Nga Shkupi deri në Prishtinë tani për 45 minuta. Me lëshimin në qarkullim autostradën Prishtinë – Hani Elezit afrohen dy kryeqytetet.
Rruga “Arbër Xhaferi”, që u përurua sot është e gjatë 65.5 km. Kjo autostradë ka urën më të gjatë në rajon me gjatësi prej 5.7 kilometra pa ndërprerje, kurse lartësia maksimale është 83 metra. Gjithsej janë 13 ura. Punimet kishin filluar para 5 vjetëve, ndërsa për ndërtimin e këtij projekti u angazhuan 900 kompani vendore me gjithsej 9500 punëtorë. Ndërtimi i këtij projekti autoriteteve të Kosovës u kushtoi rreth 700 milionë euro.
Krerët e shtetit e cilësuan si një urë bashkëpunimi mes shteteve fqinje që do të përfiton gjithë rajoni i Ballkanit. Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi tha se ky është një investim i fuqishëm, por që ka pasur vlerë.
“Urën më të gjatë në rajonin tonë. Është një investim i fuqishëm por që ja vlejti. Sepse një Kosovë, e lirë dhe pavarur edhe duhet të zhvillohet edhe prandaj nëse dje kemi ëndërruar të kemi një Kosovë të tillë, sot e kemi realitet. Nëse dje është dukur e pamundur që të kryhet projekte të tilla, ne sot e kemi realitet”, theksoi Hashim Thaçi, President i Kosovës
Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj tha se kjo rrugë po i afron mes veti shtetet fqinje dhe po i jep një pamje të re gjithë rajonit.
“Para 20 vitesh kjo rrugë e kishte domethënien e braktisjes së atdheut për të kërkuar shpëtim. Ne sot marrim frymë lirshëm dhe shohim përtej fatkeqësisë në të ardhmen eurointegruese, këtë rrugë të gjithë do ta përjetojmë të gjithë bashkë të miqësisë. Shpresoj shumë që me kolegun tim Zoran Zaev, së shpejti do të jemi bashkë përurimit në pjesën e mbetur deri në Shkup, në territorin e RMV-së”, potencoi kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi.
Kryeministri i Maqedonisë se Veriut Zoran Zaev, u shpreh se autostrada “Arbër Xhaferi” përbën një motivim që dhe Shkupi të përshpejtojë procedurën. Ai shtoi se shumë shpejt do të shpallet tender për 14 kilometra rrugë nga Bllaca deri në Shkup.
“Autostrada e cila sot lëshohet në përdorim do të jetë motivim i madh për ne, për t’i përshpejtuar përgatitjet për fillimin e punimeve në autostradën “Shkup-Bllacë”. Këto ditë, edhe te ne shpallet tenderi për autostradën prej 14km, i cili e kap vlerën 120 milionë euro dhe i cili kalon nga kufiri i Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës deri në kryeqytetin tonë, Shkup. Kështu do të rrumbullakohet lidhja mes Shkupit dhe Prishtinës përmes autostradave dhe udhëtimi mes këtyre dy qyteteve do të zgjasë vetëm 45 minuta”, deklaroi kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.
Hapja e Autostradës Prishtinë-Shkup u bë me pesë muaj vonesë, pasi ishte planifikuar që të hapej më 31 dhjetor të vitit 2018. Autostrada, mbanë emrin e politikanit të ndjerë Arbër Xhaferi, i cili ishte kryetar i Partisë Demokratike Shqiptare.
Përgatiti: Zimer Jashari
