Familjarët e viktimave të aksidentit në Llaskarcë nuk i besojnë superekspertizës së re që e ka përgatitur Byroja për ekspertizë ligjore. Edhe prokurori Darko Jakimovski dyshon se në superekspertizë në mënyrë selektive janë zbatuar vetëm disa dëshmi të caktuara nga ekspertiza e parë. Sipas familjarëve, personi që foli për super ekspertizën nuk ka dijeni për asgjë për çka edhe dyshojnë se superekspertiza është e porositur.
“Në çdo pyetje të parashtruar nga prokurori drejt përfaqësuesit të Byrosë për ekspertizë gjyqësore reagojnë bujshëm. Nuk lejuan në asnjë pyetje të parashtruar nga prokurori të përgjigjet nga personi që ka përgatitur superekspertizën e kësaj lënde”, tha Bllagojçe Tërpevski, familjar i njërit prej viktimave.
Tërpevski dyshon se kjo është bërë me qëllim që të mbrohen fajtorët, ndërsa faji t’i mbetet vetëm shoferit.
“Në përfundim shkruan se askush nuk ka faj përveç shoferit. Kjo tregon se të gjithë 5 të akuzuarit e tjerë nuk kanë aspak faj në këtë procedurë edhe pse në seancat e mëparshme me miliona faqe të dëshmive materiale tregonte se këtu kanë faj përgjegjësi dhe pronari Durmish Beluli”, pohoi Bllagojçe Tërpevski, familjar i njërit prej viktimave.
Por sipas avokatit Sasho Dukovski, bëhet fjalë për ekspert të besueshëm sepse të njëjtit janë doktorë shkence dhe të gjithë janë ekspertë me licencë të dhënë nga ministria e Drejtësisë.
“Përfundimi i të dyja ekspertizave është se bëhet fjalë vetëm për faktor subjektiv, gjegjësisht gabim subjektiv, faktor njeriu dhe në rastin konkret bëhet fjalë për shoferin. Çdo përfshirje tjetër të personave të tjerë që janë të akuzuar për kualifikimin e njëjtë juridik është e pakuptimtë”, deklaroi Sasho Dukovski, avokat.
Procesi gjyqësor për aksidentin, i nisur në shtator të vitit 2019, e udhëheq gjykatësja Diana Gruevska Ilievska, ndërsa përfaqësues i prokurorisë është prokurori publik, Darko Jakimovski. Aksidenti tragjik ka ndodhur më 13 shkurt të vitit 2019, ku jetën e humbën 16 persona dhe 37 tjerë u plagosën. Si të akuzuar në këtë lëndë janë pronarë i Durmo Tours, Durmish Beluli, personi përgjegjës për transport në kompani, Remzi Miftari, shoferi i autobusit Manoil Trifunovski dhe 3 punonjës tjerë të stacionit për kontroll teknik.
