Lista me emrin e Boban Iliqit për falje nuk kalon! Mariçiq: Propozimet nuk ishin përfundimtare

TË FUNDIT

Reagime të shumta ngjalli në opinion lista me emrat e të burgosurve për të cilët është kërkuar falje. E më së shumti opinionin e irritoi emri i Boban Iliqit, i cili ishte i dënuar për rastin e Almir Aliut.

E sot Ministria e Drejtësisë ka tërhequr propozimet për faljen e Boban Iliq, Aleksander Vasilevski-Ninxha dhe Sead Koçan dhe disa të burgosurve të tjerë. Ministri i Drejtësisë, Bojan Mariçiq, deklaroi se lista është kthyer mbrapsht për shqyrtime shtesë.

 “Ajo listë ishte e papërfunduar, jofinale dhe duhej të shqyrtohej. Që kur i pamë emrat të premten, unë u lajmërova në kabinetin e Presidentit dhe i thash se ajo listë nuk duhet të shkojë deri te Komisioni, por duhet edhe njëherë të shqyrtohet. Dhe në vazhdën e atij diskutimi sot dërguam shkresë për tërheqjen e asaj liste, për rishqyrtim shtesë nëpër burgje”, tha Bojan Mariçiq, ministër i Drejtësisë.

Mariçiq e shfajëson veten duke thënë se lista ka qenë e formuluar nga drejtoritë e burgjeve në vend për personat të cilët formalisht kanë plotësuar kriteret për falje të dënimit ose shkurtim të dënimit, ndërsa shpjegon se dikasteri i Drejtësisë nuk mund ta ndryshojë listën sepse ka vetëm rol përcjellë deri te Presidenca.

 “Edhe unë mendoj të njejtën se një pjesë e atyre që dolën në opinion nuk duhet të gjenden në listën për falje. Që ta përfundojmë atë në fazë më të hershme të filtrave, edhe pse ka 4 filtra deri në fund të këtij procesi, e kthyem listën tek burgjet për shqyrtim dhe revidim”, theksoi Bojan Mariçiq, ministër i drejtësisë

Nga Kabineti i presidentit kanë njoftuar se mbledhja që ishte thirrur sot në Komisionin për falje është anuluar, dhe do të thirret kur të ketë listë përfundimtare nga Ministria e Drejtësisë.

“Komisioni për falje do ta caktojë seancën kur të vijë lista përfundimtare nga Ministria e Drejtësisë me propozimet për faljen në grup. Opinionin publik si gjithmonë do ta informojmë sapo të merren vendimet” thonë nga Kabineti i Presidentit Pendarovski.

Presidenti i shtetit në bazë të kompetencave të tij për çdo vit të ri ka të drejtë të fal ose amnistoj disa të burgosur të cilët kanë përmbushur kushtet për shkurtim ose falje të dënimit me burg.