Senatori i ekstremit të djathtë, Flavio Bolsonaro, sipas raportimeve të disa mediave, është larguar nga Brazili dhe është nisur drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pasi humbi zgjedhjet presidenciale të së dielës përballë presidentit aktual të majtë, Luiz Inácio Lula da Silva, raportoi gazeta britanike The Guardian.
Duke iu referuar burimeve pranë familjes së politikanit, faqja e internetit „Metropoles“ raportoi se ai është nisur drejt SHBA-së. „Avioni është në fluturim“, njoftoi mediumi, pa specifikuar nga cili aeroport ishte nisur.
Bashkëpunëtorët e Bolsonaros i thanë „Metropoles“ se ai pritet të ulet në Florida të martën pasdite dhe se planifikon të kërkojë azil politik. „Administrata e Donald Trumpit është informuar“, pretendon ky portal.
Bashkëpunëtorët e tij konfirmuan gjithashtu për gazetën „Folha de S.Paulo“ se ai është nisur drejt SHBA-së, duke theksuar se largimi ishte „organizuar dhe mundësuar nga një avokat i afërt me familjen Bolsonaro“. „Avioni pritet të ulet brenda pak orësh“, raportoi gazeta.
Edhe televizioni CNN Brasil raportoi se Bolsonaro ishte larguar nga Brazili në orët e para të mëngjesit dhe ishte nisur drejt SHBA-së së bashku me bashkëshorten dhe dy vajzat e tij.
Deputetë nga Partia e Punëtorëve e Lulës i kërkuan Gjykatës Supreme të urdhëronte arrestimin e Bolsonaros dhe përfshirjen e emrit të tij në listën e kuqe të kërkimeve të Interpolit. Sipas gazetës „O Globo“, gjatë një takimi me miq dhe avokatë të hënën, kandidati i mundur dukej „sikur të ishte i pushtuar“ dhe tregoi qartë se kishte frikë nga arrestimi.
Një gjyqtar i Gjykatës Supreme urdhëroi anulimin e pasaportës së Bolsonaros vetëm pak minuta pas publikimit të rezultateve zgjedhore. Vendimi ishte pjesë e një procedure penale ndaj senatorit, në kuadër të së cilës policia federale po heton nëse ai ishte përfshirë në një skemë të pastrimit të parave me vlerë rreth 680 milionë paund (905 milionë dollarë), e lidhur me kompani bastesh.
Ai kishte afat deri në orën 11:00 për t’ia dorëzuar dokumentin policisë federale, por nuk u paraqit. Bolsonaro ka shtetësi italiane që nga viti 2023 dhe, sipas raportimeve, posedon edhe pasaportë të këtij shteti evropian.
Bolsonaro ende nuk e ka pranuar humbjen përballë Luiz Inácio Lula da Silvës. Të hënën, ai publikoi një video në të cilën, duke komentuar vendimin për anulimin e pasaportës së tij, deklaroi: „Nuk e kam menduar kurrë të largohem nga vendi“. Ndërkohë, gazeta „Folha de S.Paulo“ raportoi se bashkëpunëtorët e rrethit më të ngushtë të familjes Bolsonaro ishin informuar se ai ishte larguar drejt Argjentinës dhe se prej andej synonte të udhëtonte për në SHBA.
Meqenëse nuk ka asnjë të dhënë se ai ka kaluar nëpër ndonjë nga pikat zyrtare kufitare të Brazilit, policia federale po përpiqet të verifikojë me autoritetet argjentinase nëse ekziston ndonjë regjistrim i hyrjes së tij në këtë vend. Televizioni argjentinas „Todo Noticias“ raportoi se senatori dyshohet se e kishte kaluar kufirin me Argjentinën në këmbë, por kishte hequr dorë nga plani për t’u ngjitur në avion pasi informacionet për lëvizjet e tij kishin rrjedhur në publik.
