Uji në Gostivar sërish i pijshëm! Hiqet ndalesa, vazhdon hetimi

TË FUNDIT

Me një dolli uji nga një çezmë publike para Komunës së Gostivarit, zyrtarët shtetërorë dhe lokalë përcollën mesazhin se uji në këtë qytet tashmë është i sigurt dhe mund të konsumohet.

Pas thuajse 30 ditësh nga momenti kur Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ndaloi përdorimin e ujit për pije e pastrim, sot kjo ndalesë u hoq zyrtarisht. Drejtori i AUV-së, Oliver Millanov, konfirmoi se uji prej sot mund edhe të pihet.

Por pse nuk u dha alarmi më herët për qytetarët e Gostivarit, që të mos vinte deri te helmimet e shumta? Nga Shtabi lokal i krizës konfirmojnë se ndërmarrja komunale ka pasur kontratë me Qendrën për Shëndet Publik që uji të analizohej dy herë në javë.

Nga ana tjetër, drejtori i Qendrës për Shëndet Publik në Tetovë, Shaqir Zulbeari, thotë se analizat janë bërë dhe tashmë ndodhen në prokurori, duke pranuar se disa prej tyre kanë dalë në rregull e disa jo.

Sipas Prokurorisë, në rezervuarin e Gostivarit pompat që helmuan ujin janë vendosur më 25 qershor, ndërsa pacientët e parë në spitalin e Gostivarit u paraqitën më 14 korrik, rreth 20 ditë më pas. Agjencia e Veterinarisë e ndaloi ujin për pije më 17 korrik, ndërsa më 18 korrik u arrestua drejtoresha e ndërmarrjes bashkë me dy bashkëpunëtorë të saj. Mbi 4 mijë qytetarë u paraqitën në spitale me shqetësime shëndetësore për shkak të ujit të kontaminuar.