KOVID-19, gati spitali prej çadrave, a pritet rritje e numrit të të infektuarve?

TË FUNDIT

Ky është spitali mobil i cili është ngritur menjëherë pranë Klinikës për sëmundje Infektive. Por a pritet që numri i të infektuarve me Covid-19 të rritet aq sa pacientët të hospitalizohen në këto çadra?

Në rast se mbushet kapaciteti i Klinikës për sëmundje infektive, atëherë pacientët me Covid-19 të cilët duhet të trajtohen në kushte spitalore do të shtrihen në spitalin mobil i cili disponon me 130 shtretër. Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe thotë se më këtë maskë institucionet po përgatiten për skenar më të rëndë, tha gazetarja Almedina Ismajli.

Edhe Infektologu Fadil Cana pret që numri i të infektuarve të rritet. Ai tha se deri tani është mbushur gjysma e kapacitet të spitalit Infektiv dhe se personeli mjekësor po punon nga 30 deri në 36 orë pandërprerë. Sipas Canës, ekipi i Spitalit Infektiv nuk mund t’ia del të përkujdeset edhe për pacientët që eventualisht do të shtrihen në spitalin mobil.

Presim dhe jemi të përgatitur për shtimin e rasteve.

Në rast se, hipotetikisht flas, por edhe që pritet shtimi i rasteve, pas stërmbushjes së kapaciteteve të Klinikës Universitare për sëmundje Infektive, atëherë doemos do të kemi nevojë edhe për personel shtesë që duhet të na vijë në ndihmë, pasi që edhe fizikisht do të jetë e pamundur që të mundemi të gjithë t’i shërbejmë, tha infektologu Fadil Cana.

Rritje të numrit të të prekurve nga Covid-19 pret edhe Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe. Ai thotë se kulmi do të jetë në fund të prillit. Edhe pse Ministri dje paralajmëroi se sot spitali do të jetë gati për funksion, ekipi ynë nuk u lejua të xhiroj nga afër dhe ushtarët që e ruanin na thanë se nuk lejohet të xhirohet deri sa nuk vihet në funksion.

Spitali mobil, pranë klinikës infektive është kah fundi, po vendosen krevatet. Ka përfunduar instalimi i sistemi për ngrohje dhe ftohje. Që nesër do të jetë në funksion, ndërsa deri kah fundi i javës do të jetë gati. Përsëris që ende ka kapacitet në Klinikën për sëmundje infektive, edhe 50 %. Në proces është përmbushja me kuadro nga Klinika për Anestezi, infermiere nga klinika tjera në pajtueshmëri me planin për rotacion dhe mbështetje të personelit që punon në Klinikën Infektive, tha Ministëri i Shëndetsisë Venko Filipçe.

Klinika për sëmundje infektive posedon rreth 110 shtretër. Me rastet e reja që i kumtoi sot Ministria e Shëndetësisë, në këtë hapësirë ka gjithsej 59 pacientë të hospitalizuar me Covid-19, që nënkupton se është i mbushur më shumë se gjysma e spitalit. Përderisa  më së shumti deri tani raste janë shënuar dje edhe atë 44.