“Kanë kaluar katër muaj që kur kryetari i komunës Qendër, Sasha Bogdanoviq, premtoi se në hyrje të rrugës Maqedonia do të vendoset rampë elektronike, që të pengohet hyrja dhe parkimi i makinave. Mirëpo rampa elektronike jo vetëm që nuk është vendosur, por është hequr edhe ajo që ishte dikur”, Almedina Ismajli, gazetare.
Disa qytetarë i dërguan Televizionit 21 pamje në të cilat shihen makina që kalojnë në mes të qytetarëve.
Ata ankohen se nuk munden të shëtisin lirshëm në shëtitoren e rrugës “Maqedonia”.
“Nuk është në rregull, kur diçka është e destinuar për këmbësor, le të ngelet për këmbësorë”,tha një qytetare.
“Po, është zonë për shëtitje, duhet të organizohen ndryshe për dorëzim. Ka kafiteri dhe dyqane por duhet ndryshe të organizohen, jo në zonë për këmbësorë”, tha një qytetar.
“Na pengon gjithçka, shumë keq e rregulluar lëvizja e çiklistëve asgjë, posaçërisht përreth Parlamentit, te” Parku i Gruas” parkohen makinat si t’ju teket. Ne kemi problem”, tha një tjetër qytetare.
Për këtë gjendje, TV21 raportoi dhe para katër muajve. Atëherë kryetari i Komunës Qendër premtuar zgjidhje, e cila deri tani nuk u realizua.
“Për atë thash se na duhet një zgjidhje e re e trafikut, e cila automatikisht do të mbyllet dhe hapet dhe nuk do të duhen mekanizma manuale”, deklaroi Sasha Bogdanoviq kryetar i Komunës Qendër.
Pyetëm përsëri në Komunë, se përse është hequr trau që ishte dikur dhe a do të ndërmarrin diçka për sigurinë e qytetarëve, por përgjigje nuk morëm.
“TV21 erdhi edhe njëherë në komunën Qendër për të kërkuar përgjigje, por kësaj radhe kryetarin nuk e gjetëm këtu. Nga komuna na thanë se kryetari është në një udhëtim zyrtar dhe nuk na dhanë asnjë përgjigje tjetër”, Almedina Ismajli gazetare.
Leje kalimi dhe parkimi në rrugën Maqedonia, kanë vetëm automjetet që kryejnë furnizime. E ato automjete kanë të drejtë brenda kësaj hapësirë të qëndrojnë vetëm 15 minuta.
Përgatiti: Almedina Ismajli
