Një pjesë e barnave ilegale të konfiskuara në një aksion policor në Maqedoni ishte e destinuar për tregun vendas, ndërsa pjesa tjetër për tregun e huaj, bëri të ditur ministri i Punëve të Brendshme, Toshkovski, duke folur për aksionin për kontrabandë me barna, suplemente dhe sende të tjera, përcjell TV21. Ai tha se hetimi ka nisur nga veprime operative dhe ekspertiza të telefonave celularë, ndërsa provat shtesë kanë çuar në zbulimin e grupit. Për këtë ndaj 8 personave janë ngritur procedura. Prokuroria ka urdhëruar zhvillimin e procedurës hetimore për dyshimet për kontrabandë, mashtrim doganor, ryshfet dhe pastrim parash.
“Një pjesë e tyre ishte për tregun vendas, ndërsa një pjesë, sipas informacioneve të para që kam, ishte për tregun në territorin fqinjëve tanë. Është mirë që kjo procedurë dhe ky aksion janë ndërmarrë në mënyrë të koordinuar në bashkëpunim me Prokurorinë Publike, bazuar në procedurat e mëparshme që, le të themi, i kemi nisur dhe i kemi konkretizuar në kuadër të telefonave të sekuestruar gjatë aksionit të parë që patëm para një kohe. Aty janë nxjerrë dëshmi shtesë që na kanë çuar deri te zbulimi i këtij grupi kriminal, le të themi degë e grupit kriminal”, deklaroi Pançe Toshkovski, ministër i Punëve të Brendshme .
