Një aksion policor kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit është zhvilluar që nga mëngjesi në tre qytete. Sipas informacioneve nën hetim janë disa persona përgjegjës nga spital privat “Sante” në Shkup, si dhe disa punonjës të Fondit të Sigurimit Shëndetësore. Sipas informacioneve jozyrtare, në mesin e personave të përfshirë në hetim është edhe ish-drejtori i Fondit për Sigurim Shëndetësor, Den Donçev, i cili përmendet si personi i parë i kallëzuar në këtë rast. Po ashtu informacionet për rastin përmendin edhe Ridvan A., ish-kryetar i Bordit Drejtues të FSSh-së, Vesna Q., ish-menaxhere e spitalit “Sante”, si dhe Salih B., ish-pronar dhe person i autorizuar në spital.
“Prokuroria për ndjekje të krimit të organizuar dhe korrupsionit së bashku me policinë po zhvillon një aksion në 10 lokacione, në Shkup, Tetovë dhe Kumanovë që kanë të bëjnë me keqpërdorimet financiare të Fondit shëndetësor dhe të një spitali privat. Nga informacionet e para tregon se dëmi në buxhetin e fondit është rreth 1,5 milion euro, ndërsa përfitimet e kundërligjshme të spitalit privat janë rreth 4 milion euro”, Adi Qaili – gazetar.
Nga Ministria e Brendshme thanë se me të përfunduar aksioni do të japin informacione zyrtare.
“Punonjësit policorë nga Departamenti për shkatërrimin e krimeve të rënda dhe të organizuara pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme po kryejnë kontrolle në disa lokacione anembanë vendit, në koordinim me prokurorin publik kompetent nga Prokuroria Publike për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit, në kuadër të një procesi hetimi mbi keqpërdorimet financiare në shëndetësi”, tha Goce Andreev.
Sipas autoriteteve ata dyshohen për disa vepra penale, përfshirë keqpërdorimin e pozitës dhe autorizimit zyrtar, punën e pandërgjegjshme në shërbim, mashtrimin dhe pastrimin e parave. Të dëmtuar dyshohet se janë edhe një numër i madh i pacientëve, të cilët janë trajtuar në këtë spital.
