Maqedonasit punësohen si shqiptarë ose anasjelltas/Aliu: Pavarësisht emrit, ndjenja është diçka tjetër

TË FUNDIT

Emrin mund ta ketë ndryshe, por me përkatësi etnike mund të ndjehet ndryshe, u përgjigj ministri për Shoqëri Informatike dhe Administratë Azir Aliu, në pyetjen e TV21 për keqpërdorimet në punësimet e fundit të komunës së Kumanovës.

 “Pavarësisht emrit, ndjenja është diçka tjetër. Ai mund të thotë në fund të ditës emrin e kam kështu, por ndjehem kështu. Neve nuk kemi drejt as me ligj, as me Kushtetutë që ta anashkalojmë”, tha Azir Aliu, ministër për Shoqëri Informatike dhe Administratë.

Derisa të gjithë ministrat në vazhdimësi e pranojnë se ka keqpërdorim të përkatësisë etnike gjatë punësimeve në administratë shtetërore, asnjëri prej tyre nuk përveshi mangët që të ndryshojë situatën. Edhe ministri Aliu pohon se tani për tani nuk ka ndonjë zgjidhje ligjore, por se po punojnë në këtë drejtim.

 “Keqpërdorimet janë në nivel personal, nuk janë institucional, kështu që secili qytetarë tani për tani ka të drejtë ligjore me Kushtetutë t’i garantohet që ai të ndjehet çdo ditë ndryshe. Ministria jonë po analizon mirë edhe punën e balancuesit dhe formave të tjera me të cilën do të pamundësohet ky keqpërdorim i cili tani për fat të keq shfrytëzohen mundësitë ligjore dhe ndjenjat personale me të cilën bëhet keqpërdorimi i këtyre proceseve”, theksoi Azir Aliu, ministër për Shoqëri Informatike dhe Administratë.

Me punësimin e maqedonasve në vendet e punës ku kërkohen shqiptarët ose anasjelltas nënkupton keqpërdorim edhe të balancuesit i cili shërben për rregullimin e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat të përkatësive etnike në administratën publike dhe shtetërore. Një zgjidhje të mundshme të këtij problemi ministri i Drejtësisë Krenar Loga paralajmëroi me vendosjen e përkatësisë etnike në certifikatën e lindjes.