Deklarata e kryeministrit Mickoski se Qeveria nuk do të bëjë lëshime për ndryshimet kushtetuese kundrejt zhbllokimit të rrugës evropiane të vendit, duke theksuar mbrojtjen e identitetit kombëtar maqedonas, ka nxitur reagime të opozitares LSDM. Nga atje thonë se ky është konfirmim se Mickoski është i gatshëm ta sakrifikojë Maqedoninë, se i tha lamtumirë Evropës dhe porositi se do të presë ftesë.
Nga partia në pushtet VMRO-DPMNE u kundërprëgjigjën duke i kërkuar LSDM-së që të mos e keqpërdorë agjendën evropiane për pikë politike ditore, pasi sipas tyre, e ardhmja evropiane ndërtohet me reforma dhe dinjitet, e jo me lëshime kombëtare.
Përndryshe, Bashkimi Evropian po avancon procesin e zgjerimit me Shqipërinë, Malin e Zi, Ukrainën dhe Moldavinë, ku për Shqipërinë dhe Malin e Zi janë planifikuar mbyllje të disa kapitujve negociues, ndërsa Ukraina dhe Moldavia pritet të hapin grupkapituj të rinj të negociatave. Ndërkohë, Maqedonia e Veriut mbetet jashtë këtij ritmi të ri të zgjerimit, pasi procesi i saj i negociatave është i bllokuar në fazën fillestare dhe hapja e kapitujve varet nga ndryshimet kushtetuese të kërkuara në kuadër të kornizës negociuese me BE-në.
