“Më vjen keq për pasagjerët, por nuk mundet një gjë e tillë. Mjaftë më…mjaft më me automjete skarp të vrasim pasagjerët të cilët nuk janë fajtorë”, tha Fevzi Arifi, shofer i NQP-së.
Ende nën stres të madh dhe presion, shoferi i autobusit numër 2 të NQP-së, Fevzi Arifi, nuk mundej t’i mbajë emocionet pas incidentit të djeshëm kur autobusi doli nga bulevardi dhe u përplas për murin ndarës përballë QT Mavrovasja. Si shofer me përvojë i cili vite të gjata ka punuar në këtë linjë, thotë se gjendja me autobusët është shumë e keqe, ndërsa pikërisht para drejtorit të ri të NQP-së, Dragi Kushevski, tregoi se çfarë saktësisht ka ndodhur dje. Tha se i vjen shumë keq për pasagjerët të cilët u lënduan dhe përjetuan stres.
– “Unë e vërejta, megjithatë unë e mora automjetin”, tha Arifi.
– A ishte automjeti i servisuar?
– “Këtë nuk e di, është nënshkruar drejtor, shumë herë unë me dorën time kam shkruar defekt, do ta paraqes defektin, të nesërmen e marr me defektin e njëjtë edhe pse është nënshkruar se është servisuar, është rregulluar për linjën, megjithatë asgjë nuk është prekur. Para se të më ndodh, unë dëgjova se diçka plasi tek timoni dhe më tërhoqi, unë të ngjitem aty, kjo po më ndodh për herë të parë”, tha ai.
Drejtori Kushevski përndryshe është emëruar para 2 jave, i cili vetë erdhi në këtë konferencë për media e organizuar nga sindikatat. Kërkoi që të mos jepen deklarata paushalle dhe se për ngjarjen do të bëhet hetim se çfarë saktë ka ndodhur.
“Thjesht dua që të mos ketë deklarata paushalle pa lejuar paraprakisht institucionet të japin raportet për të parë se cili ishte shkaku i incidentit dhe të mos përdoren punonjësit për qëllime të tjera. Unë nuk jam ekspert, shërbimet janë urdhëruar të punojnë për të parë se cila është arsyeja. MPB-ja ka dalë dhe ka bërë kontroll, ata janë më kompetent për të thënë nëse automjeti ka qenë me defekt apo ka pasur ndonjë arsye tjetër për incidentin”, deklaroi Dragi Kushevski, Drejtor i NQP-së.
Organizatat sindikale thonë se gjendja me autobusët e NQP-së është katastrofale, ndërsa fajtore për gjendjen e përgjithshme në NQP është kryetarja Danela Arsovska. Siguria e pasagjerëve tashmë është në rrezik, thonë ata dhe shtojnë se i njëjti autobus me numër 1145 më herët ka qenë në drejtim të Vodnos së Mesme, por fatmirësisht ngjarja nuk ka ndodhur atëherë, sepse pasojat do të ishin të tmerrshme.
“Do të theksoj se fajtori i drejtpërdrejtë është kryetarja e qytetit të Shkupit, znj. Danela Arsovska. Nuk mundet me sjelljen e saj, arrogancë ndaj punonjësve, arrogancë ndaj sindikatave, e shihni se çfarë po ndodh, fajin e kanë të gjithë në qytet po shihni se drejtorët e ndërmarrjeve publike po ndërrohen vazhdimisht, vetëm ajo të jetë e drejtë. Ajo duhet të tërhiqet nga qyteti i Shkupit sepse padyshim nuk mund të drejtojë komunikacionin dhe ndërmarrjet publike që janë në qytetin e Shkupit” u shpreh Marjan Ristevski, KOSM.
“Kanë reaguar të gjithë vozitësit që kanë vozitur ditët e kaluara, kanë frikë të dalin publikisht, kanë reaguar për automjetin se ka defekt, timon i rëndë, pompë e drejtimit e një sërë gjërash të tjera, automjeti ka hyrë në garazh, shoferi largohet dhe ia japin shoferit tjetër, tjetrit pas tij”, tha Elizabeta Toshevska, kryetare e Organizatës Sindikate Spajs.
Pas incidentit të djeshëm përballë QT Mavrovasja, dolën në sipërfaqe shumë probleme që po grumbullohen në këtë ndërmarrje publike. Përveç automjeteve me defekt, nuk ka naftë për autobusët, prandaj ndodh shpesh që autobusi të ndalojë për mungesë karburanti. Kryetarja Arsovska tashmë për të katërtën herë ka ndërruar drejtorin e NQP-së, por gjendja nuk po përmirësohet.
