Këshilli Gjyqësor debaton për Damevën, Kovaçevski ndanë mendimet si ambasadorët holandez dhe amerikan

TË FUNDIT

Rreth tre orë në Këshillin Gjyqësor ka zgjatur sot diskutimi dhe shqyrtimi i vendimit të Gjykatës Administrative sa i përket anulimit të vendimit për shkarkimin e ish kryetares së Këshillit Gjyqësor, Vesna Dameva. Kjo e fundit ishte e pranishme në këtë mbledhje. Këshilli Gjyqësor ka afat 30 ditë për të vepruar në bazë të vendimit të Administratives dhe nuk ka të drejtë për ankesë. Gjykata ka konstatuar se vendimi është i paligjshëm përshkak shkeljes së rregullores së procedures ndërsa në vendim siç thonë, nuk janë potencuar arsyet e shkarkimit.


“Duke vlerësuar ligjshmërinë e vendimit të kontestuar, Gjykata konstatoi se e njejta është e paligjshme përshkak shkeljes së rregullores së procedures, gjegjësisht nga arsyeja që vendimi i kontestuar përmbanë mungesa të tilla thelbësore që e pengojnë vlerësimin e ligjshmërisë së aktit. Në të njejtën nuk janë potencuar as arsyet përshkak të cilave kërkesat, propozim dhe pohimet e paditësit nuk janë marrë parasysh, e as nuk janë cekur normat ligjore sipas të cilave është zbatuar procedura”, thonë nga Gjykata Administrative.

I pyetur për zhvillimet në Këshillin Gjyqësor, kryeministri Kovaçevski nuk shtoi asgjë më tepër përpos që ndanë mendimet e ambasadorëve amerikan dhe holandez.


“Sa i përket Këshillit Gjyqësor ndaj mendimet e ambasadores amerikane dhe ambasadorit holandez”, tha Dimitar Kovaçevski, kryeministër.

E ambasadorët e Holandës dhe Amerikës, para pak muajsh kishin kritika të shumta ndaj punës së Këshillit Gjyqësor, veçanërisht pas shkarkimit të Damevës. Ambasadorja amerikane Ageler, pati thënë se nuk kanë parë dëshmi të mjaftueshme nga Këshilli Gjyqësor se kanë përmbushur obligimet e tyre ligjore. Holanda madje vendosi në pushim projektin e madh për Këshillin Gjyqësor ku ishte paraparë përforcim i efikasitetit dhe transparencës i cili kishte filluar në vitin 2020 dhe duheshte të përfundojë sivjet.