Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka thënë se presidenti serb Aleksandër Vuçiq ende e konsideron Kosovën si territor që Serbia duhet ta kthejë një ditë.
Kurti deklaroi për gazetën “Le Monde” të Francës se Serbia “duhet të përballet me të kaluarën dhe të bëhet më demokratike”.
Gazeta “Le Monde” e Francës thekson në hyrje të intervistës se kryeministri i Kosovës Albin Kurti u takua për herë të parë me presidentin serb Aleksandar Vuçiq më 15 qershor, si pjesë e një dialogu të ndërmjetësuar nga BE-ja në Bruksel.
E përditshmja citon gjithashtu Kurtin si një ish-aktivist i krahut politik të UÇK-së, i cili kaloi dy vjet burg në Serbi gjatë luftës në Kosovë dhe më vonë themeloi Lëvizjen Vetëvendosje me agjendë revolucionare dhe u bë kundërshtari kryesor i “qeverive të vazhdueshme të komandantëve të UÇK-së”.
Sipas gazetës, Kurti tani është socialdemokrat i zgjedhur në bazë të një platforme për të luftuar papunësinë, korrupsionin dhe krimin e organizuar. Prioriteti i tij diplomatik është të sigurojë njohje nga Serbia, të cilën Beogradi vazhdimisht e ka refuzuar që nga konflikti.
I pyetur se cilat ishin përshtypjet e tij pas takimit të tij të parë me presidentin serb Aleksandar Vuçiq në Bruksel, Kurti u përgjigj: “Nuk ishte e lehtë, por ishte konstruktive. Unë insistova që asgjë të mos fshihej nën qilim, kështu që çështja e njohjes reciproke të Kosovës dhe Serbisë duhet të zgjidhet me ndershmëri. Të gjithë kemi nevojë për njohje të ndërsjellë, derisa Vuçiq nga u përgjigj se ai kurrë nuk do ta njihte Kosovën. Refuzimi i realitetit nga njëra anë dhe i së vërtetës nga ana tjetër vjen nga e njëjta logjikë. Serbia duhet të distancohet nga ditët e Sllobodan Millosheviçit, të cilat filluan me aparteidin dhe përfunduan me gjenocid në Kosovë”.
“Krerët serbë duhet të ndahen nga trashëgimia e Millosheviçit”, tha Kurti.
Ai theksoi se Vuçiq, megjithatë, beson se Kosova është territor që Serbia duhet ta kthejë një ditë, pa marrë parasysh njerëzit dhe qytetarët e saj.
“Pavarësia e Kosovës është 13 vjeçe, nuk mund të flasim si para vitit 2008. Pasi vendimi i vitit 2010 i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë e konfirmoi faktin se deklarata e pavarësisë së Kosovës nuk shkel ligjin ndërkombëtar, ky diskutim ka mbaruar. Unë nuk do të diskutoj statusin e Kosovës, kjo çështje është zgjidhur. Çështja e vetme sot është marrëdhënia midis Kosovës dhe Serbisë. Vuçiq duhet ta kuptojë këtë. Serbia duhet të përballet me të kaluarën dhe të bëhet më demokratike”, tha Kurti.
