Kosova-Turqi, finale historike në “Fadil Vokrri”! “Shanset 50-50”, Foda dhe Muriqi të fokusuar për fitore

TË FUNDIT

Nesër, Kombëtarja shqiptare e Kosovës do të luajë një ndeshje historike ndaj Turqisë në finale, një sfidë që mund të përcaktojë vendin e Kosovës në Kampionatin Botëror.

Trajneri i Kosovës, Franco Foda, e konsideroi finalen ndaj Turqisë një ngjarje shumë të rëndësishme dhe tha se shanset janë 50 me 50. Ai vlerësoi cilësinë e ekipit turk, duke përmendur lojtarë si Yildiz, Guler dhe Calhanoglu, por theksoi se Kosova është e përgatitur për çdo skenar, përfshirë kohën shtesë dhe penalltitë.

 “Ekipi i Turqisë është shumë i fortë edhe në aspektin e lojtarëve individual si Yildiz, Guler e Calhanoglu, janë kualitativ dhe ne jemi të mirë. Jemi në finale me plot meritë, gjasat janë 50-50. Ne do të japim gjithçka për të fituar”. Padyshim që vërehet se është ngjarje shumë e rëndësishme. Kurrë s’ka pasur kaq shumë gazetarë. Po luajmë për kualifikimin në Kampionatin Botëror. Është mirë që jemi të motivuar, por ta mbajmë “kokën në vend”, tha Franco Foda – trajneri i Kosovës .

Sulmuesi dhe kapiteni Vedat Muriqi u shpreh se është krenar të drejtojë Kosovën në këtë duel historik dhe shprehu optimizëm për suksesin në fushë.

“Në një intervistë tjetër thash që pas pavarësisë kjo mund të jetë knaqësia më e madhe e shteit tonë, kështu që dëshira, forca jonë është maksimale për të arritur këtu. Nuk duhet të kemi presion, por nesër duhet të arrijmë fitore, shpresojmë të arrijmë sukeses dhe pastaj të festojmë bashkë në shesh”, tha Vedat Muriqi – kapiteni .

Ndeshja pritet të jetë e fortë dhe emocionuese, ndërsa të dyja ekipet synojnë të japin maksimumin për një fitore historike. Kosova shkon në këtë sfidë me motivim maksimal dhe me mbështetjen e tifozëve që presin një performancë madhështore në fushë. Kujtojmë, përballja mes Kosovës dhe Turqisë zhvillohet nga ora 20:45 në “Fadil Vokrri”.