Lubotenasit përkujtojnë 12 gushtin e 2001-it, 19 vjet nga masakra, ku u vranë 10 civilë të pafajshëm

TË FUNDIT

Dymbëdhjetë gushti çdoherë për lubotenasit e Shkupit por edhe për mbarë popullin shqiptar, përkujtohet si një ditë e dhimbshme, sepse u kujton masakrën e zhvilluar në këtë fshat, nga e cila kanë kaluar 19 vjet. Atë mëngjes të 12 gushtit të vitit 2001 u zhvillua operacioni i ndërhyrjes së njësiteve policore – ushtarake në fshatin Luboten ku u vranë dhjetë civilë shqiptarë, në mesin e tyre edhe fëmija 6-vjeçar Erxhan Aliu. Rasti i Lubotenit ishte një ndër rastet e vetme që u proceduan dhe u gjykuan nga Tribunali Ndërkombëtar për Krime Lufte, me ç ‘rast për krimet e kryera ndaj civilëve shqiptarë u dënua ish-pjesëtari i lartë i forcave të sigurisë maqedonase, Johan Tarçullovski, ndërsa i akuzuari i parë ish-ministri i Brendshëm, Lube Boshkovski u lirua nga akuza.

 “Ne vijmë nga mërgimi por vijmë edhe ngaviset tona mbarëshqiptare për t’i nderuar edhe një herë martirët e këtij vendi, të cilët përnjëherësh brenda 24 orëve u likuiduan nga forcat sllave të atëhereshme dhe urdhëruara nga institucionet më të larta të mbrojtjes, të ushtrisë, të shtetit, në krye me Boshkovskin. Ishte hakmarrje që i bëhej popullit, Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, pasi që luftën e kishin humbur në të gjitha anët dhe i mbetën në qafë këtij populli këtu që në të gjitha kohët ka qenë i qetë”, deklaroi, Fazli Veliu, kryetar i SHVL-UÇK.