Ky është Islam Rushiti. Në njoftimin që e ka marrë nga Komuna e Tetovës, shkruhet se shtëpia e tij të hënën do të duhet të rrënohet. Madje kryetari i Tetovës, Bilall Kasami, dje tha se do të kërkohet edhe ndihma e policisë që të zbatohet vendimi i gjykatës për t’i hapur rrugën ndërtimit të bulevardit “Bllagoja Toska”.
“Ne deri tani e kemi bërë angazhimin maksimal që të kemi një marrëveshje me atë qytetar i cili për momentin nuk pranon atë që thotë ligji dhe besojmë që ditën e hënë me asistim të policisë do të eliminohet edhe pengesa e fundit dhe të vazhdojnë punët për përfundimin e të gjithë bulevardit. Është një punë dhe përgjegjësi e Komunës së Tetovës realizimi i tij”, tha Bilall Kasami, kryetar i komunës së Tetovës.
Por Islam Rushiti, i cili ka 60 vjet që banon në këtë shtëpi, thotë se ai ende është në proces gjyqësor.
“Për ta rrënuar këtë shtëpi ne jem akoma në proces gjyqësor, ai edhe ndoshta ka thënë por ne jemi në gjykatë, kur t’i pastrojmë punët e gjykatës atëherë mund të hyjë edhe e ka shumë pastër, kjo shtëpia është 350 metër katrorë edhe na ngelen 80 metër katrorë dhe nuk jam i vetmi me 80 metra katrorë, ka plot shtëpi, 30 e ndërtimeve janë më të vogla, edhe nga kur është në plan kjo rrugë të hapet nga “Tekstilja” të gjithë na kanë thënë, atë pjesë që do ngelet mund të ndërton ata tjetrën do ia marrim, të gjithë na kanë thënë kush ka qenë kryetar i Tetovës”, theksoi Islam Rushiti, pronar i shtëpisë.
Për Rushtit vlerësimi 76 mijë euro që i është bërë shtëpisë është i papranueshëm, andaj shton se do ta mbrojë pronën e tij deri në fund!
“Ne do të qëndrojmë këtu, pa mos u përfundua ajo e gjykatës ne do qëndrojmë këtu, ne e kërkojmë tonën ai tash mund të vijë edhe unë se dijë me çka mund të vijë, nuk mund të ta nxjerrë ne jemi akoma në gjykim akoma nuk është vendos edhe shumë pastër e ka”, deklaroi Islam Rushiti, pronar i shtëpisë.
Në bazë të dokumentacionit, seanca e fundit gjyqësore është mbajtur me 25 maj 2022, ku edhe është kërkuar super-ekspertizë për vlerësim, gjë që akoma nuk është bërë. Për këtë shkak familja Rushiti e quan të kundërligjshëm përpjekjet e autoriteteve komunale për ti larguar nga këtu. Sipas tyre vlerësuesit privat shtëpinë e tyre e kanë vlerësuar me mbi 120 mijë euro.
