Kosovë, arrestohen në flagrancë 3 persona derisa shkëmbenin 50 kg marihuanë

TË FUNDIT

Operacioni i Policisë së Kosovës i zhvilluar nën masa të veçanta të hetimit vë në pranga tre persona të dyshuar dhe konfiskon mbi 50 kg drogë. Ata u arrestuan në një parking në Prishtinë derisa shkëmbenin sasinë e marihuanës.

Sipas Policisë, dje rreth orës 18:50 në një parking të automjeteve në Prishtinë, Policia e Kosovës, konkretisht, pas një hetimi disa mujorë përmes aplikimit të masave të veçanta të hetimit ka zhvilluar një operacion policor me ç`rast ka ndaluar tre persona të dyshuar nën dyshimin se kanë kryer vepër penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”

“Tre personat e dyshuar në momentin e ndalimit kanë qenë duke shkëmbyër sasi të substancës narkotike dhe janë arrestuar nga njësitet antidrogë të Policisë së Kosovës. Në këtë operacion policor janë sekuestruar 51 kg ( pesëdhjetë e një kilogram) e 664.6 gr substancë e dyshuar narkotike e cila dyshohet të jetë e llojit Marihuanë, 3 vetura, 8 telefona celularë, 980 euro, 30 franga,1 dollar; para të gatshme. Në vendngjarje poashtu kanë dalë edhe njësiti i forenzikës së PK-së për procedura të nevojshme. Në lidhje me rastin janë bastisur tri lokacione në Viti dhe gjatë bastisjes është gjetur dhe konfiskuar një armë e gjatë me dy tyta, 32 fishekë të kalibrit të ndryshëm dhe 51.9 kg duhan”, thuhet në një komunikatë të policisë.

Me vendim të prokurorit kompetent tre personat e dyshuar dërgohen në mbajtje për procedura të mëtejme ligjore.