Kompanitë që kanë lëshuar pagat përmes “ALTA Bank”, do të mund të kryejnë pagesën e pagave dhe kontributeve

TË FUNDIT

Kompanitë që gjatë tre muajve të fundit kanë paguar rregullisht pagat përmes “ALTA Bankës” SHA Manastir, do të mund të vazhdojnë me pagesën e pagave për punonjësit, së bashku me pagesën e tatimeve dhe kontributeve përkatëse, përcjell TV21. Kjo mundësohet përmes ndryshimit më të fundit të vendimit për administrimin e Bankës Popullore, me të cilin po lehtësohen gradualisht kufizimet për klientët e bankës.

Kjo mundësi vlen për kompanitë tek të cilat pagesa e pagave përmes llogarive të pagesave në “ALTA Bankë” ishte një praktikë e rregullt, përkatësisht për ato që e kanë shfrytëzuar vazhdimisht bankën për këtë qëllim gjatë tre muajve para miratimit të vendimit.

Megjithatë, shuma e mjeteve që kompanitë do të mund të përdorin nga llogaritë e tyre për pagesën e pagave mund të jetë deri në 5 për qind më e lartë se shuma e përgjithshme e pagave të paguara në muajin tetor.

Nga Banka Popullore bëjnë të ditur se ky ndryshim mundëson vazhdimin e praktikave ekzistuese të pagesave dhe përmbushjen e detyrimeve ndaj punonjësve dhe shtetit, duke ruajtur njëkohësisht kontrollin mbi daljen e mjeteve nga banka.

Me ndryshimet e reja, edhe personat fizikë do të mund t’i përdorin plotësisht mjetet e reja që u transferohen në llogaritë e tyre në “ALTA Bankë”, nëse ato vijnë nga llogari pagesash të hapura në banka të tjera ose te ofrues të tjerë të shërbimeve të pagesave.

Kjo do të thotë se qytetarët do të mund t’i shfrytëzojnë pa kufizim në shumë mjetet shtesë që do t’u transferohen nga institucione të tjera financiare.

Banka Popullore thekson se po e ndjek me kujdes situatën në “ALTA Bankë” dhe do të vazhdojë t’i përshtatë masat, duke marrë parasysh kushtet e funksionimit të bankës dhe nevojat e klientëve të saj.

Prioritet, siç theksojnë nga Banka Popullore, mbetet mbrojtja e interesave të klientëve dhe lehtësimi gradual i kufizimeve, duke ruajtur kontrollin e duhur mbi daljen e mjeteve nga banka.