marrëdhënies së punës i përmbushën 496 kandidatë, të cilët e përfunduan me sukses trajnimin dhe i përmbushën të gjitha kriteret e parashikuara.