Kombet e Bashkuara bënë të ditur se janë “Shokuar dhe thellë të shqetësuara” nga videoja e Izraelit, në të cilën shihet marrëdhënie seksuale ndërmjet dy personave në një xhip të organizatës, filluan hetim për incidentin dhe po punojnë në identifikimin e njerëzve.
Videoja, e publikuar në mediat sociale, është xhiruar në një nga rrugët më qarkulluese në Tel Aviv.
Supozohet se bëhet fjalë për një të punësuar në misionin paqësor të OKB-së në Izrael, transmeton Bi-Bi-Si.
Stefan Dizharik, zëdhënës i sekretarit të përgjithshëm të KB-së Antonio Guteresh, e përshkroi sjelljen e njerëzve nga incizimi si “të tmerrshme”.
“Një sjellje e tillë është në kundërshtim me gjithçka për çka angazhohemi dhe për çka luftojmë. Jemi të shokuar dhe thellë të goditur nga ajo që e shohim në incizim”, tha ai për Bi-Bi-Si.
Dizharik shtoi se hetimi të cilin e udhëheq Zyra për Mbikëqyrje të Brendshme e KB-së “po përparon shumë shpejtë”, si dhe se dihet lokacioni se ku ka ndodhur incidenti dhe se janë afër identifikimit të personave.
“Presim që procesi të përfundojë shpejtë dhe të ndërmerren masa adekuate”shtoi Dizharik, duke theksuar se personat e përfshirë në incident sipas gjitha gjasave ishin anëtarë të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Paqe.
Siç bën të ditur, KB ka politikë të ashpër kur bëhet fjalë për sjellje seksuale të papërshtatshme të të punësuarve.
Personeli po përballet me dënime serioze nëse konfirmohet shkelje e rregullave, ndërsa një nga dënimet është ndalesë e vazhdueshme për punësim në organizatë, por për këtë vendos vendi në të cilin është bërë vepra penale.
Sekretari i përgjithshëm Guteresh disa herë theksoi se ata angazhohen për politikë të zero tolerancës.
Heder Bar, bashkëdrejtoreshë e departamentit për të drejtat e njeriut i agjencisë Hjuman rajts uoç, deklaroi se nuk është e “befasuar” nga videoja e Izraelit.
Bar, e cila ka punuar për Kombet e Bashkuara në Burundi dhe Afganistan, tha se është “mirë që rasti po hetohet”, por shtoi se OKB-ja “ka probleme shumë të mëdha se kjo video”.
Gjatë vitit 2019 janë regjistruar 175 akuza për keqpërdorim seksual ndaj personave të OKB-së, thuhet në raport. Nga të gjitha këto akuza, 16 janë konfirmuar, 15 të pabaza, ndërsa të tjerët ende po hetohen./MIA
