680 kilogramë kanabis konfiskohen në Strumicë, dy të dyshuar! Toshkovski: Reagimi i Policisë ishte në kohë

TË FUNDIT

Policia ka zbuluar një plantacion ilegal me kanabis në zonën e fshatit Sekirnik, në rrethinën e Strumicës, ku janë konfiskuar rreth 680 kilogramë bimë kanabisi.

MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME:

-SPB Strumicë, pranë Prokurorisë Themelore në Strumicë, ka paraqitur kallëzim penal kundër Z.M. (34) dhe A.T.G. (30), të dy nga Komuna e Novo Sellës, mbi dyshime të bazuara se kanë kryer veprën penale „prodhimi i paautorizuar dhe lëshimi në qarkullim i drogave narkotike, substancave psikotrope dhe prekursorëve“.

Hetimi ka zbuluar se dy të dyshuarit, pas një marrëveshjeje të mëparshme, kishin përpunuar një pjesë të fshehur të një parcele në vendin e quajtur “Matnik”, ku në maj të vitit 2026 kishin mbjellë dhe kultivuar kanabis me qëllim të prodhimit të marihuanës. Gjatë veprimeve operative dhe masave të posaçme hetimore janë siguruar prova për përfshirjen e të dyshuarve në kultivimin e bimëve.

I pyetur se ku ishte policia deri më tani që nuk e kishte detektuar më herët këtë plantacion, ministri i brendshëm Pançe Toshkovski tha se është vepruar menjëherë sapo janë marrë informacione dhe se për këtë aksion është punuar gjatë.

Ku ta gjenim që procedura të këtilla gjatë viteve të ishin zbatuar më shumë, e nuk do të ishim në këtë derexhe ku jemi tani. Reagimi në rastin konkret absolutisht është në kohë dhe është fakt që nuk kemi lejuar që ajo drogë të gjendet në rrugët tona dhe në duart e qytetarëve tanë”, theksoi Toshkovski.  

Sipas policisë, gjatë bisedës zyrtare të dyshuarit kanë pranuar se kishin siguruar farat, kishin përgatitur tokën dhe kishin krijuar plantacionin ilegal. Pas përfundimit të procedurës policore, të dy personat janë nxjerrë para gjykatësit të procedurës paraprake pranë Gjykatës Themelore në Strumicë, ku do të vijojë procedura përkatëse ligjore.