Përderisa Maqedonia e Veriut e pret propozimin përfundimtar të kryesimit francez për të parë nëse është i pranueshëm për vendin ose jo, Antonio Milloshoski nga VMRO-DPMNE thotë se fajtor për dështimin diplomatik e ka treshja Kovaçevski, Osmani dhe Mariçiq dhe kjo duhet të pasojë me dorëheqjen e tyre.
“Kryeministri pohon se nuk e ka marrë propozimin, atëherë përse është kryeministër, ose ndoshta e ka marrë, por nuk do ta shpërndajë, atëherë ku e ka kapacitetin demokratik. Një pjesë e Qeverisë thotë se e refuzuam propozimin francez, të paktën kështu mund t’i interpretojmë fjalët e kryeministrit Kovaçevski, ndërsa Bujar Osmani thotë se ne nuk e refuzuam, kishim disa vërejtje, por nëse në ditët në vijim marrim propozime shtesë, nuk përjashtohen mundësia për ta pranuar”- deklaroi Antonio Milloshoski, deputet i VMRO-DPMNE.
Milloshoski vlerëson se kjo Qeveri si asnjëherë me parë ka prishur raportet me Bullgarinë dhe ka dëmtuar procesin euro integrues të vendit dhe ka dëmtuar interesat shtetërore dhe kombëtare. Por pushteti pretendon të kundërtën. Akuzojnë se VMRO-DPMNE punon për interesa të huaja dhe po shpërndanë lajme të rrejshme.
“Në zgjidhjen e çështjes me Bullgarinë, Qeveria dhe institucionet nuk heqin dorë nga linjat e kuqe që janë të definuara me Rezolutën e miratuar në Kuvend nga ana e deputetëve nga të gjitha partitë politike. Për gjuhën maqedonase, identitetin dhe historinë maqedonase nuk ka dhe nuk do të ketë asnjë lloj negociatash. Nga ana tjetër i gjithë opinioni vendor dhe ndërkombëtarë janë dëshmitarë të veprimeve destruktive të VMRO-DPMNE dhe Hristijan Mickoski”- pohoi Darko Kaevski, zëdhënës i LSDM-së.
Kryeministri bullgar në dorëheqje, Kirill Petkov, në një intervistë për një medium bullgar ka deklaruar se nëse Maqedonia e Veriut bie dakord me propozimin francez, bullgarët do të hyjnë në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut përpara se të fillojë procesi i negociatave. Shton se propozimi francez ka përcaktime shumë të qarta të fakteve historike duke shtuar se Brukseli do të qëndrojë pas zbatimit.
